Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Faleminderit për paraqitjen e deritanishme, zonja Mitrojorgji, drejtoreshë e Përgjithshme!
Siç jeni në dijeni, ne do të vazhdojmë me pyetje, konstatime dhe shqetësime që mund të kemi qoftë në parim, qoftë të rasteve konkrete, të cilat mund të jenë nga zonat e gjithsecilit prej nesh apo nga njohuritë e thelluara që mund të kemi për çështje të kulturës.
Dua t’ju them se kemi nisur siparin e seancave dëgjimore pikërisht me ju, sepse besojmë se kultura është shumë e rëndësishme, por mund të jetë edhe në funksion të turizmit, siç e përmendët edhe ju. Kështu që, në njëfarë mënyre, edhe ne kemi treguar vëmendje të veçantë ndaj jush, duke ju ftuar të parët në hapjen e këtij komisioni të ri të dedikuar për kulturën, turizmin, më pas edhe për diasporën. Në këtë aspekt edhe pyetjet që kemi, besoj se edhe kolegët, janë disa, sepse janë të akumuluara edhe nga fakti që nuk kemi pasur seanca të këtij lloji edhe një komision të dedikuar. Kështu që, do t’i lutesha gjithsecilit, të komunikojmë me njëri-tjetrin me durim dhe qetësi.
Atëherë, po ju pyes për disa çështje parimore, por edhe me shembuj konkretë. Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili bën edhe një monitorim të gjendjes së monumenteve të kulturës, të cilin e kam këtu, thuhet se monumente që nuk ekzistojnë më, që janë shkatërruar plotësisht, janë 122; monumente që kanë nevojë për restaurim janë 884; monumente që kanë nevojë për mirëmbajtje janë 745; objekte të tjetërsuara janë 98 dhe objekte pa kartelë identifikimi, që është edhe pjesë e punës suaj, janë 15. Këto janë gjetje të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në lidhje me këto gjetje, cili është qëndrimi dhe puna juaj si institucion, pse ka kaq shumë monumente të shpallura me ligj të mbrojtura, se de facto nuk janë, që ndodhen në gjendje të rrënuar, ndërkohë që ligjërisht është kompetencë e institucionit tuaj për t’i ruajtur dhe për t’i restauruar? Nisur nga këto, gjendja për Shqipërinë është tragjike. A e merrni një kopje të raportit të KLSH-së në lidhje me…
Jo, në fund, kur t’jua jap unë.
A e merrni një kopje të raportit të KLSH-së në lidhje me gjendjen që kanë monumentet? A keni bërë një reflektim në lidhje me këtë, për të thënë se ku duhet që të ndërhyni? Nëse keni projekte konkrete të restaurimit apo të ndërhyrjeve emergjente pas këtij raporti, mund t’i merrni si shembull edhe këtu.
Unë do t’i bëj të gjitha pyetjet, prandaj mbajini shënim që të keni mundësi të ktheni përgjigjet.
Në Shqipëri është më se evidente, besoj se biem të gjithë dakord, që janë dhënë leje ndërtimi brenda zonave të mbrojtura historike. Kemi shembuj konkretë, si, për shembull, në
Gjirokastër, Berat dhe Butrint. Shembulli që unë do t’ju sjell është “pika e vogël” e Mirela Kumbaros: Gjiri i Manastirit.
E nderuar drejtoreshë, raporti i UNESCO-s dhe i ICOMOS-it thotë: “Nuk është respektuar monitorimi arkeologjik nga investitori”. Iris Pojani ka bërë një raport, nuk e di nëse e keni mandatuar ju apo është raport privat, por edhe në atë raport, sipas UNESCO-s, nuk përmendet struktura rrethore, që u zbulua në vitin 2010 dhe më pas rezultoi të ketë qenë brenda hapësirës së projektit. UNESCO-ja thekson se vendimi për të ndërhyrë u mundësua pikërisht pas zvogëlimit të Parkut Kombëtar të Butrintit, në muajin janar të vitit 2022, gjetjet janë atje dhe konfirmohen nga banorët e zonës dhe monitoruesit arkeologjikë. Pyetja për ju është: a keni pasur monitorim arkeologjik, si detyrë funksionale, duke qenë se ju e dini që është në Gjirin e Manastirit? Çfarë ju ka dalë nga monitorimi juaj arkeologjik? A keni pasur presione politike apo ekonomike për të ndryshuar raportin, që të ndërtohet në këtë zonë ose në zonat e tjera, siç po ndërtohet në Berat apo në Butrint, duke qenë se ju jeni institucioni përgjegjës?
