Interpelancë me ministren e arsimit Kumbaro për çeshtjen reformimin e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, ndikimin në sistemin arsimor, pasojat konkrete për studentët, maturantët dhe profesionistët shqiptarë / 21 Maj 2026

E nderuar drejtuese e seancës,  

Siç e thatë edhe ju, është një interpelancë për ish-Qendrën, tashmë, të Shërbimeve Arsimore të kthyer në agjenci private të klientëve të qeverisë dhe të miqve të ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro.  

Së pari, më vjen keq për mënyrën se si funksionon Parlamenti, pasi e kam kërkuar këtë interpelancë para se të vinte ligji, ndërkohë që po e zhvillojmë pasi është miratuar ligji dhe është bërë fakt. Pra, dy muaj për të bërë një interpelancë me ministren e Arsimit! 

Së dyti, e pranoi vetë Kryeministri në takimin që bëri me përfaqësues të AADF-së se duhej një kamikaze politike, si Mirela Kumbaro, që të shkarkonte të gjithë dynjanë, që të kishin mundësi ta shndërronin Qendrën e Shërbimeve Arsimore në një korporatë private, sipas interesave të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, (AADF).  

Nuk është surprizë që, kur ka diçka që ecën mirë, kur ka diçka që funksionon, kur ka diçka si kjo qendër, e cila prodhonte 1 milion euro në vit nëpërmjet tarifave aktuale, t’ia vënë syrin për ta marrë dhe për ta çuar te një privat. Kjo nuk është gjë e re, sepse është e njëjta ministre që i dha po të njëjtit klient Butrintin, pasi prodhonte 2,5 milionë euro në vit nga të ardhurat e biletave. Pra, bëhen ligje me porosi për të hequr një shërbim publik dhe për t’ia çuar privatit.  Por çfarë është qendra dhe arsyeja pse e kam thirrur ministren?! Qendra ishte autoriteti kombëtar që kishte për detyrë tezat e provimeve të Maturës Shtetërore; kishte për detyrë licencimin e profesioneve të rregulluara; kishte për detyrë provimet e shtetit; kishte për detyrë njohjen e diplomave; vendoste tarifat e ndryshme për vërtetime që kërkonin qoftë studentët nga jashtë, qoftë studentët nga brenda. Pra, është një qendër që ka të dhëna personale dhe shërbime jetike për arsimin publik shqiptar. Nuk ka sot një metodë të ndryshme për të hyrë në universitet, përveçse të bësh Maturën Shtetërore. Pra, është një detyrim shtetëror. Si mundet që një detyrim shtetëror, pra të vetmin rregull dhe të vetmen mënyrë për të hyrë në universitet, t’ia lësh një privati? Si ka mundësi që në këtë vend të bëhet një analizë e strukturës publike nga një privat, pa pasur asnjë marrëveshje? A mund të më thoni, zonja ministre, si e bëri AADF-ja analizën e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, kur s’kishte asnjë kontratë dhe asnjë marrëveshje për të marrë informacion nga qendra? Si e bëri analizën dhe doli në konkluzionin që këta po punojnë keq dhe duhet ta marrim ne?
Vetëm në Shqipëri ndodh që analizën e një institucioni e bën një privat, i cili arrin në konkluzionin se është shumë e keqe, si dhe propozon që ta marrë vetë privati; bëhet një ligj me porosi, që e shkruan po privati se sa e keqe është kjo, për ta marrë dhe për t’u bërë pjesë e bordit. Ju do të thoni sot që pjesë e tij janë edhe institucionet shqiptare, sepse do të ketë një bord, por të njëjtën gjë e kam dëgjuar edhe te koncesionet e tjera për trashëgiminë kulturore, që janë si dy pika uji, por nuk është e vërtetë. Patjetër që është shteti, sepse duhet t’i garantojë të gjitha facilitetet AADF-së, që të mos ketë asnjë kokëçarje, ndërkohë, paratë e tarifave dhe paratë që vijnë nga licencimi do të konsiderohen si para të një OJF-je, të një korporate, dhe është e vetmja organizatë në Shqipëri që nuk paguan taksa. Nuk mund të gjeni dot në Shqipëri, besoj edhe në botë nuk ka, një organizatë të tillë që nuk paguan taksa në vendin ku ofron shërbime, është vetëm një në Shqipëri sot: AADF-ja, e cila nuk paguan taksa. Ndërkohë, paratë që do të paguhen nga tarifat për licencimin, nga tarifat për njohjen e diplomave dhe gjithçka tjetër nuk monitorohen dhe nuk kontrollohen dot nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, sepse do të jenë pjesë e buxhetit të këtij privati. KLSH-ja nuk mund ta monitorojë dhe nuk mund ta auditojë paranë publike, sepse ju e quani si para private. Dilni dhe mashtroni!

