Pyetje ndaj ministrit të financave mbi projekt-buxhetin 2025 / 18 Nëntor 2024

Bilanci i qeverisë tregon se teprica buxhetore, zoti Ministër, në shtator të këtij viti ishte 700 milionë euro, sepse investimet kapitale u realizuan në masën 30%. Pyetja e parë është: pse nuk u realizuan investimet për vitin 2024? 

Ndërsa qeveria është e paaftë që të shpenzojë 700 milionë euro, kjo do të thotë që rreth 70 miliardë lekë i mungojnë ofertës monetare, gjë që, sigurisht, ndikon në kursin e këmbimit dhe në mbivlerësimin e lekut. Si ka ndikuar kjo sipas jush, zoti Ministër i Financave, në flluskën e kursit të këmbimit, i cili lidhet drejtpërdrejt pastaj me uljen e produktivitetit të ekonomisë sonë? 

Lajmi i mirë i këtij buxheti, sipas jush, është rritja e planifikimit për investime, por, duke qenë se kjo qeveri nuk ishte në gjendje të ekzekutonte investimet që kishte parashikuar për këtë vit, kur ato ishin vetëm 5,2% e GDP-së, ku e mbështesni ju entuziazmin që këtë vit do të shpenzoni më shumë se 6% të GDP-së? 

Për ta bërë më të thjeshtë për qytetarët, qeveria funksionon me ekonominë, pak a shumë, si një kompani, si një entitet privat… 

Elisa Spiropali – Zonja Zhupa pyetjet, ju lutem!  Ina Zhupa – Pra, si një entitet privat, në të cilin qeveria është aksioneri kryesor dhe investitori më i madh, që vetëm tërheq para nga ekonomia nëpërmjet taksave dhe nuk investon asgjë. Çfarë mendoni ju se ndodh me këtë kompani? Zoti Ministër, ne biem dakord që sa herë hapet një gropë me pagesë, nga këto qindra milionë euro që i bëni për rrugët, rritet prodhimi i brendshëm bruto; sa herë një pensionist shkon te mjeku privat, rritet prodhimi i brendshëm bruto; sa herë që një fëmijë shkon në një shkollë private, sepse nuk shkon dot të arsimohet në shtet (pasi kemi lagje të tëra në Tiranë që nuk kanë shkolla, si: Astiri apo Kodra e Diellit), rritet prodhimi i brendshëm bruto; sa herë ngrihet charter-i “Ismaili” i Kryeministrit, rritet prodhim i brendshëm bruto, mirëpo kjo lidhje… 

Elisa Spiropali – Zonja Zhupa, a keni pyetje për ministrin e Financave, apo keni vetëm komente? 

Ina Zhupa – Po, kam pyetje. 

Elisa Spiropali – Po bëjeni pyetjen, ju lutem! 

Ina Zhupa – Po bëj kontekstin, pra.  

Elisa Spiropali – Dilni te pyetja. 

Ina Zhupa – Kjo lloj rritjeje nuk ka sjellë rritjen e mirëqenies, sepse ndryshe do të kishim rritje reale të pagave, të pensioneve dhe të ndihmës sociale. Pyetja është: si ka mundësi, zoti Ministër, megjithëse GDP-ja rritet, konsumi individual për frymë, që mat fuqinë blerëse të qytetarëve të një vendi dhe mirëqenien materiale të tyre, sërish e rendit Shqipërinë të fundit, me 39% të mesatares europiane, ndërkohë që Bosnja e ka 41%, Maqedonia e Veriut 49%, Serbia 52% dhe Mali i Zi 60%? Kjo ishte pyetja. 

Pyetja tjetër, zoti Ministër, është: si ka mundësi që ju deklaroni se nuk paska rëndësi në këtë buxhet dhe nuk parashikoni minimumin jetik prej 200 eurosh, duke deklaruar që nuk ka një studim për këtë? A e dini ju që ka një studim të mirëfilltë nga Avokati i Popullit që e ka thënë këtë shifër jo sot, por para dy vjetësh? A e dini ju konsumin për frymë që nxjerr INSTAT-i, dhe na i kërkojnë të gjithëve neve bashkë kur shkojmë dhe deklarojmë, është 22 mijë lekë? Pra, nuk e dini ju që duhet minimumi jetik?! Nëse ju besoni se shifra jonë është e pajustifikuar, cila është shifra juaj për minimumin jetik dhe pse nuk e keni përfshirë këtë në buxhet?  

Pyetja e fundit lidhet me arsimin: si ka mundësi që nuk parashikoni asnjë lloj investimi në arsim? 

Shumë faleminderit! 

PJESA 2:

 Do ta bëj pyetjen pa kontekstin, sepse e kuptuam si rritej GDP-ja. Si ka mundësi që, megjithëse GDP-ja rritet, konsumi individual për frymë, që mat fuqinë blerëse të qytetarëve të një vendi dhe mirëqenien e tyre materiale, sërish e rendit Shqipërinë të fundit me 39% të mesatares europiane? Nëse do, t’i përsëris edhe vendet e tjera, Bosnja 41%, Maqedonia e Veriut 49%, Serbia 52% dhe Mali i Zi 60%. 

Shumë faleminderit!