Komunikim në Komisionin për Mediat: Skender Gjinushi në paligjshmëri si kryetar i Akademisë së Shkencave, diskutime dhe për ratifikimin e marrëveshjes në albanologji “Enciklopedia shqiptare”| 14 nentor 2022

Për procedurë, kam dy çështje të rëndësishme.

E dyta, dhe më e rëndësishmja, besoj se do të na çojë në pezullimin e seancës së sotme.

Çështja e parë ka të bëjë e faktin se jemi komision për dhënie mendimi. Enciklopedia shqiptare, me sa e kuptoj, është çështje e arsimit, prandaj është edhe zëvendësministrja e Arsimit. Është çështje e shkencës, e dijes, për të cilën ky komision është përgjegjës, nuk është për dhënie mendimi. Nuk e kuptoj se si Konferenca e Kryetarëve sërish çështjet që kanë të bëjnë me kulturën, me dijen, me arsimimin i dërgon në komisionet e tjera. Unë e kuptoj pse bëhet, sepse këtu drejtohet nga opozita dhe atje nga maxhoranca, se arsyetim tjetër nuk ka. Megjithatë, është në dinjitetin e këtij komisioni që ne gjithsesi t’ia kërkojmë këtë lloj shpjegimi Konferencës së Kryetarëve: pse ka kaluar komision përgjegjës Komisionin e Ligjeve. Nëse arsyetimi është sepse është ligj, të gjitha ato që bëjmë ne janë ligje, kështu që i bie që të gjitha të shkojnë tek ai komision, çdo marrëveshje tjetër të jetë tek ai komision, prandaj është nonsens. Kjo është e para. Nisur dhe nga eksperienca e Butrintit, nuk besoj se do të ndryshojë gjë, megjithatë ne do ta vëmë në dukje, të paktën të bëjmë detyrën tonë.

E dyta, dhe sot do ta pezullojmë këtë seancë dëgjimore, shohim faktin që ne nuk mundemi sot, të paktën flas për vete, të diskutoj, të bëj pyetje dhe të marr mendime për një marrëveshje që nuk e kam. Kuvendit nuk i ka ardhur marrëveshja midis Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës. Kemi vetëm dy dokumente: kemi relacionin dhe atë, që është koka e projektligjit, që thotë: “Neni 1; miratohet. Neni 2 ; hyn në fuqi”. Nëse nuk kemi marrëveshjen, nuk kemi për çfarë të diskutojmë këtu. Çfarë pyetjesh mund të bëjmë? Çfarë mund të diskutojmë, nëse nuk e kemi marrëveshjen? Minimumi, do të kërkoja 3 dokumente nga ju, që do t’i sillni, për të cilat mund të diskutojmë.

E para, është marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisës së Republikës së Kosovës.

E dyta, që kërkoj, është marrëveshja midis Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave të Kosovës dhe kjo marrëveshje, në dijeninë time, nuk ekziston.

E treta, grupet e punës midis Shqipërisë dhe Kosovës që do të materializojnë këtë marrëveshje. Kur them grupet e punës, kërkoj grupet e punës së akademive, që do të punojnë mbi enciklopedinë, grupin e punës të akademisë shqiptare dhe grupin e punës të akademisë së Kosovës. Mbi këto dokumente, më pas, mund të bëjmë një diskutim, qoftë diskutim që lidhet me pjesën e Ministrisë së Arsimit, qoftë diskutimin që lidhet me pjesën e akademisë. Ne nuk mund ta zhvillojmë sot këtë lloj diskutimi, pa pasur këto materiale, sepse është e pamundur. Ne kemi një rast, një precedent negativ si komision. Besoj se kjo gjë nuk do të përsëritet më, sepse të gjithë kemi nxjerrë mësimet e duhura dhe të gjithë kemi arritur të kuptojmë që duhet të kërkojmë dokumente, sepse komisionet e tjera, ndryshe nga komisioni ynë që e miratuam me një marrëveshje sekrete, e kërkuan marrëveshjen. Ne kërkojmë, të paktën unë kërkoj, besoj edhe kolegët kanë të njëjtin mendim, në emër të opozitës, kërkojmë vënien në dispozicion të marrëveshjes së bashkëpunimit midis qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës, marrëveshjen e bashkëpunimit midis Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave të Kosovës, si dhe grupet përkatëse të punës të Shqipërisë dhe të Kosovës. Jemi të hapur që nesër të kalojmë një kohë shumë të gjatë vetë duke lexuar edhe natën; jemi shumë të hapur që nga nesër të mund ta diskutojmë këtë gjë. Nuk e di si e kanë përgatitur relacionin. Nuk e di kolegët nëse janë përgatitur, por pa marrëveshjen çfarë do të relatojmë, çfarë do të diskutojmë? Aq më tepër, unë ju ndoqa edhe në Komisionin e Ekonomisë dhe bëhej fjalë për 260 milionë lekë, tha zëvendësministrja. 2,6 miliardë lekë nuk mund t’i japim pa parë dokumentet, pa kuptuar se çfarë bëhet. Besoj se këtu jemi të gjithë dakord. Edhe maxhorancën e kam parë që është dakordësuar kohët e fundit për transparencën dhe nevojën për t’i diskutuar gjërat. U votua me konsensus; nuk kemi asnjë problem, që, pasi t’i marrim këto dokumente, të jemi edhe ne konsensualë për çështjen e enciklopedisë, ashtu siç do të diskutojmë edhe për fjalorin e për historinë, e cila ka njohuri të thelluara nga ajo që ndodh në Akademinë e Shkencave dhe bashkëpunimi me Kosovën, por në momentin e duhur.

