Interpelancë në Kuvend me Ministren e Arsimit znj. Kumbaro për çeshtjen e liçensimit të mësuesve/ 23 prill 2026

Në fakt, është një interpelancë realisht urgjente, sepse bëhet fjalë për 2 000 mësues që janë në sistemin arsimor shqiptar.  Me shumë problemet që ka arsimi sot, një ministre e përgjegjshme do të mendonte se çfarë do të bënte për të zgjidhur ndonjë nga problemet që ka gjetur në atë dikaster, përkundrazi, këta mendojnë se si mund t’i shtojnë problemet dhe hallet e mësuesve me udhëzimet e vetë ministrisë. Me udhëzimin nr. 12 të datës 24.2.2025, pasi ke 15 vjet që je mësues, pasi ke dhënë kontribut në sistemin arsimor dhe ke kaluar fazat nga “Mësues i kualifikuar” në “Mësues specialist”, kur ti duhet të marrësh kualifikimin për “Mësues mjeshtër”, këta kujtohen dhe të thonë: bëhu edhe një herë student dhe shko jep provimin e licensës! 

Pra, mësuesit që kanë 15 vjet në sistem dhe kanë mbaruar para sistemit të Bolonjës, për të marrë kualifikimin si “Mësues mjeshtër”, i detyrojnë të futen edhe një herë në provimin e licensës. A ka logjikë kjo?! 

Të nderuar qytetarë, po ju jap një skemë shumë të thjeshtë, që ta kuptoni se çfarë u bëjnë mësuesve: je student, mbaron shkollën dhe futesh të bësh licensën; pasi bën licensën, për 3 vjet ke të drejtë të kualifikohesh “Mësues i kualifikuar”, pas 6 vjetësh ke të drejtë të kualifikohesh “Mësues specialist” dhe pas 15 vjetësh ke të drejtë të kualifikohesh “Mësues mjeshtër”. Këta që janë këtu për “Mësues mjeshtër”, janë rreth moshës 40 apo 45-vjeçare dhe kanë rreth 15 vjet karrierë. Kur vijnë këtu për t’u bërë “Mësues mjeshtër”, këta u thonë: nga këtu, e di ç’ke ti, shko prapë këtu, jep një licensë, jep një provim përsëri, se je i pakualifikuar për të qenë mësues, kur këta jo vetëm janë mësues, por një pjesë e tyre kanë bërë edhe këtë Shkollën e famshme të Drejtorëve, janë edhe drejtorë, por u duhet të japin prapë licensën për të qenë mësues! Me këtë logjikë, i bie që, edhe këta, që qenkan nxënësit e këtyre dhe kanë mbaruar shkollën me mësues të palicensuar, t’i kthejmë edhe një herë dhe t’u bëjmë provimet, sepse e kanë marrë me mësues të palicensuar dhe pale çfarë ka ndodhur! Këto janë absurditete. 

Është njësoj sikur neve këtu, të nderuar kolegë, se besoj se shumica prej nesh i kemi mbaruar shkollat pa Maturën Shtetërore (pasi Matura Shtetërore është futur shumë më vonë dhe duhet të jesh më i vogël), për t’u kualifikuar për titullin “Profesor i Asociuar”, të na thonë: ti nuk ke bërë Maturën Shtetërore, kështu që kthehu edhe një herë dhe bëj Maturën Shtetërore (zonja Kumbaro dhe unë, të dyja bashkë, meqenëse të dyja nuk e kemi bërë Maturën Shtetërore), se tani ligji e ka: të bëjë Maturën Shtetërore! Këto janë absurditete, të cilat ju i bëni me qëllim, duke ngatërruar qëllimisht kriteret e punësimit me kriteret e kualifikimit. 

Sot kriteret e punësimit për t’u bërë mësues e kanë të detyrueshme licensën, ndërsa në kohën kur këta mësues janë punësuar nuk ka qenë e detyrueshme licensa; kanë marrë një diplomë, e cila e kishte vetvetiu titullin “Mësues” dhe, pasi u fut sistemi i Bolonjës, nuk e kishte më titullin “Mësues”, por e kishte: mbaruar për mësuesi.  