Na thoni, zonja ministre, ku është marrëveshja që keni bërë me Universitetin e Cambridge-it? Në fakt, gënjeni, sepse nuk ka një marrëveshje me Universitetin e Cambridge-it. Edhe vizitën që keni bërë atje, e keni bërë me një OJF dhe Cambridge-i ka vetëm emrin. Në fakt, kjo mund të ishte kudo nëpër botë dhe mund t’ia vinte emrin Cambridge, por është një organizatë që operon për vendet e botës së tretë për t’u dhënë një lloj ekspertize dhe quhet “Cambridge 

Partners”, e cila nuk ka lidhje me Universitetin e Cambridge-it. A e dini ju, zonja ministre, që sot testet e certifikuara të gjuhës angleze jepen pikërisht me metodën e universitetit të 

Cambridge-it dhe janë pjesë e ligjit, për të cilat unë do t’ju jap argumentet më pas? Këto teste të certifikuara, që jepen në çdo universitet të Shqipërisë, kanë pjesë procedurale nga ligji dhe janë të mbrojtura si të akredituara; ju doni t’ua hiqni këtyre dhe t’ia jepni AADF-së, që ka zero ekspertizë në këtë fushë dhe zero lidhje me shërbimet arsimore. Maksimumi  që ka dhënë AADF-ja, është kur e keni futur po ju që të jepte ekspertizë për shkollën e drejtorëve politikë. Kaq është maksimumi që ka dhënë AADF-ja. 

A mund të na thoni si garantohet interesi publik, duke marrë një qendër publike për shërbimet arsimore, që prodhon para, që ka arsimin publik në thelb, për ta kthyer në një korporatë dhe për t’ia dhuruar një privati? Çfarë fitojmë ne dhe ku është e mira e qytetarëve shqiptarë? Më thoni, ju lutem, në përgjigjen tuaj, edhe një model të një vendi tjetër të Bashkimit Evropian që i privatizon shërbimet shtetërore arsimore, siç e bëni ju për klientët tuaj.  

Faleminderit! 

PJESA 2:

Së pari, me gjithë atë staf që ke, zonja Kumbaro, mund të kishe bërë një fjalim të ri, jo të mbaje fjalimin që ke ardhur dhe ke mbajtur kur miratuat ligjin. Është i njëjti fjalim! Gjynah, se nuk ke as çfarë të bësh lajm! 

Së dyti, unë e kam kërkuar interpelancën më 3.4.2026 dhe justifikimet janë që ju nuk keni qenë. Unë e kam kërkuar para se të vinte ligji. Pra, sot jemi në datën 21 maj dhe nuk është për fajin tim që ju fshiheni dhe doni ta miratoni shpejt e shpejt.  Së treti, e tha Kryeministri si me shaka, por shakaja është gjysma e së vërtetës, se e vetmja kamikaze politike që mund të merrte parasysh të shkarkonte njerëzit, të mos pyeste çfarë kërkonte qendra, të mos pyeste për interesin publik, ishte Mirela Kumbaro. Në fakt, tha të vërtetën, sepse edhe ju vetë e pranuat se ka që në vitin 2019 që kërkohet të bëhet kjo gjë, por ministret paraardhëse, nisur edhe nga fakti që edhe vetë qendra e kundërshtonte, në bazë të ligjit dhe në bazë të aktivitetit që kishte pasur, nuk arritën dot të bëheshin kaq kamikaze sa ju. Në fakt, ju nuk e keni për herë të parë, sepse jetëgjatësia juaj politike është varur pikërisht nga kjo mënyrë për të dhënë çdo gjë publike te privati, dhe jo te një privat, por tek i njëjti privat: te Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim. Thatë një gjë: “Keni bashkëpunuar edhe ju”. Po, patjetër, kemi bashkëpunuar edhe ne për t’i marrë donacione, kështu që ju ftojmë edhe ju të bëni të njëjtën gjë, por ju nuk e bëni dot të njëjtën gjë për t’i marrë donacione, ju duhet t’i dhuroni pasurinë publike të shqiptarëve. Ajo është pasuri e shqiptarëve. Është detyra juaj kushtetuese si ministre… 

