Interpelancë me ministren e Arsimit, Ogerta Manasterliu, mbi gjendjen e arsimit në Shqipëri dhe raportin e “PISA 2025” / 2 maj 2024

Fillimisht, para se të nis interpelancën, dua të përshëndes nga kjo foltore aktivistët e diasporës për aksionin që zhvilluan sot në Parlament! 

Në fakt, është turpi i këtij Parlamenti që nuk ka marrë ende në shqyrtim një veprim ligjor për vendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 09.12.2022, teksa i cakton Kuvendit detyrimin për përplotësimin e boshllëkut ligjor brenda një viti.  

Ju keni shkelur një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe ende nuk po merrni masat për të futur, për të sanksionuar dhe për të rregulluar me ligj votën e diasporës. 

Ju sot duhet të ndiheshit të turpëruar, ju sot duhej t’u lironit foltoren atyre që të flisnin nga këtu dhe jo t’i nxirrnit jashtë me Gardën e Republikës. Ata nuk thyen asnjë rregull. Ky është Parlamenti i qytetarëve, ky Parlament mbahet me paratë e qytetarëve, mbahet edhe paratë e emigrantëve, që u sjellin prindërve dhe njerëzve të tyre këtu. Ju lutem, kthejuni ligjshmërisë dhe lejoni votën e diasporës!    

E kam kërkuar këtë interpelancë me ministren Manastirliu pas daljes së rezultateve të testit ndërkombëtar PISA. Ky ishte një moment turpërimi, nga ato që ju i keni zakon, dhe prisja që ta anatemonit dhe ndoshta të thoshit që PISA, si “Rai 3” apo si raportet ndërkombëtare, sipas jush, ka dashur baltosjen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, por, në fakt, është një raport që zhvesh propagandën dhe dëshmon dështimin e sistemit arsimor parauniversitar.  

Shqipëria, fatkeqësisht, kishte rënien më të madhe se ndonjë shtet tjetër në raport, por edhe rënien më të madhe krahasuar me veten e saj, që në vitin 2009, kur është rankuar për herë të parë në këtë test ndërkombëtar PISA vlerëson aftësitë e nxënësve 15vjeçarë në lexim, në matematikë dhe në shkencë dhe, respektivisht kanë rënë me 47 pikë, 69 pikë dhe 50 pikë. Ne renditemi më poshtë se Palestina, ne renditemi më poshtë se Uzbekistani. Ne kishim rënien më të madhe në krahasim me të gjitha vendet pjesëmarrje në testin PISA. 

Aftësitë e nxënësve tanë janë kthyer mbrapa, në vitet 2000; është thelluar analfabetizmi funksional.  

(Paraqet grafikun) 

Ky është grafiku. Po jua tregoj me qëllim që të gjithë të kenë mundësi ta shikojnë edhe vizualisht se si jemi katandisur në një nga tri fushat kryesore. Pra, është në një formë U-je, ku Shqipëria kalon më poshtë seç e kishte nisur në vitin 2009. Sigurisht, ky është rezultat i drejtimit të arsimit, i reformave të dështuara dhe i mungesës së vullnetit politik për t’i çuar paratë tek arsimi. 

Ky është turpi më i madh që mund t’i ndodhë një vendi, ku fëmijët, nxënësit dhe studentët kur të dalin nesër në punë, sepse ky është cikli, do të jenë analfabetë funksionalë, do të jenë me nivelin më të ulët sesa në vitet 2000. Krahasojeni me zhvillimin ekonomik, teknologjik dhe social të vendeve të tjera?  

Ky është turpi i kësaj qeverie! Në fakt, kjo duhej të ishte tema kryesore, e cila duhej të ishte diskutuar që në momentin që doli ky raport; duhej të ishte kambana e alarmit për të kuptuar atë që thuhet në raport se janë përkeqësuar të gjithë parametrat në shkollat shqiptare, si: klima shkollore, diskriminimi, bullizimi, mirëqenia e nxënësve, ndjenja e përkatësisë së nxënësve në shkollë, performanca e tyre, statusi i tyre social dhe ekonomik, diversiteti, burimet për edukim. Ne jemi të përkufizuar në PISA me fjalinë: “Shteti me rënien më të fortë nëpërmjet shteteve pjesëmarrëse”.  