Pra, kur janë punësuar, nuk ka qenë e nevojshme për ta pasur licensën, sepse licensa është kriter punësimi, ndërsa sa i përket kriterit të kualifikimit, ligji e ka të përcaktuar se çfarë përmban dosja dhe si janë kualifikuar ata nga një stad, zonja Kumbaro, te stadi i tjetër, pa qenë të licensuar, sepse ata janë kualifikuar; kanë kaluar “Mësues i kualifikuar”, “Mësues specialist” pa u licensuar. Erdhe ti tani dhe shpike rrotën, që këta duhet të jenë të licensuar, se kështu ta lexojnë ata juristët e paaftë që ke në ministri, apo ato drejtoreshat që ke në ministri, të cilat i ke në kërkim dhe me arrest shtëpie, apo çfarë e ke atë Arta Dollanin atje, që e merr ministri më ministri dhe të bëjnë këto lloj udhëzimesh?! 

Kjo është totalisht shembje e sistemit juridik, është ta shkatërrosh një mësues nga siguria juridike, sepse nesër ne, si Kuvend, miratojmë një ligj dhe u themi: përveç licensës, do të bëni edhe një garë me pengesa 500 metra, të cilën do të duhet ta fitojnë para se të kualifikohen! Por këtë garën, nëse ju e miratoni, 500 metra me pengesa, do ta bëjnë ata që futen për herë të parë në sistem, nuk mund ta bëjnë ata që janë në sistem. Ju prishni atë që është siguria e vendit të punës, e drejtë e fituar, e cila nuk mund të tjetërsohet, si dhe sigurinë juridike të mësuesve, se nuk janë pak, por 2000 mësues.  

Imagjinoni, të dashur kolegë, që këta 2000 mësues jo vetëm që kanë stresin se duhet të mësojnë dhe t’u kthehen edhe një herë gjërave nga të cilat janë shkëputur qëkur ishin studentë, por do t’u duhet të paguajnë edhe 100 mijë lekë për aplikimin. Sot në kemi edhe një pikë tjetër në rendin e ditës, në të cilën thuhet se Qendrën e Shërbimeve Arsimore, që jep licensimin për mësuesit, ta marrë privati. Llogariteni pak: 2000 mësues me nga 100 mijë lekë, bëhen 200 milionë lekë, të cilat janë vetëm nga ky detyrim që vendos zonja Kumbaro për t’i dërguar paratë te një privat, se këtu është bërë skemë: njëra dorë lan tjetrën, të dyja pasurohen…  

(Bie gongu.) 

…edhe zonja këtu, edhe klientët e saj, AADF-ja, për të cilën do të flas në ligjin tjetër. Nuk mund të bësh udhëzime për interesa privatë, nuk mund të bësh udhëzime për të prishur të drejtën e fituar nga mësuesit, të cilët janë duke dhënë mësim, kanë 15 vjet në sistem dhe nuk mund t’i trajtosh si studentë. Të ngatërrosh kriteret e punësimit me kriteret e kualifikimit do të thotë dashakeqësi, në rastin më të mirë; në rastin më të keq, një marrëveshje okulte për t’u pasuruar në kurriz të mësuesve dhe për të vendosur një standard për t’i tmerruar mësuesit shqiptarë, për t’i bërë ata që të ikin nga sistemi nga sytë këmbët.  

PJESA 2:

E dëgjova me vëmendje ministren.  

E para, një ministre e përgjegjshme, meqenëse kundërshton shifrën që dhashë, pra rreth 2000 mësues, le të na thotë se sa mësues janë. 

Pra, filloje duke bërë transparencë: na thuaj, sa mësues preken nga kjo skemë? Meqenëse kundërshton, duhet të sjellësh fakte, por kundërshton thjesht për hir të kundërshtimit.  

