Replikë në Kuvend ndaj ministrit të jashtëm mbi mospërfshirjen e opozotës në Samitin e Diasporës 2026 / 16 prill 2026

Zoti ministër, do ta filloj nga Maqedonia e Veriut, të them të drejtën, keni bërë shumë mirë që keni reaguar, sepse keni bërë detyrën tuaj, si ministër, por çështja ishte për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sepse ai përfaqëson të gjitha palët dhe një vullnet politik përtej qeveritar. Është në nderin e këtij Kuvendi, për sa kohë kemi reaguar të dyja palët.  

Për ta shmangur këtë, sepse besoj se biem dakord që është thjesht vullnet për ta diskutuar mes kryetarëve të grupeve, për diasporën dua t’ju them: po, është e vërtetë që keni sjellë një email të premten në orën 23:00 për deputetët, pasi kisha dalë me një deklaratë publike ditën e mërkurë për mospërfshirjen e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, pasi ju kishit publikuar në faqen tuaj agjendën zyrtare. Në agjendën zyrtare nuk kishte asnjë deputet, as nënkryetari i Komisionit të Diasporës, meqenëse donit ta shmangnit opozitën.  Ne, nëse flasim për diasporën, do të duhej të ishim bashkë në organizim, do të duhej të ishim bashkë në ndarjen e paneleve dhe të objektivave. Realisht, përveç diskutimit, të cilin e the shumë mirë, the një të vërtetë të madhe: nuk i dëgjuam, por ne folëm. Pra, ata ishin si dëgjues. Ju kishit sjellë diasporën që t’ju dëgjonte, kur mund t’ju dëgjonin live edhe nga Facebook– u, por do të ishte mirë që t’i dëgjonit dhe të bënit ndonjë punë për ta.  

Ndoshta nuk e dini, por me ligj, e kemi kaluar këtu, ju e prishët fondin shqiptar të zhvillimit të diasporës. E kishim në ligj dhe e hoqët, sepse nuk u jepnit fonde që nga vitit 2022. Ka ardhur zëvendësministrja, e cila ka thënë: do ta shuajmë fare. Pra, në vend që t’i jepnit fonde, e hoqët fare nga ligji.  

Kërkesës së tyre, për një dhomë biznesi të diasporës, iu përgjigjët me zero. Ju duhet të keni akte për diasporën, për përfshirjen e saj reale, jo samite propagandistike, me panele ku janë ministra… 

(Bie gongu.)     

Ina Zhupa – …zëvendësministra dhe drejtorë drejtorish, ku njëri moderon dhe tjetri flet në panel, duke e dëgjuar njëri-tjetrin për sukseset dhe diaspora i duartroket.  

Niko Peleshi – Përfundoni fjalinë, ju lutem! 

Dëgjoni diasporën, bëni akte reale dhe në samitin e pestë jemi të gjithë të gatshëm të jemi aty, por kur e organizojmë bashkërisht dhe për interes së diasporës, jo të propagandës elektorale.  

Faleminderit!