Shqipëria sot ka nisur një proces, që unë e quaj “dearsimim”. Pra, të biesh në këto nivele, ku të jesh poshtë Palestinës dhe Uzbekistanit, do të duhet të kthesh sytë nga arsimi, do të duhet që të turpërohesh.  

Ne po rrisim njerëz analfabetë funksionalë, që ndoshta u shërbejnë më mirë parimeve të kësaj qeverie, që propaganda ka më shumë rëndësi se realiteti; ndoshta janë më të lehtë nesër për t’u blerë e për t’u manipuluar për vota; ndoshta u duhen, sepse do të besojnë që me të vërtetë kemi kryeministër “Skënderbe” dhe ministre  “Mamicë”, por kjo nuk është mirë për të ardhmen e vendit, nuk është mirë për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, për atë që pritet t’i ndodhë këtij vendi edhe në vitet e ardhshme.  

Testi i radhës i PISA-s do të jetë në vitin 2025 dhe temë kryesore do të ketë ecjen në inovacion.  

Testimi i fundit, i bërë nga vetë institucionet shtetërore, është që 94% e mësuesve nuk kanë aftësi digjitale, nuk kanë aftësi inovative. Çfarë bën qeveria? Çfarë masash keni marrë ju, pas kësaj kambane alarmi nga PISA? Sa para keni çuar në arsim? Çfarë ndryshimi i bëtë buxhetit pasi patë këtë gjë? Sa do të investoni për trajnimet e mësuesve? Sa do të investoni për infrastrukturën e brendshme shkollore? Këtu nuk e kam fjalën për godinat, që keni thënë se do t’i ndërtoni me çmime që nuk krahasohen me asnjë vend tjetër të botës, ku një shkollë ju e ndërtoni me 2,3 milionë euro, ndërkohë që një shkollë e ndërtuar nga fondet e Bashkimit Europian shkon në vlerën 700 mijë euro. Këto nuk janë investime në arsim, këto janë investime në xhepat tuaja, këto janë investime 

“alla 5D” apo kushedi si e kanë emrin te Ministria e Arsimit, ndoshta nuk quhen as “5D”, ndoshta kanë ndonjë emër tjetër, por vetëm rezultate nuk sjellin.  

Të kesh gati 12 vjet në pushtet dhe ta katandisësh arsimin në formë U-je, kjo është tragjike, ndërkohë që ju vazhdoni të mburreni me nivelin arsimor në Shqipëri. 

Faleminderit! 

PJESA 2

Në fakt, u habita që zonja ministre as nuk e shikon problemin dhe ky është një problem më i madh se edhe vetë problemi.  

Krahasohen të pakrahasueshmet, nuk merren përgjegjësi për rezultatet dhe mundohet që të tjetërsohet, me demek, ngjajmë edhe me vendet e tjera, për të cilat unë patjetër do t’jua sqaroj dhe, në fakt, nuk tregoni asgjë më shumë sesa një miopi, një miopi politike. Nuk e shikoni dot realitetin dhe në momentin që ju i shmangeni realitetit, sigurisht që nuk do të këtë zgjidhje.  

Sigurisht që unë pres rezultate edhe më të ulëta vitin ardhshëm, sepse ju nuk përballeni, por mundoheni të gjeni justifikim. Ju, për shembull, thoni që në krimin kibernetik, apo në dhunën kibernetike, ne jemi më mirë, po normal ne s’kemi as kompjuterë në shkolla, teknologjia në shkolla është minimale, nuk ka në mes të Tiranës, jo më në rrethe. Pra, është si të thuash: “Nuk kemi anije kur kemi një vend pa det”, është normale ajo.  

Zonja Ministre, për t’jua rrëzuar propagandën në lidhje me vendet e tjera dhe  Shqipërinë, do t’ju sqaroj fillimisht, në fakt, për ta kuptuar qytetarët, jo ju, sepse ju e dini shumë mirë që po thoni të pavërteta, se pretendimi juaj që kjo rënie ka ardhur për shkak të pandemisë, nuk vlen, sepse vendet e tjera, të cilat u prekën edhe më shumë se Shqipëria nga pandemia, dhe mund të shikojmë edhe rezultatet, pasi ju keni qenë edhe ministre e Shëndetësisë, nuk patën një nivel kaq të ulët sa nxënësit tanë. Ne ishim rekord, ishim vendi me uljen më të madhe. E përmendët Gjermaninë, po në Gjermani pati një ulje dhe, në fakt, kishte një ulje, pasi morën pjesë edhe emigrantët, por ministrat e landeve menjëherë morën përgjegjësi institucionale dhe brenda dy ditësh, nga momenti që dolën të dhënat, u mblodhën dhe deklaruan kostot e reja financiare për të rikuperuar situatën.  

