Pyetje në Kuvendin e Shqipërisë ndaj Leka Bungos, kryetar i Keshillit Drejtues i RTSH | 6 korrik 2023

Faleminderit, zoti Bungo për raportimin!

Në fakt, RTSH-ja ka dy vjet që nuk raporton në Kuvend dhe më në fund iu rikthye detyrimit kushtetues. Pyetjet e mia për ju janë këto:

  1. A mbani përgjegjësi që keni shkelur ligjin

me zgjedhjen e drejtorit të ri të Përgjithshëm të RTSH-së, ish-deputetin socialist, zotin Alfred Peza?

  1. A e dinit ju që zoti Peza ishte pronar i një portali me emrin “Alpenews.al” dhe ligji “Për medien audiovizive”, neni 104, ia ndalonte atij të zgjidhej?
  2. Pse i keni skualifikuar kandidatët nga gara, të cilët kishin plotësuar kriteret ligjore dhe keni shpikur një votim për të mos i votuar ata si kandidatë për drejtorë të Përgjithshëm të RTSH- së?
  3. A e dini ju se zoti Peza ka qenë drejtor i “Panorama group” deri më 29 dhjetor 2022, pra, më pak se 6 muaj nga zgjedhja e tij si drejtor i RTSH-së dhe i njëjti ligj “Për mediet audiovizive”, neni 104, ju ndalonte ju që ta zgjidhnit, dhe atij që të kandidonte?
  4. A e dini ju që zoti Peza ka qenë deputet i Partisë Socialiste gjatë mandatit 2013-2017 dhe i njëjti ligj, neni 104, i ndalon ata që kanë pasur një mandat deputeti apo që kanë konkurruar për të qenë deputet gjatë dy legjislaturave të kaluara, për të kandiduar, sepse 2013-2017 është një nga dy legjislaturat e kaluara?
  5. Pse keni shkelur ligjin dhe nuk i keni kërkuar asnjërit prej kandidatëve dokumente nga Autoriteti i Dosjeve, siç ju detyron ligji, që drejtori i RTSH-së nuk duhet të ketë qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo spiun? Ju e kishit detyrim që në kriteret e hapjes së garës të kërkonit edhe këtë dokument nga të gjithë kandidatët dhe asnjë nga kandidatët nuk e ka paraqitur këtë dokument, sepse ju nuk ua keni kërkuar.
  6. A do të ribëni ju një proces ligjor, duke i dhënë fund kësaj farse me zgjedhje të paracaktuar të një njeriu politik si Alfred Peza, apo në vend të kësaj do të jepni të gjithë dorëheqjen si Këshill Drejtues i RTSH-së, për këtë shkelje të ligjit që keni bërë?
  7. Zoti Bungo, me dy drejtorët e mëparshëm të RTSH-së, zotin Gëllçi dhe më pas zotin Joti, ju keni pasur në mënyrë të vazhdueshme konflikte në lidhje me menaxhimin e Radio-Televizionit Shqiptar dhe, në fakt, unë ju kam dhënë të drejtë. A mendoni se duke zgjedhur në mënyrë të paligjshme zotin Peza, do t’ju garantojë se do të menaxhohet mirë RTSH-ja apo do të vazhdojmë me të njëjtën mënyrë të paligjshme, siç u zgjodh ai vetë?

Faleminderit!