Heshtja administrative që po bëni, pasi nuk ju kam parë ndonjëherë të ngrini zërin për sa u përket lejeve që jepen për ndërtim në zonat e mbrojtura me objekt të trashëgimisë kulturore, zgjidhni vetë të heshtni, apo është e imponuar nga presione që vijnë nga ministria apo faktorë të ndryshëm politikë dhe ekonomikë?
Ju thatë se gjatë gjithë kohës jeni në mbikëqyrje të situatës, për të parë se ku mund të ndërhyni. Në vazhdën e kësaj heshtjeje administrative, ne nuk kemi parë ndonjë reagim publik nga institucioni juaj tani që po e drejtoni ju apo edhe më parë, në rastet flagrante. Për shembull, kur u shemb Teatri Kombëtar, Instituti juaj, edhe pse e kishte për detyrë të mbronte trashëgiminë kulturore, zëre se nuk ekzistonte, pasi nuk arriti dot të bënte asnjë deklaratë publike. Çfarë ndodh në këto raste, pasi jam kurioze të kuptoj edhe presionin që ju mund të keni nga shumë faktorë?
Në detyrat tuaja, të cilat parashikohen në ligj dhe në vendimet përkatëse, thuhet: ju jepni leje për miratime ose refuzime për ndërhyrje restauruese ndërtimore apo restaurime në zonat me potencial arkeologjik, zonat e mbrojtura dhe monumentet e kulturës. Në lidhje me këtë kam një pyetje shumë konkrete: a keni dhënë leje për përçudnimin që iu bë Via Egnatias? A ju ka pyetur njeri për këtë? A keni një korrespondencë paraprake, para se bashkia të ndërhynte? A e keni lejuar ju që të bëhej kjo ndërhyrje ndërtimore në Via Egnatia? Nëse nuk kishit dijeni paraprakisht, kur u bë çështje publike e madhe dhe u njohët, a keni një qëndrim? A keni pasur korrespondencë me bashkinë? Çfarë do të bëni, që të mos e humbisni këtë pjesë të trashëgimisë historiko-kulturore shqiptare? Si e zgjidhni që të merrni informacion, nëse nuk keni për këtë rast, të përhershëm, të vazhdueshëm nga bashkitë, për sa kohë që mendojnë të ndërhyjnë në monumentet e kulturës apo në zona me potenciale kulturore? A keni ju diçka të institucionalizuar, për të cilën mbani korrespondencë të vazhdueshme apo qëndrim të vazhdueshëm në lidhje me këtë?
E nderuar drejtoreshë, nëse kalon bulevardin, shikon ministritë. Ju e dini që ministritë janë pjesë e një ansambli historik të mbrojtur, ndërkohë, siç është lyer njëra, nuk është lyer tjetra, pasi janë bërë sipas shijeve të ministrave. A keni ju një qëndrim publik se si fasadat e institucioneve, që ndodhen në mes të Tiranës, do të duhej të trajtoheshin si pjesë e ansamblit historik, të mbrojtura me VKM, të jenë ashtu siç e kërkojnë standardet e historisë dhe të monumenteve të kulturës? Instituti juaj e ka për detyrë dhe duhet të reagojë lidhur këtë çështje.
Unë jam deputete e Sarandës, e qarkut të Vlorës. Ju e njihni marrëveshjen për Butrintin, pasi është bërë kur ka qenë ministre dhe drejtuese e bordit zonja Elva Margariti, i cili i është dhënë me koncesion AADF-së, ku shteti është minoritar. Ju, si institucion, e dini që Butrinti brenda vetes ka pasuri dhe monumente të jashtëzakonshme kulture, a keni akses për ta parë gjendjen e tyre? A keni akses për të bërë raporte për ndërhyrjet që duan të bëjnë? Unë kam parë tenderët që bën AADF-ja, të cilat janë për ndërhyrje restauruese dhe kërkohen privat. Cili është roli juaj në këtë proces? Kush na garanton që fondacioni koncesionar, AADF-ja, e mbron trashëgiminë tonë kulturore?