Vendet e OECD-s, zonja Ministre, shpenzojnë 10 herë më shumë se Shqipëria dhe prapë u mblodhën për të dhënë një faturë të re financiare. 

Ne shpenzojmë rreth një mijë euro në vit për nxënës dhe ju na krahasoheni me uljet e vendeve të tjera, ndërkohë që po të marrësh rezultatet, e shikon shumë qartë që janë të pakrahasueshme me Shqipërinë.  

Adoleshentët e vendeve të tjera humbën 10 pikë në lexim, 15 pikë në matematikë, ose ndryshe, siç shprehen ekspertët e huaj, meqë i more në krahasim, kanë humbur rreth nëntë muaj shkollë, ndërsa, sipas llogaritjeve për Shqipërinë, me numrin e pikëve që kishin humbur nxënësit shqiptarë, kanë humbur më shumë se 5 vjet shkollë. A janë të krahasueshme? Ata janë mbrapa me nëntë muaj shkollë, ndërsa ne jemi mbrapa me 5 vjet shkollë. Pra, një student, që shkon në vitin e parë, i ka njohuritë për një nxënës të klasës së gjashtë. Për ty është e krahasueshme dhe për ty duhet të jemi të lumtur.  

Tërmeti, tërmeti ishte vetëm në zona të caktuara, ndërkohë që rezultatet janë për të gjithë Shqipërinë. Sigurisht, nuk mendoj se janë marrë pikërisht testimet në ato 5 apo 10 shkolla, që u prekën nga tërmeti dhe e ndryshuan rezultatin për  të gjithë Shqipërinë. Pra, prapë mundoheni të fshiheni dhe ky është problemi më i madh, që ju nuk e pranoni problemin, sepse, po ta pranonit, ndoshta do të kishit bërë edhe disa përpjekje më serioze, si, për shembull, për të dëgjuar ekspertët, për të ndryshuar buxhetin, për dëgjuar shoqërinë civile, për të bërë edhe tryeza të përbashkëta dhe propozime ligjore, apo të tjera në lidhje edhe me ekspertët e opozitës, që, patjetër, ju ofrohen për arsimin dhe s’kërkojnë asgjë mbrapsht, por vetëm të dëgjohen, por ju nuk e bëni, sepse për ju s’ka problem. Kjo është e tmerrshme në një vend ku duhet kishit reaguar.  

Përmendët kurrikulën me kompetenca, prapë të dhëna të ardhura nga anketimet e Bashkimit e Europian. Kurrikula me kompetenca tregon që 38% e mësuesve nuk kanë njohuri të mjaftueshme për këtë kurrikul. Shqipëria e ka ndryshuar përmbajtjen mësimore dhe mënyrën e dhënies së mësimeve dhe zgjodhi kurrikulën britanike. A e dini cilën ka bazë kurrikula britanike?! Teknologjinë në themel të mësimdhënies. Në momentin që ti në teknologji je minus, ke 94% të mësuesve që nuk kanë njohuri teknologjike, ke shkollat pa një kompjuter, ku në të gjithë qarkun Shkodër ti ke, mesatarisht, një kompjuter për shkollë, ti ke kurrikulën me bazë kompetence, që ka në themel teknologjinë! A e kuptoni se çfarë jeni duke i bërë arsimit? A e kuptoni dëmin e madh që ka ardhur që nga ajo që duhet të ishte duke e drejtuar Kuvendin, te ministrja tjetër, që është harruar tani që ka qenë ministre, te kolegia deputete dhe te ju tani, që keni lidhje me arsimin? Nuk e di, domethënë. Nuk po komentoj mbi ju, por po komentoj mbi arsimin. 

