Ndërhyrje për procedurë ndaj deputetit Shalsi në seancën e Kuvendit / 25 korrik 2024

Zoti Shalsi, në fakt, nuk e ka fshehur asnjëherë që ka një merak personal, që në kohën kur ishte ministër Shteti, që kur KLSH-ja ka shkuar për ta audituar dhe ka qenë shumë i surprizuar se si mund të shkojë në një ministri 

Shteti… 

Lindita Nikolla – Të lutem, të kalojmë te procedura dhe t’i lëmë këto hyrjet e gjata. 

Ina Zhupa – Po te procedura po shkoj, rrugës jam. Pra, nuk e ka fshehur dhe e ka bërë publikisht këtë gjë zoti Shalsi. 

Së dyti, KLSH-ja ka mbajtur rekord në komisionet parlamentare duke ardhur 4 ditë. Çdo komision, për çdo institucion, ka pasur një seancë në një ditë të caktuar brenda 5 apo 6 orëve, ndërkohë që Komisionit të Ekonomisë nuk i mjaftuan 4 ditë marrje në pyetje dhe ballafaqim në shkelje të ligjit, me kryetarin e KLSH-së.  

Në Komisionin Hetimor të Sterilizimit dhe të Check-up-it janë marrë audituesit e KLSH-së dhe janë pyetur nga ata që janë audituar nga KLSH-ja dhe që sot janë në SPAK përsëri nga KLSH-ja. Nëse doni ta ktheni në gjyq të atyre që janë të akuzuar për ata që i akuzojnë, ky nuk është fare funksion i Parlamentit. Ndaj ju kërkoj, si Kryetare e Parlamentit, që t’i ktheheni Rregullores, kalendarit të punimeve, asaj që kërkon Kushtetuta, që institucionet të kenë mundësi  ta marrin rezolutën dhe të paktën në këta 4-5 muaj që kanë ngelur të zbatojnë rekomandimet.  

Çështja e dytë ka të bëjë me një kërkesë që ju është dërguar juve dhe 140 deputetëve nga një grup që quhet “Dua të votoj 2025”, që është i përbërë nga 16 veta nga diaspora, të cilët kërkojnë leje për të marrë pjesë në seancën e nesërme, si dëgjues në lozhë, meqenëse kanë bërë një betejë të jashtëzakonshme për votën e diasporës. Ky Kuvend duhet të jetë i hapur, jo si në rastin e studentëve që nuk u lejuan të vinin këtu, kur u diskutua për studentët e mjekësisë, sepse kishit frikë nga fjala. Tani që Kuvendi do të diskutojë votën e diasporës në seancën e nesërme, mendoj se është e udhës që kjo kërkesë që na është dërguar neve dhe juve, që është bërë brenda parametrave që kërkon Rregullorja, të miratohet nga ju dhe të njoftohen që të jenë nesër në seancë plenare. 

Faleminderit!