Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Në Konferencën e Kryetarëve, kur kanë filluar diskutimet për raportimin e institucioneve të pavarura, kemi diskutuar që në krye të herës se koha, e vendosur bashkërisht, do të ishte 250 minuta për raportim, dhe këtë nuk e kemi vendosur…
(Ndërhyrje pa mikrofon.) Kërkoj ndjesë, 150 minuta!
150 minuta për raportim, dhe këtë nuk e kemi vendosur thjesht sepse i ra bingoja atij numri, por duke llogaritur që t’u jepnim mundësinë edhe grupeve të vogla parlamentare që të kishin kohë për të diskutuar.
Ju sot, në mënyrë unilaterale, vetëm me veten tuaj, keni vendosur që kohën ta kaloni në 90 minuta për raportim dhe keni uzurpuar hapësirat e opozitës parlamentare. (Ndërhyrje pa mikrofon.)
90 minuta për 140 deputetë, i bie 35 sekonda për deputet, nëse duhet të flasin për raportimet; grupeve parlamentare që kanë 7 deputetë, u bie 3 minuta për të gjithë grupin. Kjo nuk është normale, aq më tepër kur sot kemi INSTAT-in, që është instituti i manipulimit të të dhënave për gjendjen e inflacionit në Shqipëri, për gjendjen e popullsisë në Shqipëri, për gjendjen e bujqësisë në Shqipëri, mbi të cilat ngrihen ato politikat tuaja të rreme; kur ne sot kemi shërbimin civil, që është kthyer në rrjetin e patronazhimit të administratës publike për hir të interesave elektoralë dhe, ndërkohë, u kemi lënë 150 minuta Agjencisë së Depozitave, Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ISKK-së dhe institucioneve të tjera, dhe jo vetëm atyre të drejtësisë. Pra, do t’ju lutesha t’i ktheheni asaj që është dakordësuar, që të mund të marrë 150 minuta secili nga raportimet e institucioneve të pavarura, në respektim të së drejtës së deputetëve për të folur brenda kohës së arsyeshme.
Nga ana tjetër, ju mendoni se, duke i hequr një të drejtë opozitës seancë pas seance, do të arrini…
(Ndërhyrje pa mikrofon.)
Zoti Balla, njoftimi është zyrtar, në faqen e Kuvendit.
(Bie gongu.)
Shikojeni! Është 90 minuta në Konferencën e Kryetarëve.
(Ndërhyrje pa mikrofon.)
Ah, do të tërhiqeni! Ju e keni marrë vendimin para 1 ore dhe tani do të tërhiqeni.
Tërhiquni! Do t’ju bënte nder të tërhiqeni.
Faleminderit!

