Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Në fakt, këtë interpelancë e kam kërkuar në shkurt të këtij viti, me pallto, dhe po e bëj në korrik të këtij viti, me mëngë të shkurtra; e them këtë për të kuptuar vullnetin e ministrit për t’u paraqitur në Kuvend dhe për të folur për UNESCO-n.
Gjithashtu, zoti Gonxhja, në shtator mbush 1 vit si ministër dhe nuk e ka shkelur derën e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, të paktën ta shikojë si komision, si duket salla, dhe të japë atë llogari që mendon se duhet të japë, në qoftë se e mendon.
E kam kërkuar këtë interpelancë për të dhënë shpjegime, se pse qeveria shqiptare, në mënyrë të vazhdueshme dhe kokëfortë, injoron të gjitha rekomandimet e UNESCO-së? Çfarë interesi ka shteti shqiptar që t’i hiqet pasuria nga mbrojtja apo që pasuria e tij e mbrojtur nga UNESCO-ja të shpallet në rrezik, siç rrezikon Ohri nga punimet në Drilon -Tushemisht, apo siç rrezikon Butrinti nga koncesioni që keni dhënë ju, si qeveri, paraardhësja juaj Margariti dhe paraardhësja e saj Kumbaro (dhe ja, po të sqaron Kumbaro).
Pse nuk shfrytëzoni të gjitha kapacitetet intelektuale, akademike të arkeologëve, historianëve, studiuesve shqiptarë? Nuk i pyesni për asgjë, por merrni të huaj, merrni koncesionarë, merrni njerëz pa eksperiencë, si ata që janë në bordin e menaxhimit të fondacionit të Butrintit, teksa vetë raporti i UNESCO-s thotë që bordi i drejtorëve nuk ia kishte idenë Butrintit, në raportin që ju, kur them ju, ministria juaj (se për një vit nuk i keni ju të gjitha fajet), e fshehët nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.
Zoti Gonxhja, a e quani ju zbatim të rekomandimeve të UNESCO-s, kur me lejet dhe me propozimet e Mirela Kumbaros dhe më pas të Elva Margaritit, kjo është gjendja e sotme e zonës tampon, zonës së mbrojtur në Butrint? Kjo është “pika e vogël” e Mirela Kumbaros për të cilën flitet në raportin e UNESCO-s. Ju keni qenë shef kabineti i ministrit të Kulturës Edi Rama dhe keni punuar që këtë zonë, ku sot kanë ndërtuar, ta vinit në mbrojtje, ta bënit pjesë të Parkut Kombëtar të Butrintit. Puna juaj është hedhur poshtë nga kjo zonja, Mirela Kumbaro. Ju sot, si ministër i Kulturës, do të vazhdoni këtë model që injoron UNESCO-n, këtë model që ndërton në zonat e mbrojtura, këtë model që fragmentarizon Butrintin, apo do t’i ktheheni Blendi Gonxhes, ish-shef kabineti i ministrit të Kulturës Edi Rama, që teksa ia keni marrë Akademisë së Shkencave, që e ka pasur në menaxhim Butrintin, i keni thënë që sipas Konventës së Parisit (unë kam shkresën nga arkivi) duhet ta ketë shteti shqiptar? Keni bërë shumë mirë atëherë. Ndërsa sot ia keni dhënë një koncesionari, që nuk ka njohuri, që ndjek interesin privat dhe nuk zbaton atë që thotë UNESCO-ja: mosfragmentarizimin dhe mbajtjen nën mbikëqyrje të të gjithë pasurisë si një e tërë.
Jo më larg se dje, me orën shqiptare sot në mëngjes, në Indi u miratuan në mënyrë unanime në sesionin e 46-t të Komitetit të Trashëgimisë Botërore edhe rekomandimet për Butrintin, pasi kishin kaluar ato për Ohrin, për Beratin, për Gjirokastrën, të gjitha me probleme; të gjitha unë do t’i sqaroj këtu, por një herë do të kërkoj shpjegime nga ju.