Sot do të diskutojmë për këtë dhe mendoj se është e udhës ta pezullojmë apo ta shtyjmë për një ditë tjetër, kur ta mendoni ju të përshtatshme se mund t’i sillni këto materiale. Sa më shpejt që t’i sillni, aq më shpejt do të diskutojmë dhe do t’ju japim këshilla, sugjerime, patjetër na keni bashkëpunues. Dua t’ju sqaroj, për ta mbyllur, se nuk kemi asgjë kundër enciklopedisë, nuk kemi asgjë kundër këtij projekti madhor. Do të duhet të japim të gjithë bashkëpunimin tonë, por që të japim këtë bashkëpunim, na duhen materialet. Nuk mund të japim bashkëpunim mbi atë që nuk e dimë, sepse mund të kthehet në një abuzivizëm apo në një enciklopedi alla Gjinushi, që nuk mund ta tolerojmë, sepse jemi këtu për të vendosur disa standarde, sepse jemi Komisioni i Edukimit dhe i Mjeteve të Informimit Publik!

Ju falënderoj shumë!

PJESA 2:

Si fillim, për të sqaruar, referuar informacionit që më vjen nga sekretaria e komisionit, asnjë nga deputetët nuk e ka marrë marrëveshjen nga sekretaria e komisionit, për shkak se nuk ka qenë.

Thuhet se është hedhur në faqen e re, ndërkohë që sot Kuvendi funksionuaka me dy faqe, një të vjetër e një të re. Ndoshta deputetët e maxhorancës – nuk dua fare t’i hy kësaj çështjeje – e kanë gjetur vetë tek faqja e re, me punën e tyre kërkimore. Ne nuk e kishim, siç është detyrimi për ta pasur përpara marrëveshjen. Megjithatë, prapë nuk i keni sjellë të gjitha ato që unë kërkoj, sepse kjo është marrëveshje e thjeshtë, me 11 nene. Do të mundohem t’i bëj në formë pyetjesh. Megjithatë, dua të sqaroj diçka: enciklopedia është një projekt shumë i madh dhe shumë i rëndësishëm shkencor, ndoshta më i rëndësishmi. Do të ishte në nderin e këtij komisioni, por edhe në nderin tuaj, që çdo gjë të ishte transparente dhe të gjithë ta votonim pro. Nuk do të ishte normale që ne të kemi dokumente gjysmake dhe ta nisim me paragjykime. Nuk e kam fare me ministrinë, por me Akademinë e Shkencave.

Pse e them këtë? Sepse një Akademi Shkencash që do të marrë përsipër të çojë përpara këtë projekt kaq të rëndësishëm, së pari duhet të ketë garancinë e cilësisë së asaj që do të prodhojë. Unë kam dyshime të theksuara në lidhje me garancinë e cilësisë, sepse mjafton të shikoj fjalimin e kryetarit të Akademisë së Shkencave, që citon një vepër plagjiaturë që nuk ekziston, me një autor që nuk ekziston, sarkazmën e një uebi, si autor me autoritet në fushën e drejtshkrimit, ndaj unë frikësohem se çfarë autorësh sarkastikë që nuk ekzistojnë mund të na vini ju në enciklopedi. Unë frikësohem kur shoh nivelin e përfaqësimit që ka sot Akademia e Shkencave. Prandaj, dua të kem garanci për cilësi, që të mos katandiset të lexojë Gjeto Basharin në enciklopedinë shqiptare dhe librin “Drejtshkrimi dhe shteti shqiptar”, që nuk ekziston, ta gjej të cituar në enciklopedi, siç e citoi Skënder Gjinushi në fjalimin e tij historik.