Ministria juaj nuk ka dalë deri tani të shprehë në asnjë moment përgjegjësi publike. Ministria juaj, në fakt, mësuesit i trajton në mënyrën më të keqe të mundshme. Mësuesit sot janë të keqpaguar, po, e keni rritur me 20-30 mijë lekë të vjetër, që, krahasuar me fuqinë blerëse dhe krahasuar me inflacionin, nuk kanë asnjë vlerë. Mësuesit janë të keqtrajtuar profesionalisht, mësuesit përdoren për mbushje të aktiviteteve tuaja elektorale. Ju shkoni në shkolla (edhe para pak ditësh) me drejtuesit politikë të qarqeve. Ju shkoni në shkolla (siç shkonte edhe paraardhësja juaj) me Elisa Spiropalin në Shkodër dhe me Damian Gjiknurin në Elbasan. Se çfarë lidhjeje kanë, përveçse janë drejtues politikë… dhe ju e ktheni shkollën në funksion të propagandës së Partisë Socialiste dhe të drejtuesve politikë, sepse lidhje tjetër nuk ka as Damiani me Elbasanin, as Elisa me shkollat në Shkodër dhe asnjë tjetër, janë publike. I përdorni mësuesit për propagandë dhe ata janë të detyruar të plotësojnë atë që quhet sistemi SMIP, edhe pse ata nuk kanë pajisjet e nevojshme, edhe pse ju nuk u keni vënë në dispozicion pajisjet, por u thoni që ta bëjnë me pajisjet e tyre, me celularët e tyre, me tabletat e tyre. Meqenëse e doni këtë sistem, vini në dispozicion pajisje, pasi ata detyrohen të plotësojnë pirgje me formularë, me shkresurina, me ditarë e me të gjitha dhe kalojnë më shumë kohë duke bërë shkresa sesa duke u marrë me atë se çfarë duhet të japin nesër në mësim apo për të përmirësuar teknikat e tyre të mësimdhënëse. Pra, i keni kthyer në burokratë dhe jo në misionarë të mësimdhënies.  

Nuk e ka fajin mësuesi që laboratorët smart nuk eksitojnë as në mes të Tiranës dhe se lëndët e TIK-ut jepen nga mësues të lëndëve të tjera, zakonisht, dhe mësimdhënia është bërë e pamundur.  

Ju përmendët elementet e tjera të testit të PISA-s, si, për shembull, ndjesia e përkatësisë në shkollë. Dhe, në fakt, edhe në këto dukuri të karakterit social në raportin e PISA-s del se kanë shënuar rënie në pjesën e të ndierit keq në komunitetin shoqëror dhe në pjesën e mosshoqërizimit të fëmijëve. Megjithatë, unë nuk u kapa te karakteri social, por te karakteri i prekshëm i rezultateve të arsimit të atyre që po përgatisim për universitete, të atyre që do të jenë mësuesit e ardhshëm nesër, të atyre që, me njohuritë e tyre që marrin sot, do të jenë kontribuesit e sistemit ekonomik nesër. 

Nga viti në vit numri i maturantëve që largohen nga Shqipëria pikërisht nga niveli i ulët i arsimimit që gjejnë në Shqipëri dhe për “duart në kokë” që vënë prindërit e tyre, të cilët paguajnë taksa pa fund dhe nuk marrin asgjë mbrapsht, është rritur në mënyrë drastike. Në 4 vjetët e fundit bankave  të shkollës u mungojnë 56 000 nxënës dhe, rrjedhimisht, kjo ka sjellë edhe 2 000 mësues më pak në sistem. Vetëm në Bashkinë Shkodër janë 712 nxënës më pak të ulur në bankat e shkollës; në zonat e Pukës, Fushë Arrëzit dhe Malësisë së Madhe janë mbyllur deri në 2 apo 3 shkolla. Si mund të kesh arsim cilësor me klasa kolektive?! Si mund të kesh arsim cilësor me mësimin me turne?! Si mund të presësh rezultate të mira, kur nuk u ofron asgjë nxënësve dhe mësuesve? Si do të bëhen, me shkop magjik? Do të tejkalojnë vetveten?! Në fakt, sa herë që diskutohet për paqëndrueshmërinë e sistemit, për problematikat e sistemit, për zgjidhje të mundshme të sistemit, gjithmonë ka një karrige bosh, që është karrigia e Ministrisë së Arsimit. 