Pse dokumentet, raportet dhe rekomandimet e UNESCO-s nuk kthehen në dokumente pune për ministrinë? E quani normale që, pasi UNESCO-ja ka paguar 30 mijë dollarë nëpërmjet Fondit të Trashëgimisë Botërore që ju të bëni planet e menaxhimit të Gjirokastrës dhe Beratit, ju t’i ktheni përgjigje dhe t’i thoni që nuk e bëmë, sepse u ndryshua ministria, sepse nga Ministri e Kulturës u kthye në Ministri Ekonomie, Kulture e të tjera? Po pse, kështu do t’i lëmë ne rekomandimet e UNESCO-s? Ndoshta, në kongresin që ju keni të dielën ndërrohen prapë ministrat. Do të presim prapë një vit sa ministri i ri, që do t’i teket Ramës të vërë, të kuptojë se çfarë bëhet me ministrinë, që të zbatojmë rekomandimet e UNESCO-s? Kjo nuk është qasja që duhet të ketë qeveria dhe shteti shqiptar, aq më tepër kur bëhet fjalë për pasuri të mbrojtura botërore, për të cilat duhen ruajtur vlerat e jashtëzakonshme universale. Ju, zoti Gonxhja, pse nuk i përcaktoni kufijtë e Butrintit, siç i kërkon UNESCO-ja? Pse nuk jeni të gatshëm që t’i paraqisni UNESCO-s çfarë parashikoni për ndërtimet në Butrint, një qendër vizitorësh, që, në fakt, është një qendër tregtare që ka brenda dyqane, restorante, kinema dhe gjithfarë qejfesh të tjera, por që nuk ka lidhje fare më atë që është Butrinti? Në dëgjesën që bëtë para pak ditësh në Butrint, kishit kundërshtim nga të gjithë, nga ekspertët, nga guidat lokale, që shkatërrohet peizazhi i Butrintit. Nuk ka lidhje historia e Butrintit me historinë japoneze, me gjithë respektin për historinë japoneze, edhe si anëtare e grupit të miqësisë Shqipëri-Japoni. Pse, zoti Gonxhja, nuk ju bëri përshtypje që si ministër shkuat në takim pune me Elva Mragaritin, ishministre, sepse ajo vazhdonte ende të ishte anëtare e bordit të Butrintit, edhe pse kishte ikur si ministre, por vetëm pas një muaji, kur unë mora dokumentet nga gjykata dhe e denoncova publikisht, i bënë letrat për ta hequr nga bordi dhe e kanë vendosur në borde të tjera të AADF-së? Ju, si ministër, nuk duhet të kishit pranuar të uleshit me ish-ministren atje, e cila ishte anëtare e bordit dhe përfaqësonte shtetin shqiptar në koncesionin e Butrintit.
Pyetja e fundit: ju si ministër bashkë me zonjën Kumbaro, në foton tjetër, keni shkuar në Paris me individë privatë, keni shkuar me juristin e zyrës ligjore që ka bërë koncesionin e Butrintit, me Alban Shanajn, keni shkuar me Lorenc Bejkon, me atë që ne e kemi denoncuar. Çfarë funksionesh publike kanë këta njerëz që të përfaqësojnë shtetin shqiptar në Paris, në UNESCO, përveçse njohjes dhe bashkëpunimit me zonjën Mirela Kumbaro?
PJESA 2 :
Më erdhi shumë keq që ftova ministrin për rekomandimet e UNESCO-s dhe mban 10 minuta fjalim mbi portofolin e AADFsë. Do të zëvendësojmë UNESCO-n me AADFnë, kjo është qasja juaj? Pra, qasja juaj është të bëjmë interesin e AADF-së dhe të injorojmë rekomandimet e UNESCO-s? Unë nuk ftova këtu Martin Matën dhe Sandër Carapulin, ftova ministrin e Shqipërisë Blendi Gonxhja, për ta pyetur se si do të zbatoheshin rekomandimet e UNESCO-s. Fole 10 minuta vetëm për portofolin e AADF-së. Më tregove se kur ka ardhur AADFja unë kam qenë e vogël, po, është shumë e vërtetë. I kam studiuar ato letra; ka ardhur për sektorin privat AADF-ja. Nuk je antiamerikane në qoftë se mendon njësoj si amerikanët, që pasurinë e vet e mbrojnë vetë dhe e kanë vetë në menaxhim, shteti shqiptar me Agjencinë e Parqeve Kombëtare. Nuk është antiamerikan Joseph DioGuardi, një nga mbrojtësit më të mëdhenj të Shqipërisë, i cili e dënon këtë koncesion dhe ka nxjerrë dokumente se si AADFja nuk paguan taksat në vendin e vet dhe ka gjoba nga Delaware, lexojini, i ke publike. Do të duhet që edhe Drejtoria jonë e Tatimeve të merret me këtë çështje siç duhet.