Kësisoj, kërkoj nga ju që diskutimi të jetë cilësor. Keni tre dokumente që duhet të na i vini në dispozicion. Meqë nuk na i vini në dispozicion, dua të më thoni datën e miratimit, dua të më thoni se përse nuk ua keni nisur këtij komisioni. Konkretisht, dua marrëveshjen midis Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, rregulloren e përbashkët, që është miratuar jo më vonë se data 30 tetor 2022, dua protokollin e veçantë, që lidhet me administrimin e fondeve të vëna në administrim, i cili është miratuar jo më vonë se data 30 tetor 2022. Pra, tre dokumente të cituara në nenet 2 dhe 3 të marrëveshjes që sapo mora. Për të kuptuar se përse i kërkoj këto, i kërkoj këto sepse keni ardhur këtu, në komision dhe keni thënë se kemi tre projekte madhore me Kosovën: fjalorin, enciklopedinë dhe historinë.

U interesova në Akademinë e Kosovës, që thanë: fjalorin e kemi bërë, kemi kryer punë, e madje jemi në konflikt me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, pasi ne e kemi botuar, është 3000 faqe dhe ua kemi ofruar falas, u kemi ofruar edhe bashkëpunim, por nuk kanë pranuar, ngaqë donin të merrnin fondet nga Ministria e Arsimit, nga qeveria. Nuk donin të ishim pjesë e një projekti, që nuk çonte në fitim Akademinë e Shkencave, për të ndarë honorarët Gjinushi.

Sot kemi një fjalor. Si të besoj unë se ju do të bëni fjalorin, që e keni një nga projektet, ndërkohë që ne e kemi fjalorin?! Është Lulzim Shishana. Jo vetëm kaq, por edhe na kanë mundësuar që ta aksesojmë online dhe falas Fjalorin e Gjuhës Shqipe. Ndërkohë, ju vini këtu dhe na thoni se do ta bëjmë ne me Kosovën, gjë që nuk qëndron. E njëjta gjë edhe me historinë. Nuk qëndron.

Atëherë, kur unë kam prova që as fjalorin, as historinë s’po i bëni me Kosovën, por keni ardhur dhe keni gënjyer në komision, pse duhet të besoj unë se te enciklopedia ju ndryshoni dhe jeni të tjerë, dhe do ta bëni, ndryshe nga dy të tjerat, që nuk i bëtë dhe doni t’i bëni alla Gjino? Për mua enciklopedia është e rëndësishme, prandaj dhe po ngulmoj, sepse besoj se duke e bërë me Kosovën, kemi shansin të prodhojmë një gjë më të mirë, më cilësore dhe mbarëshqiptare. Por duke kaluar nëpërmjet një institucioni që nuk e ka këtë besueshmëri, mua më duhet të kërkoj letrat, që të paktën nesër, kur të ngecni, ne të mund t’u referohemi letrave dhe të kemi mundësi që nëpërmjet këtyre letrave t’ju kërkojmë llogari. Po kur ju vini në komisionin përgjegjës dhe kërkoni buxhet, duke mos sjellë as marrëveshje, as rregullore, as protokoll, atëherë shtohen edhe më shumë dyshimet se edhe enciklopedia do të jetë e njëanshme dhe pa Kosovën, si në rastin e fjalorit dhe të historisë. Madje sot jemi në konflikt gjyqësor në lidhje me fjalorin.

Pra, janë disa elementë që lidhen me korrektësinë dhe me mënyrën se si funksionon sot Akademia e Shkencave, që fatkeqësisht nuk është një institucion që përfaqëson shkencën. Fatkeqësisht ky institucion drejtohet nga pseudoshkencëtarë, që citojnë psudolibra që nuk ekzistojnë. Kjo është frika ime më e madhe: të lexoj një enciklopedi që nuk ekziston.