Në informacionin që na sollët, ju keni listuar projekte të ndryshme, të cilat nuk janë me emra, por janë me shifra, por dua të di diçka në lidhje me projektet. Këtë verë më ka rënë në sy një projekt i një OJF-je, Shpella e Spilesë në Himarë, i cili ishte 2,5 milionë euro. OJF-ja kishte marrë copy paste një projekt në Kinë për një shpellë të Kinës, ku i kishte ndryshuar vetëm emrin dhe e kishte quajtur Shpella e Spilesë në Himarë. Me anë të këtij projekti kishte fituar një grant prej 2,5 milionë eurosh.
Ju si institut, pse nuk zgjidhni që t’i bëni vetë dhe me studiues shqiptarë? A keni qasje ndaj dhënies së parave te privati për sa i përket trashëgimisë sonë kulturore? A na garantojnë apo na sjellin projekte copy paste nga Kina, të cilat nuk lidhen me realitetin e historisë shqiptare, se si duhet ruajtur apo lartësuar identiteti dhe trashëgimia jonë kulturore, pasi është detyra juaj kryesore? Kush i monitoron? Kush i ndjek? Cili është roli i Institutit kur projekti fitohet nga OJFja, pasi përsëri është detyra juaj ligjore për të mbrojtur atë monument apo atë trashëgimi kulturore të rëndësishme për vendin?
Shqetësimi tjetër që kam ka të bëjë edhe me faktin, që ju e përmendët, ku shumë shpesh trashëgimia përfshihet në situata, që janë të pakontrollueshme, siç është zjarri apo situata të tjera të kushteve atmosferike, si tërmeti, ku u përfshi Durrësi, i cili ende po i vuan pasojat. A mund të na thoni se ku konsiston ndërhyrja juaj kur kemi të bëjmë me këto lloj fatkeqësish natyrore?
Unë kam si shembull katër raste, të cilat janë objekte fetare, por edhe pjesë e trashëgimisë kulturore. Çfarë raportesh keni me bashkitë përkatëse? A ndërhyni ju në restaurimin e tyre? A bëni një evidentim të dëmeve, sipas asaj që kërkojnë ligji dhe shkenca, nëpërmjet njerëzve profesionistë për ta bërë? Unë kam parë që shkojnë specialistët e bashkisë për të bërë evidentimin e dëmeve, të cilët nuk ia kanë fare idenë se çfarë paraqet ajo për trashëgiminë kulturore dhe se si duhet të mbrohet apo duhet të evidentojnë dëmin. Kur u dogj Parku Kombëtar i Finiqit shkuan specialistët e bashkisë dhe thanë: nuk ka problem janë djegur vetëm disa gurë, ndërkohë që gurët ishin historia atje. Ata kanë tjetër perceptim për dëmin. Ata e shohin dëmin vetëm te bagëtitë, te pemët e ullinjve, pra diçka materiale, ndërkohë ne kemi për objekt tjetër gjë. Prandaj nuk duhet t’u lihet në dorë specialistëve të bashkive, por Instituti juaj duhet të jetë garant për evidentimin dhe restaurimin.
A publikoni raport vjetor në lidhje me përdorimin e fondeve që keni nga buxheti i shtetit? A merrni fonde si Institut nga donatorët kombëtarë? A auditohen këto fonde, duke qenë se nuk janë në fondin e KLSH-së, sepse ka vetëm buxhetin e shtetit?
Patjetër, e kemi kohën pa kufi dhe mund të bëni pyetje sa të doni.
