Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Në fakt, kur dëgjova sekretarin tuaj të përgjithshëm, kuptova që e kishte vjedhur shprehjen nga veprat e Enver Hoxhës, i cili thoshte: “Pse, ligjet tona do të na ndalojnë ne?” Edhe ju jeni me logjikën: pse, Rregullorja jonë do të na ndalojë ne? Ato 10 ditë nuk i kërkojmë ne, por janë pjesë e Rregullores së Kuvendit. Procedura duhet bërë sipas asaj që kërkohet në Kushtetutë dhe në Rregullore. Nëse këtu keni ardhur me bindjen që keni 83 kartonë dhe mund t’i shfrytëzoni për të bërë çfarë të doni, atëherë, siç i prezantuat ndryshimet në Asamblenë e Partisë Socialiste, pa pyetur dhe pa u hapur akoma Kuvendi, edhe mund t’i kishit votuar në Asamblenë e Partisë Socialiste, meqenëse 83 kartonët i kishit atje dhe nuk kishit pse ta ndryshonit fare sallën. Kur vini në Kuvend dhe kur jemi në këtë sallë, kemi disa rregulla të përbashkëta, të cilat janë Rregullorja e Kuvendit dhe Kushtetuta e Shqipërisë dhe ju i pari, si Kryetari i Kuvendit, dhe të gjithë ne, do të duhet të zbatojmë atë që u betuam vetëm 48 orë më parë, që të zbatojmë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Janë 9 nene të Rregullores që shkelen me këtë që thoni ju. Pra, ju keni zgjedhur që jo vetëm substancialisht mos ta pyesni opozitën dhe të mos diskutoni në thelb, por as procedurën, për të cilën s’keni nevojë të na pyesni ne, mjafton të lexoni Rregulloren e Kuvendit, të mos ta zbatoni. Pra, keni ndër mend që Gjykata Kushtetuese t’ju rrëzojë përsëri, siç ju rrëzoi ndryshimet e njëanshme që bëtë në Rregulloren e Kuvendit kur opozita protestonte, po për të drejtat e saj.
Nuk e keni me seriozitet as procesin e integrimit, se ndryshe do ta dinit që A-ja e procesit të integrimit është zbatimi i Kushtetutës së një vendi dhe i Rregullores së Kuvendit të tij. Më gjeni një seancë të Parlamentit Europian që njëri krah apo njëri grup, apo grupi i partive popullore europiane të mos zbatojë rregullat e përbashkëta që kanë atje, të mos zbatojë rregulloren e atij Parlamenti dhe të katandiset kështu siç katandiseni ju këtu, që brenda 2 orësh doni të kaloni gjithçka me shpejtësi, si noterë perfektë të një kryeministri, i cili ndjek vetëm interesin e tij personal.
Shumë faleminderit!