Ju vini këtu dhe bëni avokatin e AADF-së, pa kthyer përgjigje për rekomandimet e UNESCO-s. Më vjen shumë keq, zoti Gonxhja! A e ndani ju të njëjtën qasje me AADF-në, se do ta bëni Butrintin si Davos-i? Sepse kjo është qasja e AADF-së, e thënë nga Martin Mata. Në qoftë se kjo është qasja juaj, na e thoni.
Mua sinqerisht më vjen keq dhe ndihem shumë keq kur një njeri, i cili e ka vënë në CV-në e vet kontributin për Butrintin, vjen këtu dhe mbron koncesionin, ndërtimin në Butrint. Shpresova se do të kishit një qasje të ndryshme nga zonja Margariti, por, në fakt, e kuptoj që keni pamundësi, sepse është qasja e zotit Rama dhe ju thjesht duhet ta ndiqni.
U çudite për ata që kishe me vete në Paris. Ata i kishe me vete në Paris, sepse t’i merr Mirela Kumbaro, që është kumbara e këtij koncesioni, që i ka lënë gati marrëveshjet me AADF-në.
Sigurisht, ti nuk mund t’i dish, por i ke postuar vetë në Instagramin tënd, është njeriu i fundit i ulur këtu, i katërti. Unë e di se e kam pasur në komision me Mirela Kumbaron, teksa vinte të mbronte një marrëveshje sekrete, ndaj e njoh, se nuk kisha si ta njihja ndryshe dhe si ta identifikoja. Më vjen shumë keq që ju mbroni idenë se është e mira e Butrintit filozofia e Kumbaros: ja makinat që parkohen në qytetin antik.., sepse Butrinti është bërë han pa porta, në rrënojat antike që duhen mbrojtur. Pse? Sepse vendi ku duhet të ishin rojet e Butrintit, u kthye në kafene nga Mirela Kumbaro dhe ju vazhdoni me filozofinë e Mirela Kumbaros.
Ju thoni se ka shumë përmirësim nga fondacioni koncesionar. Dje në darkë hyra te bmf.al, që është fondacioni për menaxhimin e Butrintit. Mund t’jua vë në dispozicion, hyni të gjithë, kush mundet të hyjë me celular! Të dhënat e Butrintit dalin kështu: 404 page not found. A e dini se çfarë kanë për Butrintin ata? Kanë 3 direktori: karriera, ku janë vendet e punësimit, tendera dhe kontakt. Pra, kështu duam ta menaxhojmë ne trashëgiminë tonë kulturore?! Asgjë mbi vlerat e jashtëzakonshme universale, që kërkon UNESCO? Asgjë mbi konservimin? Asgjë?! Tendera, karriera, ky është fondacioni. Ftoj gazetarët, deputetët, kolegët të hyjnë tani dhe ta shikojnë, nëse nuk është kështu! Këto janë për të ardhur keq, se Butrinti nuk është as yni, as juaji, as yni këtu, se ne do të vdesim dhe Butrinti do të vazhdojë. Po a do të vazhdojë Butrinti me vlera të jashtëzakonshme universale, apo do të vazhdojë me kinezërira dhe me dyqane suveniresh, teksa u heqin punën edhe banorëve të zonës?!
Gjithashtu, sa i përket dëgjesës, unë erdha te dëgjesa e Bylisit, sepse mendova se kishte ende kohë për ta shpëtuar Bylisin. Kur mendoj që ende ka kohë, patjetër vij dhe e dëgjoj. Më pëlqeu edhe qasja e 2 zëvendësministrave, por të shikojmë tani nëse do ta mbajnë fjalën. Nuk erdha te qendra e vizitorëve, sepse ju me atë keni kryer punë. Për çfarë të vij, për fasadë?! Ju ia keni dhënë atij që do ta marrë, ia keni thënë se ku do ta bëjë, keni mbaruar punë me projektin dhe tani bëni dëgjesë. Po nuk ia vlen kjo, sepse nuk do të bëhemi pjesë e fasadës, për të thënë që ju po pyesni, pasi keni kryer punë.