Tjetër: në nenin 5 keni vendosur: raportimi dhe transparenca.

“Palët zbatuese, si rregull raportojnë me shkrim për ecurinë e projektit një herë në vit tek palët nënshkruese. Ata raportojnë gjithashtu jashtë periodicitetit, kur kërkohet nga palët nënshkruese.”

Në këtë rast palët nënshkruese janë qeveria shqiptare dhe qeveria e Kosovës. Sipas kësaj, i bie që akademitë raportojnë tek qeveritë. Duke qenë se projekti nuk është projekt politik dhe nuk ka vetëm interes qeveritar, është e udhës që ecuria e këtyre lloj projekteve të referohet e të monitorohet nga institucione më të larta, nga të cilat buron legjitimiteti i vendit dhe kanë përfaqësim të baraslarguar, siç është komisioni ynë, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik. Ju duhet të vini, dhe mendoj se duhet të jetë pjesë e anekseve që ju bëni apo marrëveshjeve që ne bëjmë sot. Ne mund t’ju thërrasim edhe në seanca dëgjimore, por ju duhet ta keni detyrim të vini dhe të raportoni në Komisionin e Edukimit në lidhje me çështjen e enciklopedisë shqiptare, sepse në këtë rast është çështje mbarëkombëtare, jo vetëm shqiptare, ndaj s’mund të jetë thjesht qeveritare, cilado qoftë qeveria në një moment të caktuar.

Nga ana tjetër, duke qenë se ju vura në dijeni – ju e dini, por më shumë vura publikun në dijeni – të mungesës së kapaciteteve shkencore, që tregon publikisht edhe Akademia e Shkencave, cilat do të jenë filtrat – prandaj kërkojmë grupin e punës – cilët do të jenë njerëzit që do të punojnë nga ana e Shqipërisë dhe nga ana e Kosovës për enciklopedinë? Pra, cilat do të jenë grupet e punës? Cilët do të jenë shkencëtarët e akademikët, që do të jenë pjesë e grupeve të punës, që të kuptojmë edhe ne çfarë presim, çfarë cilësie presim?

Përsëri këtë e dua nga Akademia, sepse Akademia është palë zbatuese, ndaj është e rëndësishme. Në këtë rast qeveria ka vetëm vullnetin e mirë për t’ju asistuar për të lidhur marrëveshje me Kosovën dhe për t’ju dhënë parà, por përgjegjësinë e keni ju, paratë do t’i merrni ju dhe cilësinë e punës do ta garantoni ju. Ju keni ardhur këtu sot vetëm pse ne jua kemi kërkuar, opozita, sepse kishit vendosur të vinte vetëm ministria, por ministria nuk do të bëjë ndonjë gjë këtu, ministria thjesht ka nënshkruar marrëveshjen dhe po ju jep juve mundësinë që të punoni. Ndërkohë, jeni ju përgjegjës në lidhje me atë që do t’u jepni fëmijëve tanë dhe brezave të ardhshëm si enciklopedi shqiptare, por tek ju besimi është minus njëmijë. Jo zero, sepse zero do të thotë të nisesh nga diku, por është minus njëmijë, bazuar në atë çfarë keni bërë dhe mënyrën se si drejtohet Akademia e Shkencave, mënyrë ilegjitime dhe joprofesionale, duke cituar libra që nuk ekzistojnë. Kaq mjafton.

Pyetja e fundit: kjo marrëveshje është e vlefshme për një periudhë pesëvjeçare, me të drejtë zgjatjeje, mbështetur në propozimet e dy palëve zbatuese. Besoj se ky nen është bërë, duke marrë parasysh se ju nuk do ta përfundoni dot në pesë vjet punën për enciklopedinë apo është bërë duke menduar se mund të ketë edhe projekte të tjera shtesë mbi enciklopedinë, fjalorthë sqarues, guida apo shtojca të tjera? Edhe kjo është një pyetje, përgjigjen e së cilës dua ta di. Pra, i jepni mundësi vetes të mos e mbyllni për pesë vjet e të kërkoni lekë shtesë dhe vazhdim projekti, apo kjo është një mundësi për bashkëpunime të tjera ekstra në këtë fushë?

Do t’ju lutesha shumë që përgjigjet të ishin siç i kam kërkuar, bashkë me dokumentet. Nëse dëshironi, mund t’jua përsëris në çdo moment.