Një nga qendrat më serioze është Qëndresa Qytetare! Në fakt, marr pjesë, i dëgjoj dhe i lexoj raportet e saj, dhe gjithmonë pyes: po ana tjetër?! Është ajo karrigia bosh. Ju jeni karrigia bosh, sepse ju nuk pranoni të dëgjoni askënd që ka si bazë realitetin; askënd që ju bën një kritikë; askënd që ju vë përpara përgjegjësisë. Ju doni të dëgjoni vetëm drejtorët e shkollave, që i keni zgjedhur vetë; doni të dëgjoni vetëm ata punonjësit e ministrisë, që i keni zgjedhur po vetë dhe duket sikur jeni mirë, sepse, po të dëgjoni njëri-tjetrin, në fakt, jeni shumë mirë dhe nuk keni pse të shqetësoheni fare. Ndërkohë, këto të dhënat tregojnë se në 10 vjet ka një rënie prej 34% të numrit të nxënësve në shkollat publike, të cilët ose kanë ikur në shkollat private, ose kanë ikur jashtë, sepse shkollat publike nuk ofrojnë cilësi. Zero cilësi, pastaj dalin këto rezultate, për të cilat ju as nuk skuqeni, as nuk zverdheni, por thoni që jeni shumë mirë.  

Financimi i arsimit zë 2,3% të GDP-së, ndërkohë që keni premtuar që në vitin 2013 dhe më pas me Paktin e Universitetit, pra gjithë kohës, se do të na çonit të paktën 5%. Nuk e çoni, sepse keni prioritete të tjera, por unë nuk e di se çfarë mund të jetë më e rëndësishme sesa arsimi dhe kush mund të jetë më e rëndësishme sesa nxënësit apo mësuesit! Ja, ku janë të dhënat edhe për arsimin profesional, – arsimin profesional e keni lënë jetim, nuk merret vesh cila e ka, sepse njëherë në ca ndryshon ministria, tani e ka Ministria e Kulturës – ku ka një rënie 40%, që ishte kali juaj i betejës, profesionistët, por, nga viti 2018-2019,  – përsëri i kam marrë në qeverisjen tuaj – kur kishte 21 mijë e 289 nxënës, këtë vit shkollor janë 14 mijë e 373 nxënës. Pse? Sepse arsimin e ka braktisur shteti, ndaj e braktisin edhe qytetarët, pra e braktisët ju arsimin, e braktisin edhe ata, sepse ka një mungesë vizioni se ku doni ta çoni arsimin. Ju bëni reforma kuturu, të pakonsultuara me ekspertët; i ndryshoni nga sot nesër. Ju bëtë për një muaj ligjin për studentët e Mjekësisë, pa marrë vesh as sa ishte kostoja dhe nxorët kosto të ndryshme. Nuk ecet kështu me arsimin, sepse këto janë dëme të parikuperueshme dhe dëmtohen breza të tërë. Jo vetëm që nuk e garantoni dot, por e keni degraduar statusin e mësuesit. I keni shpërdoruar dhe i keni përvetësuar taksat e qytetarëve shqiptarë, duke mos i çuar tek arsimi. Keni bërë Strategjinë për Arsimin 2022-2027, por për asnjë nga parametrat, që ju keni vendosur vetë, nuk keni indikatorë të matshëm. Nuk jeni duke ecur fare në atë drejtim, që keni vendosur në strategji, ose thojeni që e keni ndryshuar strategjinë dhe hajdeni ta marrim parasysh çfarë do të vini.  

Ekspertët e huaj për arsimin thonë se Shqipëria për PISA-n e vitit 2025 rrezikon përkeqësimin e rezultateve të nxënësve, për shkak të dobësisë së kërkimit shkencor dhe të mungesës totale të mësimit digjital në arsimin parauniversitar. Pra, sistemi edukativ sot na tregon si do të jetë Shqipëria nesër, dhe me këtë që po bëni ju, Shqipëria nesër do të jetë në ditët e saj më të zeza. Profesionet në Shqipëri do të jenë në ditët e tyre më të zeza, por ju përsëri nuk e keni fare në refene. 

Kjo është përzgjedhja e maturantëve për programet e mësuesisë!  

(Paraqet foto.) 