Sa i përket Butrintit, thatë që nuk thuhet në raport. Në raport thuhet qartësisht dhe po jua them edhe me faqe. Raportin e UNESCO-s, të cilin ju e fshehët dhe nuk e keni publikuar, ju garantoj se do ta publikoj unë në faqen time, meqenëse shteti shqiptar e ka ndaluar UNESCO-n ta publikojë dhe ju vetë nuk e publikoni. Në mënyrë të përmbledhur shprehin: parcelizimi i pasurisë së trashëgimisë botërore dhe nevoja që Ministria e Kulturës ta mbajë në mbikëqyrje të gjithë pasurinë dhe jo pjesë të saj, faqja 9 dhe faqja 107; modifikimet e kufijve të pasurisë dhe dobësimi i funksionit të zonës baferike, faqja 69; mungesa e arsyeve për të mos marrë në konsideratë menaxhimin e të gjithë pasurisë nga një autoritet i vetëm, faqet 32 dhe 33; mungesa e garancive për zbatimin e një plani të integruar menaxhimi, faqja 8; vulnerabiliteti i vlerave të jashtëzakonshme universale, mungesa e menaxhimit të fokusuar në terren dhe mostrajtimi i çështjeve urgjente të konservimit, përfshirë paqartësinë e bordit të drejtorëve (pra dy CEO-ve të AADF-së bashkë me 2 privatë të tjerë) për kërkesat për menaxhimin dhe mbrojtjen në kontekstin e trashëgimisë botërore, faqet 37 dhe 39; nevoja për një ekip menaxhimi të integruar të natyrës dhe kulturës, që të punojë në nivel vendor për të mbikëqyrur të gjitha aspektet e menaxhimit të zonës dhe të mbrojtjes së vlerave të jashtëzakonshme universale të pasurisë, faqja 107; një mekanizëm për bashkëpunimin dhe ndarjen e informacionit dhe planifikimin e menaxhimit në terren, faqja 57. Jua lexova dhe mund t’ju lexoj edhe pjesët e tjera, sepse vetëm mua nuk mund të ma thoni këtë. Mund të gënjeni stafin tuaj, se i keni marrë të rinj dhe ndoshta nuk e dinë, por jo neve që merremi me trashëgiminë kulturore dhe na dhimbset trashëgimia kulturore.
Sa i përket Ohrit, nuk është fare rastësi që është i njëjti koncesionar. 7 nga 15 projektet në Drilon, Tushemisht, i bën AADF-ja. E lexuat projektvendimin? E lexuat atë të sesionit 45 në Riad? Vazhdon të mëshojë më shumë sesioni 46 në Indi, dhe e thotë qartësisht.
Nuk dua të ndalem vetëm te Butrinti, që të mos kuptohet sikur ju jeni shumë mirë me të gjitha të tjerat dhe jeni keq vetëm te Butrinti.
