Ndërhyrje për procedurë për të rikujtuar Kuvendit kërkesen për interpelancë me ministrin e kulturës Gonxhe -12 Qershor 2024

Faleminderit, e nderuar drejtuese e seancës! 

E para, në lidhje me këtë çështje, që ju sapo llogaritët edhe kohën e interpelancës së kolegut, do të doja të llogarisnit pak publikisht edhe kohën e interpelancës sime me zotin Blendi Gonxhja, sepse kanë kaluar 6 muaj, me të cilin është kërkuar interpelanca dhe ka kaluar çdo afat logjik për zhvillimin e kësaj interpelance.  

Së dyti, është hera e disatë që Kryetarja e Kuvendit, në shkelje dhe në keqinterpretime nga më absurdet të Rregullores së Kuvendit, mohon të drejtat e deputetëve të opozitës, një herë për mocione me debat, një herë për rezolutë, tanimë për interpelancë.  

Kryetarja e Kuvendit kur lexon një shkresë, minimalisht le të kuptojë që tenderat sekretë, të bërë nga Ministria e Shëndetësisë në kohën e COVID-it, nuk cenojnë nderin e Edi Ramës në kuptimin privat, por tregojnë që ai është një hajdut, dhe këtë nuk ia ndryshon dot Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike që të shkruajë një gjë të ndryshme nga ajo që është fakt. Ndërkohë, në kërkesën që ju dispononi është përcaktuar qartësisht në rreshtin e fundit të saj, që, në mbështetje të nenit 96, pika 5, të Rregullores së Kuvendit, interpelanca do të paraqitej nga deputeti Sali Berisha. Edhe kundërshtimi për 10 minuta do të duhej të paraqitej nga deputeti që ka zgjedhur i gjithë grupi i deputetëve, nga zoti Sali Berisha.

(Bie gongu)  Nuk m’i dhatë tamam minutat. 

Pra, kjo do të thotë që Kuvendi, ju në këtë rast, si drejtuese, do të duhej të kishit marrë masat, të njoftonit Policinë e Shtetit që të vinte zoti Berisha në seancë, sepse në seancë plenare mund të vijë qartësisht, nuk ka asnjë pengesë që deputeti të ushtrojë funksionet e tij për sa kohë nuk prish as prova, nuk përbën asnjë problem dhe… 

Ermonela Felaj – Ju lutem, teknika, mund t’ia ndërprisni fjalën zonjës Zhupa!