Zonja Kumbaro, ligjin ose ta kanë interpretuar keq, ose as vetë nuk e kupton. Më lejo të ta sqaroj. Neni 57, zonja Kumbaro, i ligjit për arsimin parauniversitar, ka hyrë në fuqi jo në vitin kur ka hyrë ligji, por është ndryshuar dhe është ligj më vete, ligji nr. 48, datë 23.7.2018. Pra, kjo pikë është ndryshuar në vitin 2018. Ata mësues, nga viti 2011 deri në vitin 2018, janë marrë përsëri në sistem pa pasur këtë detyrim që ka neni 57. Kur ti numëron dhe thua se para vitit 2011, harron që ata këtë nen e kanë pas vitit 2018 dhe jo në vitin 2011, as në vitin 2012.  Zonja Kumbaro, merrni një jurist atje, mos i merrni të gjithë patronazhistë, mos i merrni të gjithë të korruptuar. KLSH-ja ka bërë katër raporte për shkarkim dhe për ndjekje penale për sekretarin e Përgjithshëm, por ti vazhdon e mban akoma në detyrë. Mos e mbaj Arta Dollanin, që është e kërkuar nga drejtësia, drejtore kudo që ti shkon. Merr një jurist! Mbaji 30 patronazhistë, por merr edhe një jurist që të ta lexojë se ndryshimi i vitit 2018 nuk mund të prekë ata që janë marrë në sistem përpara këtij viti. Kaq e thjeshtë është. 

Ligji ynë, që ti citon, ashtu është, është shumë i saktë dhe korrekt, dhe ta thotë në nenin 9, zonja ministre. Lexoje ligjin! Ligji i mbron mësuesit, kurse ti i shkatërron. Ligji thotë: “Përjashtohet nga detyrimi për të dhënë provimin e shtetit: 

4/a. Profesionisti që në çastin e hyrjes në fuqi të këtij ligji e ushtron profesionin e rregulluar”. Pra, mësuesit që janë duke e ushtruar profesionin e rregulluar, përjashtohen.  

Çfarë ka këtu për ta kuptuar? Edhe studentët e vitit të tretë juridik e kuptojnë. Janë të përjashtuar. Si mund të futet përsëri në provim dikush që ka 15 vjet eksperiencë si mësues dhe ka kaluar dy palë kualifikimesh? 

Për të mos përmendur pastaj atë që thatë ju, që ata e kanë me qejf. Ata kanë qejf të futen në provim, thotë. Domethënë, kjo ishte perla e perlave. Pra, ata kanë qejf të paguajnë 100 mijë lekë, të shkojnë të japin testim për hobi. Vetëm ti mund ta thuash këtë. Ndërkohë, mësuesit jo që s’kanë qejf, por është stres shumë i madh, është ulje e dinjitetit të tyre, është ulje e profesionalizmit të tyre. 

Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shqiptar të ka sjellë shkresë në emër të mësuesve, të ka bërë kërkesë edhe për shifrat. Mësuesit, me qendrat që i përfaqësojnë dhe me sindikatat që i përfaqësojnë, janë në gjykatë administrative për të kërkuar heqjen e këtij udhëzimi, kurse ti thua që mësuesit kanë qejf të bëjnë provimin e licencës njëlloj si studentët, ndërkohë që kanë 15 vjet në sistem. 

Është situatë jo absurde, por situatë që vetëm ju mund ta mbroni. Në vend që të vini këtu dhe të thoni se ai udhëzim do të korrigjohet, kemi marrë shqetësimin e mësuesve dhe do ta korrigjojmë bashkërisht, dhe unë jam e gatshme të mos e bëj interpelancën, mjafton që ti të ndryshoje udhëzimin dhe t’u jepje të drejtën mësuesve … 

Po çfarë do të bëjmë ne, zonja ministre? Do ta bëjmë si puna e kategorisë? Do t’i lëmë ata një vit e gjysmë pa rrogë, të enden sa andej-këtej, dhe pastaj do të kujtoheni ju t’ua bëni dhuratë për 7Marsin e ardhshëm? Kështu do ta bëjmë? Edhe këtë herë ju do t’i lini të futen nëpër provime, të skualifikohen, të harxhojnë paratë, të bëhet çështje e madhe, dhe për 7-Marsin e 2027s, meqë është dhe fushatë, do t’ua hiqni detyrimin për licencë? Kështu bëhen politikat, zonja Kumbaro? 