Kam marrë një skemë shumë të thjeshtë se çfarë bën Bashkimi Evropian dhe çfarë bën AADF-ja. Bashkimi Evropian jep qindra milionë euro për arsimin shqiptar, por nuk merr dhe nuk ka kërkuar kurrë të marrë në kontroll sistemin. Ndërsa AADF-ja merr leje ndërtimi, merr rol në arsimin parauniversitar, merr fonde për projekte kërkimore, bashkon fondet e tarifave me fondet e saj dhe na shfaqet si triumfatore! Është e njëjta AADF, me të cilën ju, kur ishit ministre e Kulturës, bëtë kontratën dhe marrëveshjen e parë për t’i dhënë Butrintin, e futët në trashëgimi kulturore! Është i njëjti model. Pra, edhe aty thoni se është shteti, sepse është një bord, por, kur bashkohen fondet me fondet private dhe kur quhet agjenci private, ato nuk auditohen dot përveçse nga audituesit e mëdhenj; e ka të parashikuar AADF-ja.  

Pastaj, kur u bëre ministre e Mjedisit dhe Turizmit, kemi projektin famëkeq TID, që përsëri bën të njëjtën gjë: AADF-ja merr qoftë amfiteatrin, shkatërron pronat e banorëve dhe bën një plan duke zëvendësuar shtetin. Pastaj, kur vjen në Ministrinë e Arsimit, puna e parë që bën, është: e merr Qendrën e Shërbimeve Arsimore nga një qendër fitimprurëse, me të paktën 1 milion euro në vit, nga një qendër që funksiononte dhe, në vend që t’i përmirësonte disa aspekte, nëse ishin për t’u përmirësuar, ia dhuron, ia çon pajë AADFsë. Nuk të kemi thënë ne, nuk të ka thënë ishKryeministri Berisha që të dhurosh shtetin shqiptar, por të ka thënë: merr donacione dhe do të ishte shumë mirë, në qoftë se do të merrje donacione që t’i vije në shërbim të publikut, por jo të dhuroje pronën publike dhe institucionet shtetërore.  Zonja Kumbaro, po u referohem të dhënave zyrtare. Që nga viti 2011 testet e TOEFL-it dhe TOEIC-ut, ndërkombëtarisht të standardizuara, të akredituara në Shqipëri, që së fundi janë edhe pjesë e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, do të zëvendësohen me testet për përfitimet financiare të AADF-së në menaxhimin e AKSHA-s, sipas projektligjit. Ndërkohë që akreditimi i tyre ka ardhur po nga amerikanët. Do t’ju vë në dispozicion letrat që nga ambasadori Arvizu dhe deri tek të gjithë ambasadorët e tjerë, të cilët kanë dhënë mbështetje absolute për këto teste, dhe janë pjesë e ligjit tonë. Ndërkohë, janë teste të njohura, të akredituara, edhe amerikane, meqenëse e ke merak mbështetjen amerikane, kurse ti propozon sot (dhe gënjen këtu) një model për t’i dhënë të drejtën një organizate joqeveritare, si AADF-ja, e cila nuk është e lidhur me Universitetin e Cambridge-it (gënjen ditën për diell), por është lidhur me Cambridge Partners, që është diçka ndryshe nga Universiteti i Cambridge-it, dhe vendoset që testet do të menaxhohen dhe administrohen të përqendruara, kur sot mund të zhvillohen në çdo universitet; që çmimi rritet katër herë dhe shkon rreth 200 euro për test; që zhvillimi i testeve kalon jashtë ambienteve të universitetit dhe të dhënat e studentëve nuk dihet se ku do të shkojnë dhe kush i ka. Pra, po marr një aspekt të testeve të njohura ndërkombëtarisht: ku kishte ceduar kjo gjë, që duhet t’i jepej AADFsë?! Çfarë problemi ju kishte dalë juve në këtë aspekt? Zero, asnjë problem! Thjesht disa para që duhet të merren dhe të centralizohen te klientët, për t’i pasur ju për 10 vjetët e ardhshëm, edhe kur të mos jeni në pushtet, për ta vjelë këtë vend me këto tarifa që i bëni bashkë me partnerët tuaj në krim, sepse sot janë shndërruar në partnerë në krim. Krimi që po i bëhet trashëgimisë kulturore, mjedisit dhe arsimit, është falë jush dhe falë partnerit tuaj në krim: Fondacionit ShqiptaroAmerikan për Zhvillim. 

