Ndërhyrje për procedurë, seancë plenare / 6 Nëntor 2025

Më vjen mirë që hoqët dorë nga praktika e vjetshme, ku kryetarin e KLSH-së e mbajtët për 5 ditë të raportonte në Kuvend, sepse, me sa duket, kryetari i atëhershëm i komisionit kishte çështje personale, ndërsa kësaj radhe keni qenë brenda staturës për ta bërë raportimin vetëm në një ditë në komisionin përkatës. 

Në fakt, ky është raportimi më i rëndësishëm, Kryetar (tani iku edhe ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin); është raportimi më i rëndësishëm, sepse është i vetmi që skanon korrupsionin e qeverisë dhe abuzimet me paranë publike. Dhe në momentin që flasim, ju nuk keni prezent as ministrin për Marrëdhëniet me Parlamentin, që, në fakt, ishte i vetmi që nuk auditohet, se nuk ka portofol, ndaj edhe kishte kurajën për të qëndruar këtu. Ndërkohë, këtu prezente duhej të ishte ministrja e Shëndetësisë, sepse, sipas asaj që referoi kryetari i KLSH-së edhe në komisionin përkatës, del se sektori më me shumë abuzime dhe i nënfinancuar është ai i shëndetësisë, ku mungon verifikimi i çmimit të referencës, ka kontrolle fiktive e inventarë të pasaktë, dhe të gjitha këto në kurriz të shëndetit të qytetarëve shqiptarë. 

Këtu prezente duhej të ishte ministrja… (Ndërhyrje pa mikrofon.) Për procedurë.  

…e Arsimit, zonja Kumbaro, për të thënë pse vazhdon të mbajë për  sekretar të Përgjithshëm të njëjtin person që KLSH-ja e ka çuar për ndjekje penale, madje e ka nxjerrë qartësisht se është abuzues me fondet dhe procedurat në Ministrinë e Arsimit. 

Këtu duhej të ishte ministri i Financave, sepse në të gjitha raportet që nxjerr KLSH-ja për monitorimin e koncesioneve, nuk e kanë kryer detyrën dhe kanë abuzuar me fondet publike.  Por në këtë moment ju nuk i keni ministrat, pasi e dini shumë mirë se çdo raport i bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit është vetëm një skaner i së vërtetës dhe të gjitha ato janë dosje për SPAKun, janë dosje për drejtësinë, ku për ministrat tuaj jo rrallëherë kanë nisur procedurat nga kontrollet e Kontrollit të Lartë të Shtetit. 

Kjo ishte ndërhyrja ime.