Çfarë e mire i vjen sistemit arsimor kur ti godet mësuesin me më eksperiencë? Çfarë e mire i vjen sistemit arsimor kur mësuesi, pasi ka marrë dy kualifikime, pa detyrim për licencë … 

Zonja Kumbaro, vetëm kaq më shpjego dhe shpjegojua shqiptarëve: Nëse detyrimi për licencë është sa herë kualifikohet, si janë kualifikuar në dy kategoritë e para pa licencë dhe tek e treta qenka detyrim? Është edhe logjikë. Ata kanë kaluar dy lloj kualifikimesh, i kanë kaluar këto hapa të skemës, kanë kaluar mësues të kualifikuar pa licencë. Në qoftë se e ka ligji, kush i ka kaluar këta? Se ju qenkeni për në burg. Në qoftë se ju i keni kaluar dhe e ka pasur ligji, atëherë të çohen në burg të gjithë ata që i kanë kaluar. 

Si kaluan këta nga mësues i kualifikuar në mësues specialist, se ti thua që ligji është që në 2011-n, ndërkohë që ne jemi në 2026-n dhe nga viti 2011 deri në vitin 2026 i kanë marrë këta tituj.  

Unë do të sjell rast konkret. E mora me vete vetëm që të të sjell fakte, se janë në gjykatë. Të shkojë mësuesi në gjykatë për të drejtën e vet për kualifikim do të thotë të jesh totalisht antikombëtar, se arsimi është të jesh kombëtar, zonjë. Në qoftë se ti do që të jesh atdhetare, duhet të punosh tek arsimi, duhet të mbrosh mësuesin, duhet t’i japësh mësuesit më shumë të drejta, duhet të bësh ligje me porosi për t’i dhënë të drejta mësuesit, jo ligje me porosi për t’i dhënë lekë dhe shërbime shtetërore AADF-së; siç e bëre te kultura, e bën Edhe këtu. Pra, të bësh ligje me porosi që mësuesit t’i rritësh rrogën, t’i lehtësosh rrugën e kualifikimit, t’i japësh pension suplementar, ta bësh mësuesin mbret të sistemit, por jo, ti s’do që ta lësh as të kualifikohet.  

U skualifikuan mësuesit në qarkun e Vlorës, ndaj nisi problematika. U publikua lista e skualifikimeve dhe pasi e publikova unë, bëtë edhe tjetrën pastaj: i skualifikonit, por nuk e botonit më listën, që mos merrej vesh batërdia që po ndodhte në sistemin arsimor shqiptar.  

Këtu kam dosjen e kualifikimit të Entela Hoxhës, mësuese pranë gjimnazit “Leonik Tomeo” në Durrës. Po ashtu, kam edhe ankimimin e saj. Po ta sjell me emër. Po deshe ti, unë t’i sjell të gjithë me emër, por puna është se të gjithë kanë të njëjtin hall dhe mirë është që ti ta rregullosh për të gjithë njëherë e mirë dhe jo individualisht. 

Zonja është diplomuar në vitin 2008 në Universitetin e Tiranës për psikologji dhe ka marrë titullin “Psikolog”. Është punësuar në mësimdhënie siç e lejonte ligji, se ka qenë ligji i vitit ‘95 në fuqi; më pas u ndryshua ligji në vitin 2018, neni 57, që citoni edhe ju, dhe para hyrjes në fuqi, në vitin 2014, zonja Entela ka bërë edhe master shkencor në mësuesi. Organi i emërtesës e ka quajtur të vlefshme dhe ajo jep mësim. Është kualifikuar për mësues specialist, mësues i kualifikuar dhe tani kishte dosjen për t’u bërë mësues mjeshtër, kurse ju tani e skualifikoni, pavarësisht se ka bërë edhe master shkencor, dhe i thoni: jo, sepse ti s’ke bërë provimin e licencës. Ku qëndron logjika këtu?  