Për Ohrin flet qartësisht. UNESCO vlerëson se nevojat urgjente të ruajtjes së Ohrit kërkojnë mobilizim të gjerë për të ruajtur vlerat universale dhe brenda datës 1 shkurt 2025 duhet një raport i përbashkët i palës maqedonase dhe palës shqiptare për ruajtjen dhe zbatimin e misionit të UNESCO-s. Shikoni se çfarë thotë! Lidhet drejtpërdrejt me ndërtimet, me parkingjet nëntokësore, me atë që po ndodh në Drilon, Tushemisht. Rithekson kërkesën për Shqipërinë për të hequr zyrtarisht, zoti Gonxhja, (e nënvizoj) nga parashikimet e planit të përgjithshëm vendor të Pogradecit mundësinë e zhvillimit urban në zonat përgjatë bregut të liqenit, midis Pogradecit e Tushemishtit dhe në Lin. UNESCO kërkon, zoti Gonxhja, që nga masterplani i parkut ujor të burimit të Drilonit të hiqet, zoti Gonxhja, parashikimi i ndërtimit të një godine në majë të kodrës pranë Drilonit dhe çdo infrastrukturë rreth saj. Kush i bën këto? AADF-ja, me bekimin tuaj, ajo që ju e mburrët këtu 10 minuta. Shkoi dhe Kryeministri atje dhe u tha: Vazhdoni, shumë bukur, bëjeni Drilonin si resort, sikur bota nuk ka me mijëra resorte. Driloni duhet të ruhet për vlerat e jashtëzakonshme universale. Pyetja ime është: ju do ta dëgjoni UNESCO-n? Do të bëni këtë që thotë UNESCO, apo do të bëni atë që thotë AADF-ja, që është shumë e bukur? Granofi thotë që të mësojë UNESCO nga ata! Tani as unë nuk e di! Vini edhe ju këtu dhe thoni të njëjtat fjalë, sikur nuk e merrni pagesën nga taksat e qytetarëve shqiptarë, sikur nuk jeni aty për të ndjekur interesin publik, por sikur e merrni pagesën nga fondet e AADF-së dhe jeni për të ndjekur interesat e AADF-së.
Edhe takimin e parë shkuat dhe e bëtë në zyrat e AADF-së dhe aty u kuptua qasja. Nuk i thirrët ju ata në zyrat tuaja, por shkoi ministri në zyrat e AADF-së, sikur të ishin ata shefat tuaj. Këtu tregohet edhe qasja. Ju paguheni me taksat tona, ju jeni ministri i shqiptarëve për kulturën, pavarësisht se jeni ministri i Ramës. Minimalisht, tregoni një qasje institucionale, le të vijnë ata në zyrën tuaj, edhe pse zyrat e tyre mund të kenë kushte më të mira se zyrat tuaja!
UNESCO kërkon urgjentisht që Shqipëria të përgatisë vlerësimin strategjik mjedisor për të gjitha planet infrastrukturore. Pra, këto janë kërkesa eksplicite të UNESCO-s për Ohrin. Sigurisht, ju nuk na thatë asnjë gjë, sepse u mjaftuat të bënit CV-në e AADF-së këtu, sikur unë ju kisha ftuar në interpelancë për të mësuar se çfarë ka bërë AADF-ja dhe çfarë ka marrë AADFja. Pafund ka marrë AADF-ja! Piramidën e Tiranës, që është gjithë kafene dhe restorante, AADF-ja e ka marrë; Butrintin AADF-ja; Pazarin në Gjirokastër AADF-ja. T’i them edhe unë këto, por këto nuk janë arritje të qeverisë shqiptare me të cilat duhet të mburret ministri. E keni gabim konceptin.
Nga ana tjetër, përveç Ohrit, kemi edhe Beratin e Gjirokastrën. Iku Mirela Kumbaro, se e pa që po i vinte radha. Ikën gjithmonë, ngaqë kujton se shpëton duke ikur. Në raportin e Shqipërisë në shkurt të këtij viti, të dorëzuar në UNESCO, thuhet se ajo nuk kishte arritur të përfundonte planin e menaxhimit për Beratin dhe Gjirokastrën, pasi grupi që punonte për dokumentin u zhvendos nga Ministria e Kulturës në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, pra në ministrinë tjetër, dhe meqë këta zhvendosën zyrat, nuk e bënë dot planin e menaxhimit. Tani, kuptojeni eficiencën dhe seriozitetin e organeve shtetërore ndaj kërkesave të UNESCO-s!
UNESCO ka financuar autoritetet shqiptare, unë e përmenda, për planin e menaxhimit të Beratit dhe të Gjirokastrës me rreth 30 mijë dollarë. Ju nesër do të thoni që nuk i doni këto para të UNESCO-s, se keni AADF-në, na bën një plan menaxhimi AADF-ja me koncesion për kalanë e Gjirokastrës, bën edhe ca kafe aty, se i kam parë dhe ca rendera, dhe jeni më rehat sesa t’ i marrim këto 30 mijë dollarë të UNESCO-s dhe ta mbajë shteti shqiptar Gjirokastrën, kur mund t’ia japim AADF-së në portofolin e vet, që sigurisht nuk ka fitim të shkruar në bilancet e veta, sepse edhe nuk ia shikojmë dot bilancet, se është OJF, por ka fitim të jashtëzakonshëm në prestigjin e vet, në portofolin e vet, në atë që përfaqëson edhe në lobimin ndërkombëtar që ju duhet juve aq shumë.
