Pyetje ndaj Drejtoreshës së INSTAT në raportimin në Kuvend mbi mashtrimet me Censusin 2023 dhe punën e dobët të institucionit/ 19 korrik 2024

Në fakt, është një orë shumë e vonë, është ora 1:00 e natës dhe një institucion që ka pasur një proces shumë të rëndësishëm, siç është censusi, besoj se do të ishte në interes të qytetarëve që ta ndiqnin. 

Pyetjet e mia për zonjën Dhuli janë si më poshtë: 

E para, zonja drejtoreshë, në cilin vend të botës parashikohet që kur realizohen censuse nuk nxirren të dhëna preliminare, kur vetë WEN-i thotë: të dhënat preliminare janë shumë të rëndësishme për procesin e censit? 

E dyta, ju keni publikuar metodologjinë e censusit për vitin 2022, pasi ishte parashikuar që do të bëhej më përpara, çka është e publikuar edhe në këto momente në faqen tuaj, e cila parashikonte që do të publikonit të dhënat preliminare në dhjetor të vitit 2022 dhe më pas të dhënat përfundimtare në qershor të vitit 2023. Tani, edhe pse keni të njëjtën metodologji, ju i keni zhdukur të dhënat preleminare, pra nuk keni bërë të dhëna preleminare dhe keni nxjerrë të dhënat përfundimtare 8 muaj më vonë. Në cilën metodologji është parashikuar që një institucion nuk jep të dhëna preleminare për censin? 

 Pyetja ime është: si e shpjegoni faktin që të dyja censet e kaluara, kur janë bërë përkatësisht nga ish-drejtoresha, Milva Ekonomi, dhe nga ishdrejtoresha, Ines Nurja, i kanë nxjerrë, edhe pse atëherë i kanë bërë me fleta dhe me skanime, me një teknologji shumë më të dobët sesa ajo juaja, me një kosto financiare shumë më të vogël sesa ju, kanë nxjerrë të dhëna preleminare dhe kanë nxjerrë të dhëna përfundimtare shumë më herët sesa ju? Ju, 12 vjet më vonë, i keni nxjerrë për 8 muaj. Për shembull, në vitin 2011 të dhënat kanë dalë në tetor dhe më pas rezultati ka dalë në dhjetor të vitit 2011.  

Si e shpjegoni, drejtoreshë, që tek të dhënat e publikuara nga censi INSTAT-i përfshin vetëm 34 tabela të dhënash, ndërsa censi i bërë në vitin 2011 kishte të paktën 86 tabela të dhënash? A mos vallë ky reduktim vjen, sepse ju fshini të dhënat dhe duke bërë shumë kryqëzime, nuk ju dalin të dhënat që keni dhënë në over all, apo është thjesht paaftësia e stafit tuaj dhe juaja për t’i prodhuar këto të dhëna? 

Pyetja tjetër është: si e shpjegoni ju që nga të dhënat e publikuara nga censi rezulton se në 12 vjet qenkan shtuar vetëm 70 mijë banesa, sipas censit, kur vetëm Tirana në 3 muajt e fundit ka 231 mijë metra katrorë ndërtim?! Ju nuk i keni parë kullat dhe pallatet e ndërtuara në Tiranë për 12 vjet?! Ju duket sikur janë vetëm 70 mijë banesa? Nuk po marr të gjithë Shqipërinë, nuk po marr të gjithë bregdetin, por po marr vetëm Tiranën. Pra, sipas censit, në të gjithë Shqipërinë, në 12 vjet janë ndërtuar 70 mijë banesa?! A e keni pak sensin e seriozitetit në këto manipulime që bëni?!  

Pyetja tjetër është: sipas Eurostat-it vetëm në Bashkimin Europian regjistrohen 900 mijë shqiptarë, që janë larguar, kanë marrë azil, kanë vendbanim, pa llogaritur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadanë, Britaninë e Madhe, si i shpjegoni shifrat tuaja në krahasim me shifrat që kanë raportuar ndër vite Eurostat-i? Pse nuk ka përputhje, apo jeni ju shumë të saktë?! 

Pyetja ime tjetër: si ndiheni, zonja drejtoreshë, kur 89% e shqiptarëve të pyetur për censin thonë se nuk i besojnë të dhënat e censit? Në fakt, nuk i besojnë, sepse kanë gjysmën e familjes jashtë, shohin edhe ndërtimet në Tiranë, shohin edhe rininë, që nuk është nëpër shkolla, shikojnë shpopullimin dhe nuk kanë si të besojnë ato që thoni ju. Ju, si drejtoreshë e këtij institucioni, si ndiheni që ka humbur plotësisht besimi publik? Ndërkohë, më përpara ka qenë një institucion i respektueshëm nga të gjitha anët, merrnin të dhënat tuaja, i interpretonin dhe i kryqëzonin sipas asaj që kërkonin të transmetonin, nuk ka qenë asnjëherë INSTAT-i në këtë derexhe besueshmërie, që e keni katandisur ju. Mua më vjen shumë keq, sepse është një organ shtetëror, që ne duhet t’i referoheshim për të marrë statistika serioze dhe jo të tilla të dhëna.  