Zonja Kumbaro, a e dini ju që për çdo kualifikim ka një inspektorat? Quhet Inspektorati Shtetëror i Arsimit, i cili funksionon me VKM-në nr. 352, datë 03.04.2013, që ka këtë detyrë: është përgjegjës për inspektimin e zbatimit të kërkesave ligjore në fushën e arsimit parauniversitar dhe arsimit të lartë. 

Ky inspektorat ka kryer inspektim për dosjet e mësuesve kudo, te ky gjimnaz, por edhe në të gjithë gjimnazet e tjerë, dhe nuk ka gjetur ndonjëherë … Më thoni ju mua nëse inspektorati ka gjetur ndonjëherë që kualifikimet e mësuesve nga një kategori në tjetrën kanë qenë të kundërligjshme, se s’kanë pasur licencën? Në qoftë se kishte qenë kriter ligjor, ky kriter ligjor do të ishte zbatuar njëherë kur u punësuan. 

E zëmë se nuk u zbatua kur u punësua, se ishin të paaftë apo të korruptuar ata. Kaluan filtrin e dytë, kaluan filtrin e kualifikimit të parë, dhe përsëri u kualifikuan. Kaluan filtrin e tretë, filtrin e kualifikimit të dytë, dhe përsëri u kualifikuan. Kaluan filtrin e katërt, të inspektoratit që pa dosjet e kualifikimeve të mëparshme, dhe përsëri u kualifikuan. Tani në fund kujtohesh ti me ministrinë tënde, me njerëz në kërkim, me njerëz që i kërkon SPAK-u, me njerëz të dënuar, me njerëz të paaftë, me njerëz antishqiptarë, dhe thua: jo, ti i ke kaluar katër filtra, ti ke 15 vjet në sistem, ti këtu ke dhënë kontribut, ke kaluar qindra nxënës, breza të tërë, por ti je e paaftë për të qenë mësuese, se ti duhet të japësh licencën që të bëhesh e aftë për të dhënë mësim, ti duhet të japësh licencën që të bëhesh mësues mjeshtër.  Fjala “licencë” me mësues mjeshtër nuk ka lidhje, se të jesh mësues mjeshtër do të thotë që ti ke të paktën 15 vjet në sistem, kurse ti i thua: shko jep licencën. Ose thuaji: jep provimet e lirimit në shkollë nëntëvjeçare, që më parë ka qenë tetëvjeçare. 

Çfarë është kjo, zonja Kumbaro, se sinqerisht nuk e kuptoj. A e keni ju pak sensin e gjërave që shkruani, sepse, për shembull, bëhet një udhëzim dhe shikohet kur është ndryshuar ky neni? Ah, po, në vitin 2018. Atëherë, nga viti 2018 e këtej, nëse në sistem … 

Zonja Kumbaro, ta them në emër të mësuesve dhe në emër të opozitës. Nëse në sistem nga viti 2018 e këtej ke mësues pa licencë, e para është faji juaj, se s’duhet t’i kishit futur pa licencë, por nëse i ke, le të futen në provim për licencë, sepse e ka pasur ligji. 

Në qoftë se janë futur, është faji juaj dhe i stafit rekrutues kush i ka futur, por nuk ka. Në qoftë se ti fut edhe vitet 2011, 2012, e me radhë, vetëm se do që të pasurosh Qendrën e Shërbimeve Arsimore, që tani do ta kthesh në private …  

Tani e bëj lidhjen, se sinqerisht nuk arrija dot të kuptoja cili ishte interesi dhe thosha pse duan t’i fusin mësuesit në këtë stres të madh. Sot që ne kalojmë ligjin e di që Qendrën e Shërbimeve Arsimore, ata që japin licencat e mësuesve, do ta marrë AADF-ja, do ta marrë privati. Patjetër, e kuptoj që ju do të nxirrni edhe 10 udhëzime të tjera, të licenconi edhe 10 lloje profesionesh të tjera, bile edhe ato që s’janë të licencuara, vetëm e vetëm që t’u rrisni punën atyre. 