Ndërkohë, përveç këtyre, keni licencimin e profesioneve të rregulluara. Çfarë bëni ju? Kemi pasur së bashku edhe një interpelancë tjetër, ku i detyronit mësuesit që të futeshin në provim licencimi, madje edhe ata që nuk u takonte. Pra, ju do t’u garantoni punë. Pra, ju do të bëni gjithçka që këta të kenë punë, që këta të marrin sa më shumë para, që t’i vjelin qytetarët shqiptarë, duke vënë detyrime për licencime edhe për ata që nuk kanë fare. Për shembull, mësuesit (që bëmë interpelancën bashkë) nuk e kanë fare për detyrim që të bëjnë licencimin, pasi kanë 15 vjet që janë në sistemin arsimor. Pse e bëni ju këtë?! Sepse duan disa para më shumë klientët, partnerët në krim; duan disa para më shumë, për t’i bashkëndarë, sipas interesave elektoralë dhe interesave financiarë. Ndërkohë, atje ka një staf, ka disa punonjës, dhe nuk i hyj unë gjykimit: të mirë apo të këqij, por ata ishin punonjës të shtetit shqiptar me statusin e nëpunësit civil. Sot, kur ju doni ta ktheni në një agjenci autonome të varur nga OJF-ja, ata e humbin këtë privilegj dhe kthehen në një staf me Kod Pune, sipas dëshirave dhe vullnetit të një privati, vetëm e vetëm që ta ktheni edhe atë në një fushë tjetër ku mund të bëni çfarë të doni.  

Më fal, por, kur shteti investon, sepse investon te punonjësit e tij, duhet që t’i mbrojë punonjësit e tij; duhet t’i mbrojë interesat e shtetit shqiptar në atë investim për ecjen përpara të tyre, bashkë me detyrimin që ka për t’i trajnuar. 

 Nga ana tjetër, ju krijoni një precedent, për të cilin folët këtu, por nuk më thatë se cili vend i Evropës, meqenëse do të shkojmë në Evropë, e bën si ne?! Cilit vend të Evropës, provimet hyrëse të Maturës Shtetërore për në universitet ia bën një privat?! Cili vend i Evropës merr një OJF që t’u bëjë skanerin institucioneve publike?! Cili vend i Evropës merr një model, ku çdo licencim i profesioneve të rregulluara bëhet nga një privat, nga një OJF? Ah, është shteti! 

Zonja Kumbaro, patjetër që ju do të kishit një rol brenda institucionit shtetëror, sepse nuk del dot nga diviza kushtetuese, por është privati po aq i barabartë sa edhe shteti; është privati që ta bën ty projektligjin dhe e sjell projektligjin, duke thënë se e bëri privati. Në rastin e Butrintit e kanë deklaruar ata që kanë paguar 150 mijë dollarë për ta bërë ligjin me porosi që ta merrnin vetë. Në këtë rast nuk e kanë deklaruar akoma se, kur u çon atyre kërkesë zyrtare, normalisht nuk të përgjigjen, sepse nuk kanë ndonjë detyrim. Nëse nesër Kuvendi i Shqipërisë, Komisioni i Edukimit, do të kërkojë një seancë dëgjimore me AKSHA-n, ata nuk kanë detyrimin për t’iu përgjigjur. Për shembull, kërkoj unë, në Komisionin e Kulturës dhe Turizmit, një seancë me AADF-në për projektin TID, nuk vjen ai, por thotë: nëse ke ndonjë gjë, ma ço me shkrim, nuk e kam detyrim, sepse nuk jam institucion publik. Po e ktheni shtetin në një OJF; po e ktheni shtetin në dëshirën për të ardhur apo për të mos ardhur; në dëshirën për t’i ndarë paratë e shqiptarëve sipas qejfit; në dëshirën për të punësuar këdo dhe siç e doni në organin shtetëror; për të vendosur tarifat siç i doni dhe sa i doni për organin shtetëror; për të bërë licencimet; për të bërë Provimet e Maturës dhe për të bërë njohjen e diplomave. A janë këto detyrat e shtetit shqiptar?! A ka dështuar shteti shqiptar?! Po ikni, zonja Kumbaro! Ta shkrijmë Ministrinë e Arsimit, të vëmë Granoff-in, meqenëse i bëre këtu një refene të madhe se sa i rëndësishëm ishte. Janë ndërruar presidentë të Amerikës dhe kryeministra në Shqipërisë, por Granoff-i nuk ka lëvizur andej, kështu që të ikësh ti dhe t’ia lëmë AADF-së! Të paktën të mos paguajmë kot, por ta dimë që e kemi dhënë me koncesion Ministrinë e Arsimit dhe kryetarin e bordit ta bëjmë kryetar të arsimit për Shqipërinë, sepse ministrja këtë po mbron për 20 minuta, duke thënë sa e mirë është AADF-ja, sikur kam ftuar unë CEO-n e AADF-së në interpelancë! 

