Pyetje ndaj drejtueses së INSTAT për raportimin në Kuvend për vitin 2022 | 13 korrik 2023

Pyetjet e mia janë këto:

Pyetja e parë. Një nga ankesat e rëndësishme të INSTAT-it është ajo e buxhetit të familjes, ku ne arrijmë të kuptojmë qartësisht edhe nivelin e pabarazisë në një shoqëri. Si ka mundësi që nga vitit 2020 ju nuk e publikoni më këtë raport, i cili duhet të ishte detyrim për INSTAT-in dhe i domosdoshëm edhe për ne, për të kuptuar më shumë?

Pyetja e dytë. Censi duhet të ishte kryer që në vitin 2021, sipas standardeve të Eurostat-it, pra, 10 vjet pas atij të vitit 2011. Vonesa në kryerjen e censit sjell dëmtime serioze në politikat e ndërmarra ekonomike dhe sociale. Pse nuk e keni kryer atë dhe pse nuk arrini dot nivelin e INSTAT-it, të paktën atë të para 12 vjetëve, dhe jo më të progresoni me ritmin e shoqërisë dhe teknologjisë në bërjen e statistikave?

Pyetja e tretë: pse nuk janë publikuar rezultatet e censit të bujqësisë? Ne e kemi thënë edhe në këtë parlament që bujqësia është një nga fushat dhe degët prioritare, pasi në momentin që neve na mungojnë këto statistika të rëndësishme, ne nuk vazhdojmë dot më tej me politika të suksesshme në këtë fushë.

Pyetja e katërt: si e mat INSTAT-i numrin e turistëve në vend (ju na keni deklaruar vitin e kaluar një numër rekord vizitorësh), sipas strukturave akomoduese apo nga hyrje-daljet në pikat doganore? Për shembull, unë mund të dal për të shkuar me pushime në Itali dhe kur kthehem në Shqipëri të llogaritem si turiste, sepse kam hyrë në Shqipëri, ose raste të tilla, ku i njëjti qytetar vjen nga Rinasi, del në Kosovë për dy ditë, kthehet prapë në Shqipëri, del përsëri, ju e llogaritni 5 apo 6 turistë, ndërkohë që ai është i njëjti person.

Pyetja e pestë: në një kohë kur qytetarët sot, po t’i pyesësh dhe po t’i dëgjosh, thonë se blejnë më pak për shkak të çmimeve të larta (besoj se ky është një realitet qe e pranojmë të gjithë), instituti juaj raporton për rritje të konsumit në vend, sepse sipas INSTAT-it në tremujorin e parë të vitit shitjet me pakicë u zgjeruan me 4,4% në raport me të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë. Ju matni realitetin apo shkruani siç i nevojitet qeverisë që të paraqesë propagandën?

Shumë faleminderit!