Zonja Kumbaro, kam një pyetje tjetër. Po ke guxim, më përgjigj.  A e dini ju që vendi po shpopullohet? A e dini ju që klasat janë mbyllur dhe kur mbyllet klasa, mësuesi del nga sistemi? A e dini ju që për këtë mësues të dalë nga sistemi, edhe pse ka qenë i punësuar më përpara, kur rifutet në sistem, data e kontratës së tij është e re dhe e prek ligji? Pra, një mësues, zonja Kumbaro, që ka mbaruar para sistemit të Bolonjës, një mësues që është futur në sistemin arsimor që në vitin 2009, të cilit i mbyllet klasa për shkak të shpopullimit, del pa punë, rri vërdallë se ku do ta çoni ju, por ju nuk e çoni gjëkundi, futet në portal dhe punësohet në vitin 2025. Pra, duke qenë se në kontratën e tij shënohet që është i punësuar në vitin 2025, del ti, me njohuritë e tua të thelluara mbi ligjin, dhe i thua: jo, ti duhet të kesh bërë licencën. Zonjë, ai ka mbaruar në vitin 2009, është punësuar në vitin 2009. Pse shpopullove ti vendin, pse shkatërrove ti vendin, pse mjerove ti vendin, duhet të mbajë përgjegjësi mësuesi? Pse ikin njerëzit nga sytë këmbët nga Shqipëria se keqqeverisni ju, duhet t’i bjerë barra mësuesit? A jeni në vete? A e kuptoni çfarë po bëni? A e kuptoni që janë 2 000 mësues? Nuk janë pak. Edhe 2 mësues të ishin, do të ishte çështje, zonja Kumbaro, se ai që e merr të drejtën në sistem dhe sakrifikon është mësues. Me ato rroga qesharake, me atë status qesharak që i jepni ju, ai ka të drejtën t’i mbrohet interesi jo në Parlament, por kudo. Janë 2 000 mësues që ti i trajton sikur të jenë nxënës të universitetit. E pse? Pse duhet t’ua hedhim poshtë eksperiencën e tyre? Pse duhet t’ua hedhim poshtë kontributin e tyre? Më e rëndësishme për shtetin është t’i marrësh paratë për Qendrën e Shërbimeve Arsimore, për AADF-në, apo t’u japësh atyre rehatinë për të ushtruar profesionin, për të pasur garanci? Ne si ligjvënës duhet të kemi një detyrë themelore: që ligji t’i shërbejë interesit publik, që të mbrojmë arsimin, që të mbrojmë nxënësit e Shqipërisë. Ne nuk mund të kemi detyrë të nxjerrim udhëzime duke keqinterpretuar dhe duke mos e kuptuar fare ligjin. Dhe pa pikën e logjikës thua se ky ligj ka qenë. Nëse ky ligj ka qenë, do t’u duhej për çdo hap kategorie mësuesve, por nuk u është dashur dhe nuk e kanë bërë, sepse ndryshe nuk do të arrin në mësues mjeshtër pa kaluar dy fazat e para.  

Kështu që, me shumë sinqeritet, do të lutesha, do të lutesha, do të lutesha: hiq dorë nga ai udhëzim, hiq dorë nga masakra që po u bën mësuesve, quaje arritjen tënde personale autoreflektuese dhe mos vazhdo më me diskutimin që mësuesit i kanë qejf provimet dhe e kanë si hobi të japin provimin e licencës. 

Faleminderit! 

PJESA 3 :

Zonja Kumbaro, the 200 shifra që s’kishin lidhje, por e vetmja shifër që të pyeta është: sa mësues preken? Këtë nuk na e the. Domethënë, mund të thoshe edhe sa yje ka galaktika, por këtë shifër konkrete nuk na e the. Nuk thashë unë që provimet janë qejf, e the ti. Ka nga ata që…  

Mbaj mend edhe se çfarë the, por s’po komentoj, se është çështje etike, çështje moshe. Zonja Kumbaro, the: ka nga ata që nuk ju duhen dhe futen për dëshirë në provim. Këtë e the ti dhe nuk e thashë unë.  

