Ndërhyrje për procedurë mbi zbatimin e rregullores së Kuvendit nga ana e kryetarit të Kuvendit / 24 Shtator 2025

Seanca e kaluar, zoti Kryetar, ka qenë thirrur në bazë të neni 97 të Kushtetutës dhe në bazë të nenit 110 të Rregullores. Jua sjell në vëmendje këtë për të kujtuar edhe nevojën për ta zhvilluar të gjithë procedurën, siç e kërkojnë Kushtetuta dhe Rregullorja, që do të thotë të drejtën e deputetëve për t’i bërë pyetje Kryeministrit, për të bërë debat parlamentar, për t’u shprehur grupet parlamentare dhe më pas për të kaluar në votim. 

Ju keni zbardhur një procesverbal, i cili nuk tregon realitetin, dhe fillimisht ju ftoj të nënvizoni me të zezë në procesverbal fjalën kërcënuese të Kryeministrit teksa ju urdhëron ju si Kryetar i Parlamentit, por edhe grupin e tij që të mbyllin seancën, pasi e lanë nervat nga mosrakordimi i opozitës, siç e donte ai opozitën. 

Ju kujtoj që në Parlamentin Europian vetëm një javë më parë, kur kërkohej të mbahej një minutë heshtje për Charlie Kirk, një pjesë e europarlamentarëve përplasnin duart mbi tavolinë si shenjë e revoltës së tyre, por atje ka demokraci dhe asgjë nuk ndodhi. Në Parlamentin britanik ndodhi e njëjta gjë; në Parlamentin gjerman dhe në atë italian ndodh e njëjta gjë sa herë ka mosdakordësi me mënyrën se si një palë e qeveris vendin apo sillet ndaj Kuvendit. Por, ndryshe nga atje, ne këtu kemi një autokrat që i detyrohet krimit, që realisht mendon për hallet e veta në kokë dhe nuk duron dot se çfarë mund të jetë debati parlamentar, dhe ju i pari dhe të gjithë të tjerët këtu jeni të detyruar të silleni si ushtarë për të mbyllur seancën, vetëm sepse ju tha Edi Rama.  

Ndaj kërkojmë që ai procesverbal të mos miratohet; ajo seancë të përsëritet për programin, pavarësisht dekreteve që keni marrë si ministra këtu, që të kenë mundësi të gjithë deputetët të diskutojnë dhe të flasin për interesin publik, për atë që ju keni paraqitur si platformë surreale, që nuk ka të bëjë me realitetin e shqiptarëve, për alternativën tonë dhe qëndrimin tonë për hir të interesit publik dhe për votën që kemi marrë nga shqiptarët.  Ju si Kryeparlamentar ju ftoj të mos e miratoni procesverbalin, t’i ndani të gjitha pjesët e fjalës së Kryeministrit, që ta kuptojë i gjithë Bashkimi Europian se këtu nuk ka ndarje të pushteteve midis ekzekutivit dhe Parlamentit dhe se parlamentarizmin e drejton Edi Rama, dhe të vijojmë me një seancë normale diskutimesh për programin politik të kësaj qeverie.

Faleminderit!