Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Më shumë se kurrë dëgjuam këto ditë shprehjen: “Në emër të popullit”. Në emër të popullit keni vendosur të legalizoni kanabisin; në emër të popullit keni vendosur të legalizoni paratë e pista; në emër të popullit vendoste edhe partia juaj përpara, kur kishte emrin ndryshe, në emër të popullit internonte, në emër të popullit dënonte, në emër të popullit vriste, në emër të popullit bënte të gjitha mizoritë dhe krimet, që ju sot doni, po ashtu, t’i bëni në emër të popullit në një formë tjetër.
Harxhuat miliona lekë për një pseudokëshillim kombëtar, miliona lekë për t’i dërguar me postë, miliona lekë për t’i printuar ato materiale që në fund të na tregonit atë që kishit vendosur të bënit, në fakt, para këshillimit.
Ata 500 mijë qytetarë (nëse janë përgjigjur dhe si janë përgjigjur, këtë nuk dimë, se ky është një mister që e dini vetëm ju,), sigurisht, nuk përfaqësojnë shumicën. Sigurisht, sepse kjo ana këtej ka 622 mijë vota, 100 mijë vota i ka Partia Lëvizja Socialiste për Integrim, dhe janë të paktën 722 mijë vota, që janë shumë e më shumë se sa ato 500 mijë qytetarë, të cilët mund të jenë përgjigjur dhe nuk i themi maxhorancë, por është opozita. Ju me 500 mijë përgjigje fantazmë, që nuk e dimë se si ndodhi, doni të na vendosni diktaturën e kanabisit dhe doni të keni një arritje: të hiqeni nga raportet për kultivimin e kanabisit, sepse do ta bëni të ligjshëm.
Arritja do të jetë kjo: nuk do të jeni më në raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit si një vend trafikimi dhe kultivimi i kanabisit. Në fakt, mua më vjen keq që në një vend ku, në fakt, manipulohen votat ditën për diell, ne t’ju besojmë se pyetësorët, që bëni nëpër sheshe dhe i dërgoni me postë, i keni të saktë dhe të drejtë.
Partia Socialiste ka 13 vjet që nuk bën zgjedhje për kryetar dhe në shembullin e kësaj demokracie të brendshme mund të na bëni një këshillim kombëtar dhe t’i pyesni qytetarët: a mendoni ju se duhet t’i bëjmë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, sepse ka njerëz që thonë se nuk janë të nevojshme? Në bazë të këtyre rezultateve të këtij këshillimi, t’i heqim zgjedhjet dhe të vazhdoni, se njëra nga ministret e ka kërkuar, në fakt, kthimin në monarki, ku Edi Rama drejton. Mos u bëni Zeusi, mos u bëni qesharakë! Keni harxhuar pafund para të shqiptarëve në drejtim të paditur. Sot në këtë krizë keni detyrimin moral, detyrimin si shtetarë për ato vota që keni marrë dhe keni vjedhur që t’u përgjigjeni qytetarëve në krizë dhe të mos talleni me paketat për pensionistët (ia thashë ministres së Financave dhe nuk ishte e zonja të përgjigjej), kur ushqimet e kanë inflacionin 7,3% dhe ju thoni se po ju indeksojmë me 3%. Jo, zotërinj, duhet t’i përgjigjeni të paktën normës së inflacionit, se e keni detyrim, dhe të bëni paketa që u shërbejnë qytetarëve dhe jo të harxhoni para për letra këshillimi kombëtar për të arritur pastaj në konkluzionet, që i donit vetë paraprakisht dhe që ua kërkojnë oligarkët, se ata do ta mbjellin kanabisin, nuk do ta mbjellin fermerët dhe fshatarët. Janë oligarkët që ju mbështesin ju me vota; janë trafikantët që sot bëjnë pastrimin e parave edhe në fusha të tjera, siç i ka nxjerrë Departamenti Amerikan i Shtetit. Keni detyrimin që kësaj krize t’i përgjigjeni me paketa sociale; i keni gati. Opozita jua ka vënë në dispozicion dhe është e gatshme t’ju japë edhe ekspertizë, nëse nuk e keni, por mos mendoni se shqiptarët mund t’i bëni budallenj me copa letrash, që i printoni e i bëni vetë, me pyetje fantazmë, për të cilat janë përgjigjur 500 mijë qytetarë, që nuk përfaqësojnë asgjë, dhe t’i ktheni në vendin e kanabisit, vendin e krimit, në vendin ku mund të përfitojë ku gjithkush, përveç njerëzve të ndershëm, të cilët jetojnë me djersën e ballit në këtë vend të bekuar nga natyra, por të mallkuar nga qeveritarët.
Faleminderit!