Këto nuk janë fjalët e mia, unë jam munduar të nxjerr të gjitha rekomandimet, për të mos thënë qëndrimin tim në këtë interpelancë, sepse qëndrimi im është 100% në përputhje me UNESCO-n dhe, nëse UNESCO do të kishte thënë që Butrinti është shumë mirë të jepet me koncesion, unë do të isha e para që do ta kisha votuar dhe do të kisha thënë “bravo”, por nuk mund të jeni ju më të mirë, më të zgjuar, më eficientë sesa UNESCO dhe modelet botërore. Të vijë Këshilli i Ministrave në Gjykatën
Kushtetuese, t’i përgjigjet pyetjes së gjyqtares relatore Sonila Bejtja, se cilin model keni marrë ju për Butrintin dhe të thotë: jo, ne nuk kemi ndonjë model ndërkombëtar, por kemi modelin që na e jep ligji që kemi bërë vetë nr. 27/2018 me paratë e AADF-së. AADF-ja ka paguar 100 mijë dollarë që ta bënte atë ligj, që pastaj ta merrte vetë Butrintin.
Për t’u rikthyer te Gjirokastra, sepse dua apo nuk dua dal përsëri te Butrinti, se më dhemb, UNESCO vëren me keqardhje përfundimin e ndërtimit të rrugës së bajpasit të Gjirokastrës pa zbatuar kërkesat e UNESCO-s dhe i kërkon Shqipërisë të kryejë urgjentisht një vlerësim të plotë dhe të pavarur të projektit në trashëgiminë e Gjirokastrës dhe ta dorëzojë atë në Qendrën e Trashëgimisë Botërore. Ku është kjo deputetja e Gjirokastrës, ministrja e shkatërrimit, ministrja e ndërtimit?
(Bie gongu)
Ja se çfarë i kanë bërë Gjirokastrës! Edhe Gjirokastrën duan ta përçudnojnë me ndërtimet pa kriter, ashtu si edhe Beratin.
Kështu që, zoti Gonxhja, në fund të sekondave të mia, më erdhi shumë keq që në 20 minuta nuk munde dot të na thoshe një rekomandim të UNESCO-s që ju e plotësoni dhe, kur UNESCO thotë të mos e fragmentarizoni dhe ju keni dhënë me koncesion A3-shin te koncesionari, çfarë ju duket juve, se po zbatoni rekomandimet e UNESCO-s, që vetëm një zonë e keni dhënë me koncesion dhe të tjerat i keni lënë më vete?
(Bie gongu)
Kur ju thotë “ruajeni peizazhin historik” dhe ju ndërtoni një qendër me stil japonez, ju duket se po ruani UNESCO-n? Kur ju thotë të mos ndërtoni zona tampon dhe bëni fshatra turistikë që bëjnë dhe reklamë zonat e mbrojtura, ju duket se po zbatoni UNESCO-n?
Me këtë, edhe në respekt të kolegëve, edhe në respekt të kohës, dua ta mbyll, zoti Gonxhja, dhe uroj që në punën tuaj si ministër, të mos ndiheni më shumë administrator i AADF-së sesa ministër i Kulturës!
PJESA 3:
Zoti Gonxhja, kjo është adresa.
(Deputetja Zhupa akseson një website.)
E bëjmë bashkë live? Hyjmë te “vizioni” (për modelin e menaxhimit të Butrintit), klikojmë
“Mëso më shumë” dhe ja ku e keni!
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Ja, ja, hyr, kliko te “vizioni”!
Unë nuk thashë që nuk punon web-i, por që nuk ka “vizionin”, për vlerat universale. Dhe thashë ka vetëm “tendera” dhe “karrierën”. Më dëgjo kur flas!