Tani më lejo edhe një herë në fund të fjalës të…  

(Ndërhyrje pa mikrofon.) 

Zoti Kryetar, ministrja e ka detyrim të qëndrojë në interpelancë. 

Niko Peleshi – Me këtë lloj etike që përdorni ju, mbase… 

Ina Zhupa – Unë e përdora etikën, por kjo nuk i jep të drejtën të ikë. Niko Peleshi – Jo, jo, unë nuk justifikoj askënd, por etika duhet të jetë për të gjithë, edhe për ministrat, edhe për deputetët e njërit krah dhe krahut tjetër. Por, ju lutem, kjo rezistenca juaj për të mos zbatuar etikën, që vetë e kemi dakordësuar në Kodin e Sjelljes … Ina Zhupa – Nëse unë abuzoj, ju keni detyrimin të më thoni, ajo s’ka asnjë të drejtë të lëvizë nga vendi atje, por shumë mirë bën që ikën, sepse ajo i ka ikur përgjegjësisë. Ajo nuk ka fytyrë, por ka një detyrim që të rrijë atje, zoti Peleshi. 

Niko Peleshi – Nuk justifikoj askënd, vetëm, ju lutem, vëruni veshin vërejtjeve që lidhen me mosrespektimin e Kodit të Sjelljes! Ju lutem, respektoni Kodin e Sjelljes! Deputetët e të tjerë të mos e ndërpresin kolegen, se ju po e ndërprisni.  

Ina Zhupa – Zoti Peleshi, e ka detyrim të qëndrojë atje dhe të dëgjojë kur flitet për mësuesit, se unë nuk jam duke qarë këtu një hall personal, jam duke folur për mësuesit, ashtu siç e ka edhe një detyrim nga Rregullorja e Kuvendit për të dëgjuar. Ajo jo se nuk më respekton mua, se unë nuk e dua respektin e saj, por nuk të respekton ty, nuk ju respekton ju, nuk respekton këtë Kuvend, nuk respekton Rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, dhe ky duhet të jetë problemi juaj, jo problemi im.  

Ndërkohë, të dashur mësues, kjo çështje është në gjykatën administrative, Partia 

Demokratike do ta ndjekë hap pas hapi, dhe të jeni të sigurt se, siç ndodhi me betejën për pagesën e kategorisë, do ta fitojmë edhe këtë betejë. Por kur të vijë momenti që do të bëhet ndryshimi, mbase do t’i vënë emrin e Evis Kushit ose të Mirelës, pasi të ketë ikur si ministre, dhe pse nuk shkulet nga ai vend, dhe t’i japin urimet për këtë arritje që do të bëjë për mësuesit, për një të keqe që ua ka bërë vetë.  

Të nderuar kolegë të mazhorancës, ju që shkoni dhe bëni turin “Punët e Shqipërisë” nëpër Shqipëri, takojini edhe mësuesit, dhe do t’ju thonë se është çmenduri kjo që po bëni. Takojini, dëgjojini dhe mbase do të keni kurajën për t’i kërkuar ministres suaj që të reagojë, për t’i kërkuar ministres suaj ta kuptojë që, siç janë kualifikuar mësuesit deri dje, do të duhet të kualifikohen në vazhdim. Nuk mund të bëhet para me djersën dhe gjakun e mësuesve, nuk mund të pasurohet AADF-ja me djersën dhe gjakun e mësuesve me 15 vjet eksperiencë në sistem. Një mësues humbi jetën duke ecur nëpër diell e nëpër shi vetëm e vetëm për të dhënë mësim, kurse ne nuk ngrihemi dot në rëndësinë që ka ai profesion.  Për ta mbyllur, zoti Peleshi, do të them një shprehje jo timen, por që e kanë thënë njerëz shumë më të mençur sesa unë: “Mund të heshtësh 50 dijetarë vetëm me një fakt, por nuk mund të heshtësh një idiot me 50 fakte”. 

Faleminderit!