Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Zonja Kryetare, do të duhet që të kini durim dhe të më dëgjoni deri në fund, sepse kam një kërkesë procedurale, por mënyrën sesi e parashtroj e kam personale, kështu që më dëgjoni deri në fund.
Zonja Kryetare, ju në fillim të seancës lexuat një shkresë, në të cilën refuzonit interpelancën e kërkuar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike. Ju në shkresën tuaj e cilësuat si veprimtari private të Kryeministrit një këshilltar publik, që paguhet me paratë e taksave të shqiptarëve. Ju keni arritur në këtë Kuvend që çdo veprimtari, e cila shpërdoron para dhe vjedh fondet publike, ta konsideroni si punë private. Jam plotësisht dakord, se e kuptoj që i marrin privatisht ato paratë e taksave të shqiptarëve, por minimalisht kanë detyrimin që të vijnë këtu dhe të përgjigjen. Ju keni quajtur si veprimtari private këshilltarin; ju keni quajtur si veprimtari private sjelljen abuzive të 5 mjekëve, ndërkohë që është gjithë sistemi shëndetësor që vuan sot nga mungesa e ilaçeve dhe pajisjeve; ju keni quajtur si veprimtari private trafikun e drogës, ndërkohë që akuzohet vëllai i Kryeministrit…
Lindita Nikolla – Nuk po thoni të vërtetën, sepse nuk ka asnjë rresht të tillë, ku të cilësohet si veprimtari private, por thjesht është një abuzim i radhës, por kaloni te procedura tani!
Ina Zhupa – Procedura ime është kjo, zonja Kryetare: ju e keni quajtur, po ashtu, Kuvendin si organ politik për të bërë debat politik, ndërkohë që ne jemi të zgjedhurit e qytetarëve dhe jemi organ kushtetues, dhe këtu punojmë e veprojmë, të paktën ne nga ana e opozitës, për qytetarët. Tani, është e papranueshme, dhe e kam direkt me ju, që të bëni një refuzim të pashpjegueshëm për çdo kërkesë që lidhet drejtpërdrejt me Edi Ramën. Edi Rama duhet të vijë në Kuvend të japë llogari, sepse është Kryeministri i shqiptarëve dhe është duke abuzuar me paratë e shqiptarëve. Kërkesa ime procedurale është që ju të tërhiqeni nga ajo letër që keni bërë; kërkesa ime procedurale është që ta tërhiqni atë votim të turpshëm që bëtë në fillim dhe kërkesa ime procedurale është që të mos kenë frikë dhe të vijnë në Kuvend të përballen, sepse e di që janë duke u monitoruar nga drejtësia dhe çdo fjalë do të përdoret kundër tyre, por le të këshillohen me një avokat dhe të vijnë të flasin në Kuvendin e Shqipërisë, ndryshe e gjithë kjo mazhorancë, ashtu si Ilir Beqja, do të kenë “suksese në jetë”.
Faleminderit!