Zonja drejtoreshë, në Tiranë është vendosur që 15 vila historike kulturore të Tiranës të tjetërsohen dhe të kthehen në kulla, ndoshta jo të gjitha, por parimisht gjatë rrugës të gjitha mundësisht do të kthehen në kulla. A jeni të informuar mbi këtë plan të qeverisë shqiptare, të iniciuar nga Mirela Kumbaro, për prishjen e vilave të vjetra në Tiranë dhe krijimin e hapësirave të reja ndërtimore, me qëllim që të bëhen kulla apo objekte të tjera të larta? Cili është qëndrimi juaj dhe çfarë masash do të ndërmerrni lidhur me këtë?
Cilat janë masat konkrete që ka marrë Instituti juaj për të parandaluar vjedhjen e artefakteve që gjenden nëpër kisha, muze apo zona arkeologjike? A keni një sistem monitorimi aktiv? Nëse keni, sa raste janë zbuluar dhe sa janë ndjekur penalisht me iniciativën e institutit tuaj? Pra, që i keni evidentuar dhe i keni denoncuar për të marrë përgjegjësi penale.
Zonja drejtoreshë, unë kam kontakte të përhershme me arkeologët shqiptarë, me Institutin e Arkeologjisë, me studiues shqiptarë edhe për shkak të funksionit. Një nga kritikat themelore që ata kanë për Institutin, është fakti që arkeologët, historianët, arkitektët dhe restauruesit shqiptarë shmangen maksimalisht. Projekteve tuaja u mungon transparenca, që të kenë mundësi të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e tyre. Për t’i dhënë përgjigje edhe kësaj kritike, a mund të na thoni: sa arkeologë historianë apo restaurues keni që bashkëpunoni për projektet tuaja? Si funksionon përzgjedhja e tyre? Aplikojnë sipas thirrjeve për projekte të caktuara, apo punoni vetëm me stafin e përhershëm? Ky është një shqetësim që më është ngritur në mënyrë të vazhdueshme, që nga emra të mëdhenj të arkeologjisë deri te njerëzit, që sapo mbarojnë universitetin dhe duan të përfshihen për të krijuar eksperiencë.
Për ta mbyllur këtë sesion të parë të pyetjeve, por jo të vetmin, vetëm për hir të kolegëve.
(Ndërhyrje pa mikrofon.)
Tani, ndaj jemi këtu jemi që të bëjmë pyetje. Do ta merrni fjalën, unë e kam në fillim…
I mban mend drejtoresha, se ka ardhur edhe me staf, mban edhe shënime, pra besoj se e ka kapacitetin për këtë.
Ne fjalën kemi.
Instituti, e përmendët ju, ka disa bashkëpunime konkrete me shkolla apo me universitete.
Pa dashur që t’ju kërkoj emra, dua të kuptoj se çfarë roli i keni vendosur vetes, se çfarë roli keni në ligj e shikoj, për të bërë atë që unë e quaj edukim kulturor kombëtar? Si ndikoni ju që shoqëria shqiptare të ketë atë edukimin me kulturën, mbrojtjen për trashëgiminë kulturore dhe vetëdijesimin për të mos e shkatërruar këtë trashëgimi, për ta mbrojtur atë, për ta evidentuar dhe për t’ju thënë juve edhe kur ka problematika?
Ju përmendët sezonin turistik, duke thënë se ishte një sezon i suksesshëm dhe kjo është për t’u diskutuar. Ju thatë që keni në fokusin tuaj për të rritur vizitueshmërinë e siteve të trashëgimisë kulturore. Mua më bëre kurioze dhe, në fakt këtë pyetje e shtova, për të ditur: çfarë po bëni ju konkretisht për të arritur vizitueshmërinë e këtyre siteve, sepse, në dijeninë time, guidat mungojnë, audioguidat po e po, infrastruktura që të çon atje, siç e përmendët edhe ju, është jashtëzakonisht e keqe në shumicën e rasteve, me raste të caktuara mund të jenë bërë investime. Kështu që, ku konkretisht ndërhyni ju, që ta bëni të rritet vizitueshmëria e këtyre siteve të trashëgimisë kulturore, që për ne është shumë e rëndësishme, sepse janë më shumë të ardhura, më shumë njohje e kulturës dhe identitetit kombëtar?
Me këtë po e mbyll sesionin e parë të pyetjeve.