Zonja Dhuli, si është e mundur që databaza e INSTAT-it nuk punon? Domethënë, në 80% të kohës databaza e INSTAT-it nuk punon dhe kur punon, ju të dhënat i hidhni aty në një format PDF-je, mundësisht të paaksesueshëm për të marrë dhe për të përpunuar të dhënat nga studiuesit, dhe nuk i hidhni në formatet e Excel-it apo në formate të tjera, që mund të merren dhe të përpunohen nga studiuesit, të paktën ato që janë për përdorim publik.  

Pyetja tjetër është: a mund të na thoni se çfarë dëmesh iu shkaktuan INSTAT-it gjatë periudhës së hakerimit, sepse ka qenë edhe periudha e të dhënave të censit? A janë prekur këto të dhëna, apo të dhëna të tjera? Këto shifra që na i nxirrni tani mos janë edhe si rezultat i hakërrimit? Kjo do të ishte një arsye më serioze për këto shifra kaq të pabesueshme që nxirrni, mund ta shikoni edhe këtë si një mundësi për të dalë nga situata?!  

Pyetja tjetër është: pse kalendari i të dhënave, që duhet të publikohet nga INSTAT-i, sepse ka një kalendar për anketat dhe për të dhënat që duhet të nxjerrë INSTAT-i, nuk zbatohet asnjëherë? Pra, kur në tremujorin e dytë apo në tremujorin e tretë duhet të dalë një e dhënë, nuk del asnjëherë në kohë. Si ka mundësi, sepse të paktën një herë do të kishte dalë në kohë? Çfarë ndodh brenda jush, që e keni kaq të vështirë për të zbatuar kalendarin? Si e shpjegoni ju, si drejtoreshë? Në fakt, këtë pyetje ia kam ngritur edhe anëtares së bordit në takimet e tjera me shoqërinë civile, por doja t’ju pyesja edhe juve; pra, si e shpjegoni ju, kur një e dhënë e INSTATit denoncohet nga Partia Demokratike, ajo zhduket nga faqja e INSTAT-it? Për shembull, indeksi i pabarazisë, sa bëmë ne deklaratën nga selia e Partisë Demokratike për të thënë të dhënat, në mënyrë misterioze, u zhduk, edhe sot po ta kërkoni, nuk e gjeni indeksin e pabarazisë në faqen tuaj, sepse ju doli, u zhvesh pak propaganda dhe nuk ju interesonte.  

E nderuar drejtoreshë, a mund të na thoni se çfarë anketash keni futur, si anketa që do t’i shërbenin opinionit publik, studiuesve, të dhënave të institucioneve të tjera, ju, si INSTAT, gjatë këtyre viteve që e drejtoni?  

Gjithashtu, një tjetër pyetje imja është: a mund të na shpjegoni pse drejtoresha e 

Demografisë, nga e cila varej edhe censi, ka dhënë dorëheqjen para dy muajsh, mos ka qenë e lidhur me faktin që nuk pranonte të vinte emrin në një mashtrim të tillë, siç ishte censi, apo ka arsye të tjera, të cilat mund të na i sqaroni?  

Së fundi, zonja drejtoreshë, a mund të na e shpjegoni pak nivelin dhe llojin e punësimeve që bëhen në INSTAT? Për shembull, sipas të dhënave që më vijnë mua, nëse e kam gabim, ju më korrigjoni: sekretari juaj i Përgjithshëm është një i pezulluar nga Kryeministri Rama për vjedhje në tatime; apo nga një e dhënë që kam, vetëm pak kohë më parë ka qenë i punësuar edhe dhëndri juaj në tatime, tani jo më, sepse është në Gjermani.  

Lindita Nikolla – Ju lutem, përfundojini pyetjet, sepse po bëni shumë komente, madje iu drejtuat duke i thënë se nuk është serioze dhe kjo nuk është etike.  

Ina Zhupa – Po, po, jam shumë serioze. 

Lindita Nikolla – Jo, iu drejtuat zonjës 

Dhuli, që nuk jeni serioze dhe kjo nuk është etike.  

Ina Zhupa – Ishte pyetje: a i keni seriozisht këto të dhëna, sepse mua më duket sikur po tallen me njerëzit? 

Lindita Nikolla – Dakord, përfundojeni zonja Zhupa. 

Ina Zhupa – Faleminderit! 

Pyetja ime ishte shumë serioze dhe doja të kuptoja nëse këto të dhëna i kanë seriozisht, apo do të na thonë se janë të dhëna të hakëruara dhe nuk i kishin seriozisht, por i bëjnë thjesht për të matur opinionin publik.  

Pyetja e fundit, e cila duket si personale, nuk është personale, është për të kuptuar nivelin e punësimeve në INSTAT, sepse ndoshta këto të dhëna që na vijnë nga censi mund të jenë rezultat i nivelit të dobët të punësimeve. A jeni ju në dijeni që, pavarësisht se bletë 8 mijë tableta, kam pasur dhe kam raste me foto, të cilat mund t’jua vë në dispozicion, por besoj se ju e dini më mirë se unë, që nuk i kanë bërë anketimet me tableta, por përsëri i kanë bërë me letra, në raste të caktuara edhe në mes të Tiranës? 

 Me këtë e mbyll dhe më vjen shumë keq që një institucion, i cili duhet të ishte baza e shtetit për të dhënat, të degradojë në të dhëna të tilla, siç është censi i fundit.  

Faleminderit!