 Zonja Kumbaro, ky nuk është modernizim i shtetit, por është dorëzim i shtetit tek interesa klientelistë. Ky është një ligj skandaloz që bëhet vetëm e vetëm për të shtuar detyrat që ju i bashkëndani me klientët tuaj. Thatë se janë amerikanët, por nuk janë amerikanët, sepse kam një përgjigje të firmosur nga Ambasada Amerikane, e cila thotë se nuk kanë lidhje fare me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan. Pra, nuk është tek institucionet shtetërore dhe as tek institucionet, për të cilat ambasada ka devizën për t’i kontrolluar apo për t’i përfaqësuar. Është letër e firmosur, e vulosur, me numër protokolli dhe e dërguar tek anëtarët e grupimit TID, të cilën unë e disponoj. Në fakt, kjo është e vërteta! Ka qenë thjesht propaganda juaj për të thënë se ne ishim njerëzit që po i bënim luftë Amerikës. Në fakt, po mbronim dhe po mbrojmë vetëm interesin e qytetarëve shqiptarë.  

T’i japësh një fuqi absolute për të vendosur paga, për të vendosur emërime, për të vendosur tarifa, për të vendosur provimet e shqiptarëve, do të thotë që të heqësh dorë nga ai, që është detyrimi kushtetues për të garantuar profesionalizëm dhe për të garantuar një arsim, i cili i përgjigjet çdo qytetari, edhe atij të pamundurit, edhe atij që ka gjendje më të mirë ekonomike.   Në një dokument tuajin, ju për herë të parë pranoni se qendra ka dështuar në disa pika dhe relacioni thoshte “për shkak të barrierave burokratike”. Nëse qendra kishte dështuar, keni 13 vjet në pushtet dhe keni dështuar ju. Pra, nëse ka pasur barriera burokratike, e kishit shumë kollaj t’i zhbënit nëpërmjet VKM-ve, nëpërmjet ligjit, po të donit, këto barriera burokratike, por nuk është kurrë justifikim një barrierë burokratike (që mund të vijë thjesht nga individi apo nga ligji) për të dhuruar të gjithë institucionin, një institucion që fiton para; një institucion që nxjerr para për buxhetin e shtetit. Ia jepni për 10 vjet AADF-së dhe thoni se AADF-ja do të dhurojë 5 milionë euro! Me tarifat ekzistuese, jo me ato që do të dyfishohen, për 10 vjet kjo qendër nxjerr 10 milionë euro. Tani me çfarë logjike dhe ekonomike ti dhuron 10 milionë euro për të marrë 5 milionë euro?! Unë nuk e kuptoj këtë! Si mund të meritojë të marrë një qendër që për 10 vjet prodhon vetë 10 milionë euro me këto tarifa, dhe me tarifat e reja do të prodhojë 20 milionë euro, sepse do të dyfishohen?! Cila është logjika ekonomike, nuk po them më kushtetuese dhe politike?! Por as logjikë ekonomike nuk ka kjo që bëni ju, sepse, në fakt, ju nuk keni parë asnjë logjikë; nuk keni parë as Kushtetutën, as rregullat, as modele të Bashkimit Evropian, asgjë. Ju keni parë që keni një klient, të cilin e keni marrë në çdo ministri me vete, ia keni dhuruar Shqipërinë si një plaçkë, i jepni pa ekspertizë teste të rëndësishme në fushën e arsimit, provime të rëndësishme, si provimet e Maturës Shtetërore dhe ku shqiptarët nuk thonë dot që do të zgjedhin këtë, në vend të këtij, sepse ia jepni ju monopolin për të pasur testet e Maturës Shtetërore, vetëm e vetëm sepse keni një nyje gordiane të interesave lobues dhe të interesave financiarë me partnerët tuaj në krim, por kjo nuk i shërben as interesit publik, as gjendjes së arsimit sot në Shqipëri, që është në ditën më të keqe dhe më të mjerueshme… 