E fundit, për ta mbyllur, nisur nga fakti që vini këtu dhe kërkoni në lidhje me enciklopedinë shqiptare, a ka garanci që në fund fare enciklopedia shqiptare, përveç trevës sonë, të Shqipërisë e të Kosovës, do të mund të përfaqësojë e do të fusë po ashtu autorë e vepra që lidhen me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut e në Malin e Zi, apo do të jetë vetëm Kosovë-Shqipëri?

doninë e Veriut e në Malin e Zi, apo do të jetë vetëm Kosovë-Shqipëri? Për mua ka shumë rëndësi pjesa e cilësisë dhe pjesa e besueshmërisë së institucioneve dhe e marrëveshjeve që ju keni me Kosovën, që të mos katandiset si fjalori dhe si historia.

 Faleminderit!

PJESA 3 :

Për të sqaruar që në fillim, jemi shumë të hapur, nuk kemi asgjë kundër projektit të enciklopedisë shqiptare, për t’ju sqaruar ju. Ne të gjithë jemi deputetë. Në çdo komision deputetët marrin materialet përpara se të fillojë seanca, në mënyrë të tillë që të bëjnë pyetje dhe diskutime. Në momentin që ne nuk i kemi këto materiale, për çfarë na duhet prezantimi? Unë dua të shikoj marrëveshjen, të njëjtën gjë keni bërë me Butrintin, keni lenë ministren të prezantojë, e keni miratuar marrëveshjen sekrete. Nuk e ka bërë asnjë komision. Kur ta marrë në diskutim Komisioni i Ligjeve, përsëri do t’jua kërkojnë.

Ju lutem! Unë nuk mund të diskutoj dhe nuk mund të dëgjoj, nëse nuk është marrëveshja.

 Neve na duhet marrëveshja në komision.

 (Ndërhyrje pa mikrofon.)

Zotëri!

Dua një fakt publik që në e-mailet e këtij komisioni, në grupin tonë, të këtij komisioni apo në adresën zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë, ftoj dhe gazetarët ta shikojnë, të kemi marrëveshjen. Kërkojmë 2 marrëveshjet: marrëveshjen midis qeverisë shqiptare dhe qeverisë së Kosovës, marrëveshjen midis Akademisë së Shkencave të Shqipërisë…

(Ndërhyrje pa mikrofon.) Nuk ka, pra! Unë sot kam komunikuar përsëri me sekretarinë këtu dhe te grupi. Mund ta kesh, mund të ta japin ty, nuk ka asnjë problem.

Unë mendoj që kjo nuk është marrëveshje sekrete, nuk ka pse të jetë sekrete, sepse nuk luajnë miliona. Ne duhet ta kemi përpara marrëveshjen. Kërkesa ime procedurale: kërkoj që ky komision të ketë një dokument që marrëveshja është marrë para fillimit të kësaj mbledhjeje nga anëtarë të opozitës së këtij komisioni.

Ju lutem, ma paraqisni këtë dokument që ne kemi marrë marrëveshjen dhe është marrëveshja publike para mbledhjes. Nëse ju e paraqisni këtë dokument që ne kemi marrëveshjen, edhe të akademisë, edhe të qeverisë, atëherë unë kërkoj ndjesë, nuk e kam parë, dhe vazhdojmë. Por, nëse nuk ka një dokument të tillë, që anëtarët e opozitës së këtij komisioni të kenë marrë para orës 11:00 të ditës së sotme në e-mailet e tyre apo në aparatet celulare, si të doni ju, në rrugë zyrtare këtë marrëveshje, atëherë është e udhës, ne kërkojmë kohën tonë për të lexuar marrëveshjen dhe për të bërë diskutimin, sepse nuk mund të diskutojmë pa pasur marrëveshjen. Besoj juve ju intereson të bëjmë një diskutim cilësor, të shkojmë në votim dhe ta votojmë të gjithë bashkë.

Ju lutem! Unë ju mirëkuptoj. Kjo ishte kërkesa ime procedurale, se ndoshta nuk e kuptuat.

( Ndërhyrje pa mikrofon.)

Të na vihet në dispozicion një dokument, i cili vërteton që ne e kemi marrë marrëveshjen. ( Ndërhyrje pa mikrofon.)

Nuk kërkoj as shtyrje, asgjë, dua një dokument që ne e kemi marrë marrëveshjen.

Ma vini në dispozicion!