E dyta, për makinën, për mua nuk ka rëndësi nëse është e Çondit apo e Mondit. Për mua ka rëndësi që parkohen në rrënojat e qytetit antik të Butrintit, që duhen mbrojtur, dhe dëmtojnë…
Jo se e futi për këtë, se nesër e fut Rama, por makinat e zyrtarëve i keni futur edhe kur ka pasur një shfaqje në Butrint. Dhe nuk është kjo qasja që kërkojmë për Butrintin, as për trashëgiminë sot. Nesër Çondi, pasnesër tjetri.
A na duhen fondacionet që të na ndihmojnë? Patjetër.
Lordi, që ju përmendët, nuk e ka kërkuar kurrë në menaxhim Butrintin, ama ka dhënë para pa fund për Butrintin.
Si Lordi Rothschild, si Sainsbury, të kërkuan ndonjëherë mbrapsht menaxhim të Butrintit? Se ke qenë edhe shef kabineti. Apo dhanë donacion?
Ai është donacioni, pra, kur jep dhe jo kur merr më shumë sesa jep; merr një pasuri publike!
Për sa i përket prapë Fondit, se, ta thashë, bën administratorin e Fondit më shumë se ministrin, është ndryshe Fondi i Sipërmarrjeve, që ka qenë AEF-ja, dhe është ndryshe AADF-ja.
(Ndërhyrje pa mikrofon)
E pra, janë dy gjëra të ndryshme. Dhe Kongresi Amerikan e ka miratuar Fondin e Sipërmarrjeve për të ndihmuar sektorin privat në Shqipëri.
Ju duket sektor privat juve Butrinti? Ndërsa AADF-ja e ka ndryshuar qasjen e saj dhe i ka futur të dyja duart në pasurinë publike shqiptare dhe jo për të dhënë, por për të marrë më shumë sesa jepet.
Për sa i përket UNESCO-s, ja ku është i fundit, nuk ka asnjë përgëzim për ju.
Projektvendimi u bë vendim dhe, sigurisht, thotë:
“Është për të ardhur keq që ky proces (pra, procesi i ndarjes) mund të rezultojë në një mjedis menaxhimi të fragmentuar, pasi seksionet A3 nuk mbulojnë të gjithë pronën dhe kjo duhet të shmanget me çdo kusht…” dhe e ngre me të madhe se “në janar të vitit 2022 u hoqën 60 hektarë nga Parku Kombëtar për t’u ndërtuar komplekse rezidenciale”. Ndaj, ju kërkon edhe kufijtë.
Ju thoni: më përgëzon.
Po për çfarë të përgëzon, që i ke bërë rezidenca pikën e vogël të Mirela Kumbaros? Për çfarë të përgëzon, që ke fragmentarizuar dhe ke ndarë zonën A3 nga e gjithë zona tjetër e parkut?
Ai thotë të kundërtën, ti e merr për përgëzim.
Dhe mua më vjen keq, se, kur e merr për përgëzim, do të thotë që as do e reflektosh…
(Bie gongu.)
…për ta ndrequr, se do ta marrësh “je në rrugën e duhur për të dhënë me koncesione”. Dhe, sigurisht, nuk më ktheve asnjë përgjigje as për Ohrin, as për Beratin, as për Gjirokastrën, as për Butrintin në fakt, se bëre vetëm portofolin e AADF-së, ndërkohë që atë mund ta merrja vesh vetë duke klikuar te web-i i AADF-së.
Dhe këtu si ministër i Kulturës, unë ju kërkoj vetëm kaq, në fund të interpelancës: interesi juaj duhet të jetë mbrojtja në UNESCO për trashëgiminë tonë botërore. Interesi juaj duhet të jetë si të shtohen vende në trashëgiminë botërore, ku njëri rast mund të jetë Bylisi, për të cilin mund të mbajmë një interpelancë më vete për planin e menaxhimit, dhe jo sesi të hiqni Ohrin apo Butrintin duke bërë këtë qasje, ku malli tregtar është Butrinti, ku malli koncesionar është DrilonTushemishti…
Lindita Nikolla – Mbaroi koha, morët edhe kohën shtesë.
Ina Zhupa – Mbarova, zonja Kryetare!
Kjo pasuri kombëtare duhet të jetë pasuri që ne t’ua lëmë trashëgim fëmijëve tanë, brezave të ardhshëm, sepse janë më të rëndësishëm se unë dhe ti.
Shumë faleminderit!