PJESA 3:

Po, ti je Mirela Kumbaro e “pikës së vogël”! Me AADF-në e ke bërë edhe atë, në fakt, i ke hequr pjesë zonës së mbrojtur të Butrintit për t’ua dhënë vilave! Po, ti je! Ah, ti je Mirela, në fakt, edhe e mbetjeve të rrezikshme, që drejtoreshën e Arsimit Parauniversitar sot e ke në arrest dhe të kërkuar, por e mban drejtoreshë! Ti je, e njëjta! Unë nuk doja të të bëja CV-në, sepse doja të përqendrohesha këtu, por, në fakt, e ke treguar në çdo ministri që bën të njëjtën gjë, dhe të njëjtën gjë po bën edhe këtu: po e dhuron asetin publik te privati. Kush e tha se do të jetë AADFja? Ligji e tha! Ligji thotë se pjesë e bordit të akreditimit… 

Pra, se pjesë e bordit do të jetë një përfaqësues i AADF-së, me të drejtë vendimmarrje në ligjin tuaj. Ku është AADF-ja?! Ju thoni se AADF-ja do të dhurojë 5 milionë euro dhe do të marrë në shkëmbim të drejtën për të pasur zë në kapitull. Pikërisht, të drejtën për vendimmarrje në kapitull që nuk duhej ta kishte AADF-ja. Donacion jo 5, por 25 le të dhurojë, do t’i themi të gjithë: “faleminderit”, por, kur jep 5, për të marrë 25, për të marrë të drejtat që u takojnë qytetarëve shqiptarë, jo zonjë. Jo, AADF-ja, apo kushdo tjetër nuk mund të hyjë tek institucionet e shtetit shqiptar, për aq kohë sa këto me Kushtetutë u jepen qytetarëve shqiptarë.  Në fakt, zonja Kumbaro, të të urrejnë idiotët, është çmimi që paguan kur nuk je një prej tyre, dhe ky është çmimi që unë paguaj nga fjalët që thoni ju, por kjo thjesht më nderon, sepse të gjitha rekordet tuaja, tregojnë qartësisht se interesi në arsimin shqiptar ka qenë vetëm si ta shkatërroni atë. Për aq kohë sa ke vendosur që të mbash ende drejtoreshë një njeri si Arta Dollani, të cilën e kërkon drejtësia dhe ti e ke marrë ministri më ministri, tregon se nuk ke interes për arsimin, por për dallaveret që bën me të njëjtët njerëz dhe me të njëjtin staf.  Për ta mbyllur, më vjen shumë keq që funksione të rëndësishme, të cilat lidhen me Maturën Shtetërore, me licensimin e profesioneve të rregulluara, me gjuhët e huaja, që ju i mohuat, por është tërësisht e vërtetë, sepse mua më kanë ardhur pikërisht nga ata që i kanë ofruar që në vitin 2011, të akredituara nga Universiteti i Cambridge-it, ju i fshihni… 

Po, po, e kam kryetarin atje dhe kryetari e ka përdorur AADF-në për donacione, nuk i ka dhuruar asgjë që është e shtetit shqiptar, nuk i ka dhuruar as Butrintin, as Durrësin, as Agjencinë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore! 

Në fakt, ajo që po bëni ju është një dorëzim… 

Niko Peleshi – Përfundojeni, ju lutem! 

Ina Zhupa – … për interesa klientelistë, për interesa që shkojnë qartësisht vetëm me një shprehje: njëra dorë e korrupsionit mbush dorën tjetër dhe të dyja pasuroni interesat klientelistë të kësaj qeverie, bashkë me AADF-në.  

Shumë faleminderit!