Replikë me deputetin Ulsi Manja mbi sistemin e drejtësisë në Shqipëri / 27 Tetor 2025

E para, zoti Manja, se me çfarë merremi ne, e dimë vetë, nuk do të na i shkruash ti fjalimet me çfarë të merremi.   Për aq kohë sa drejtësia është shqetësimi i qytetarëve, edhe kur merresh me arsimin, edhe kur merresh me turizmin, edhe kur merresh me kulturën, do apo nuk do, do të përballesh me drejtësinë, se, për shembull, AADF-ja me Bashkinë e Durrësit u bëjnë një shpronësim banorëve, sipas qejfit, dhe më pas ata shkojnë në dyert e gjykatave. Ja pra, edhe çështjet e kulturës, të turizmit dhe të arsimit kanë lidhje me drejtësinë! 

Në pikën 2 të nenit 42 të Kushtetutës thuhet: “Kushdo, për mbrojtjen e të drejtave, të lirive dhe të interesave të tij kushtetues dhe ligjorë, ose në rastin e akuzave të ngritura kundër tij, ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj”, zoti Manja. Ne nuk ua kemi dhënë qytetarëve të drejtën e tyre kushtetuese. Këtë që ua jep Kushtetuta, nuk ua japim ne, pra nuk ua garanton ky Kuvend. Pse them “ky Kuvend” dhe jo “gjykatat”? Sepse është vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili thotë qartësisht, që ne, si Kuvend, kemi dështuar. Gjykata Kushtetuese vlerëson se sjellja e autoriteteve shtetërore, në veçanti e atyre që miratojnë ligje, pra tonat, nuk ka qenë në nivelin e duhur të efikasitetit, duke shkaktuar vonesa të paarsyeshme në çështjet gjyqësore dhe është Gjykata Kushtetuese që na thotë neve, jo me 30 minuta fjalim këtu, por edhe me 47, po deshe, të marrim masa për të bërë ligje që shërbejnë për të ulur numrin e stokut, të vëmë godina në dispozicion, që gjyqtarët të mos i marrin dosjet me vete në shtëpi dhe të kemi mundësi t’u japim drejtësi qytetarëve dhe jo thjesht fjalë, fjalë, fjalë, për 12 vjet vetëm fjalë. 

Faleminderit!