Mjafton të shikoni grafikun! Ky është viti 2018-2019 dhe ky është viti aktual!  Gjuhë– Letërsi, Gjeografi, Histori, Biologji, Matematikë, Kimi dhe Fizikë po shfarosen. Nuk do të ketë më mësues, kur të dalin në pension këta që kanë mbaruar në një sistem tjetër. Ju nuk po përgatisni mësues të aftë për Shqipërinë, që brezat e ardhshëm të rrinë e të studiojnë këtu. Ju nuk po i çoni paratë tek arsimi, në këtë mënyrë do të investoni për ekonominë e viteve të ardhshme… Ermonela Felaj – Përfundojeni, ju lutem! 

Ina Zhupa – Po, e mbylla.  

…dhe për mirëqenien e shqiptarëve?! Kjo paaftësi drejtuese, në fakt, duhet të marrë përgjigjen e duhur në momentin e duhur. 

Faleminderit!  

PJESA 3

Këtë fjalimin, Ogerta, e dëgjova në vitin 2013, pra se çfarë do të bënit ju dhe cilat do të ishin arritjet për 12 vjetët e ardhshëm. Nuk i keni bërë, dhe nuk besoj se do të ndryshoni nga vetja juaj, pra, ashtu siç nuk keni bërë asgjë, asgjë do të vazhdoni të bëni në mënyrë të suksesshme. 

Si e lexojmë PISA-n?! Ja, siç është, nuk ka nevojë! Shikojeni si është grafiku dhe nuk ka nevojë fare ta lexosh. Për shembull, nuk ka nevojë të jesh kimist, siç jeni ju, që ta lexosh. Ja shikoje, e lexon kushdo këtë grafik në formë U-je, që tregon rënien e sistemit arsimor në të gjithë parametrat. Batutat i riciklove nga Taulant Balla. Bëhu më kreative, se e tha Taulanti atë mungesën e përgatitjes në interpelancë; gjej diçka tjetër! 

Mundohu të konsultohesh më shumë edhe me kolegët, sepse kanë më shumë kreativitet.  

Në fakt, ju në këtë përgjigje dhe në këto interpelanca, që bëmë këtu, treguat qartësisht që nuk ia keni idenë për arsimin; qartësisht që ju duhet kohë që ta kuptoni arsimin. Në fakt, shpresoj që koha t’ju mjaftojë, sepse deri në vitin 2025 e keni afatin e skadencës dhe të bëni diçka sadopak pozitive për arsimin, që në 12 vjet t’ju mbajmë mend ndonjë gjë, nëse doni të arrini ta bëni. Ajo që e dinë të gjithë shqiptarët, është katastrofa arsimore sot. E dinë që kjo katastrofë arsimore ka ardhur nga paaftësia e drejtuesve; ka ardhur nga kaosi reformues; ka ardhur nga infrastruktura mjerane; ka ardhur nga kurrikulat e çorientuara (mbajini mend tekstet me Google Translate dhe pastaj provimet e maturës, ku nuk merrej vesh se cila ishte pyetja dhe cila duhej të ishte përgjigjja); nga trajtimi diskriminues i mësuesve dhe nga mungesa e fondeve, të parave, që hidhen në drejtim të arsimit, në drejtim të mësuesve dhe të nxënësve dhe jo në drejtim të xhepave të atyre që e drejtojnë arsimin.  

Ju përmendët inaugurime! Inaugurime, po, ka një në disa, dhe i përdorni për të ricikluar. I keni inauguruar të njëjtat gjëra nga 3-4 herë dhe as nuk funksionojnë, si Shkolla Teknologjike që inauguruat te “Sami Frashëri”, më pas e shembët edhe “Sami Frashërin”; e bëtë përsëri, por janë para që hidhen poshtë. Ai që ngelet, në fakt, është realiteti, i cili është mjeran, siç është mjerane edhe qeveria juaj, siç ishin mjerane edhe përgjigjet tuaja sot dhe siç, në fakt, sot secili shqiptar ka një kosto të jashtëzakonshme për t’i shkolluar në mënyrë dinjitoze fëmijët e tij, që zgjedh ose t’i çojë në privat ose t’i dërgojë jashtë shtetit, sepse sistemi publik ka dështuar dhe kjo është meritë e padiskutueshme juaj dhe e kolegeve tuaja, që kanë qenë në atë pozicion para jush.