Replikë me kryetarin e Kuvendit / 29 Shtator 2025

Në fakt, Parlamentit i shkon që të mblidhet dhe të diskutojë për çështjet e qytetarëve, të diskutojë për problematikat e qytetarëve, për projektligjet dhe jo të mblidhemi dhe të bëjmë thjesht noterin e atyre që vendosni ju atje. Shumicën, siç e sollët edhe sot, sollët 19 projektligje në një ditë për t’i miratuar… 

Niko Peleshi – Zonja Zhupa, ndjesë, se nuk dua t’ju ndërpres! 

Ju lutem, kur të kalojmë te pika e programit mund t’i ngrini pretendimet që lidhen edhe me Konferencën e Kryetarëve. Jemi te procesverbali, një gjë shumë teknike, dhe ju po e ktheni në një debat politik. Sa i takon procesverbalit të javës së kaluar, a keni ndonjë vërejtje për tekstin?  

Ina Zhupa – Po, kam. 

Niko Peleshi – Nëse jo, kur të kalojmë te pika tjetër, do të keni mundësi të flisni. 

Ina Zhupa – Po, kam disa vërejtje. Procesverbali është po aq i rëndësishëm për të kuptuar se si ka funksionuar seanca, si niset kjo seancë dhe cilat janë prioritetet e këtij Kuvendi. Dua t’ju them se prioriteti i këtij Kuvendi nuk mund të jetë thjesht kartoni, për të ngritur një karton dhe për të kaluar një procedurë në pesë minuta, duhet të jenë demokracia, transparenca, llogaridhënia dhe bërja e interesit publik. Këto kanë munguar në këto seanca, këto kanë munguar edhe në atë procesverbal dhe, me siguri, do të mungojnë edhe në procesverbalin e ardhshëm, se nuk po flitet për qytetarin. Del raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe ky Kuvend nuk e diskuton, sepse flet për korrupsion dhe për krim… 

Niko Peleshi – Faleminderit! 

Ina Zhupa – Jo, nuk e kam mbaruar… 

Niko Peleshi – Fjalën për procesverbalin e ka kërkuar zoti Balliu. 

Ju lutem, ju rikujtoj edhe një herë se fjala për procesverbalin nuk është një vlerësim i çfarë u tha në seancën e kaluar, por është thjesht vërejtje, nëse ka, për tekstin që pasqyron çfarë u tha në seancë! Pra, vetëm teksti, jo si duhej të ishte seanca.