Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë për “ligjin e të drejtave të autorit” | 14 prill 2022

Sot diskutojmë disa ndryshime në ligjin “Për të drejtën e autorit”, i cili ka kaluar paraprakisht në një diskutim të gjatë, siç e përmendi dhe zonja Ministre, të paktën në komisionin përgjegjës, pra në Komisionin për Median dhe Informimin Publik.

Ç’është e vërteta, zonja Ministre, në radhë të parë më vjen keq për faktin se që nga koha kur ky ligj është miratuar në vitin 2016, ende sot nuk keni miratuar një VKM, siç e thashë edhe në komision, për atë që quhet “tarifa e kopjes private”. Për gjithë ata që nuk e dinë, çdo subjekt që importon apo prodhon mjete, të cilat transmetojnë një vepër, qoftë celulari, qoftë një televizor, qoftë një radio, do të duhet të paguajë një tarifë që do t`u shkonte autorëve nëpërmjet agjencive. Por vetë qeveria, pavarësisht që ligji ia detyron, nuk e ka miratuar VKM-në me tarifat përkatëse që duhet të paguajnë këto subjekte, importuese në këtë rast, se në Shqipëri nuk prodhohen dhe t`u shkonin autorëve. Fee-në duhej ta vendosni ju, duhet ta kishit vendosur ju, sepse bëhet fjalë për një ligj të vitit 2016, ndërkohë që sot jemi në vitin 2022. Nuk e di nëse arsyeja ka qenë neglizhenca, ndryshimet në dikastere apo arsyeja ka qenë fakti se ata që janë importues të këtyre mjeteve, janë edhe ata që mund të cilësohen si pjesë e atyre oligarkëve që ju bëni gjithçka për t`i mbrojtur, pavarësisht se në këtë rast nuk u rëndojnë shumë xhepat për të dhënë një fee, tarifë për të drejtën e autorit, që u shkon autorëve të veprave; e para kjo.

E dyta, për sa u përket ndryshimeve që keni sjellë, ndryshimi i parë lidhet me sportelin unik. Krijohet dhe regjistrohet si organizatë jofitimprurëse, ndërkohë që vetë ndryshimet që keni bërë ju, japin të drejtën që drejtori ekzekutiv, pra organi më i lartë ekzekutiv, të zgjidhet nga Këshilli Kombëtar për të Drejtën e Autorit, një organ shtetëror. Pra, krijojmë një OJF, pastaj drejtorin ekzekutiv ia zgjedh ministria, një organ shtetëror. Në radhë të parë, krijohet kundërshti mes dy ligjeve, pra këtij ligji dhe ligjit “Për organizatat jofitimprurëse”. Në radhë të dytë, ka dyshime të arsyeshme, ngaqë ju doni ta kapni edhe këtë, që ta keni nën kontroll, duke e vendosur ju drejtorin ekzekutiv, që në fund të ditës do të monitorojë dhe këto agjenci.

Së treti, i keni nisur këto ndryshime që në vitin 2020, siç na e bëjnë me dije agjencitë, por nuk keni bërë dëgjesa me agjencitë. Ne si komision jua kërkuam, por e shtytë. Të vetmet dëgjesa që u bënë, ishin ato që ndodhen në komision, në fakt, ku erdhën agjencitë. Disa nga përfaqësuesit tuaj mbajtën shënime, por ndryshimet që sollën ishin vetëm heqje presjesh apo shtim i ndonjë fjale, asgjë thelbësore nga ato që kishin kërkuar dhe kërkojnë agjencitë.

Edhe sot, edhe para dy ditësh Saimir Kumbaro, Elton Deda ju kanë sjellë, ju kanë drejtuar letra për ndryshimet që duhet të ndodhin në këtë ligj. Kanë kërkuar nga ne që të mos miratojmë kështu siç është. Sigurisht, ne do t’u përgjigjemi nevojave të autorëve dhe të agjencive, ashtu siç jua kemi kërkuar edhe në komision.

Së katërti, keni një kontradiktë shumë të madhe: thoni se po bëni gjithçka që të anëtarësojmë sa më shumë joanëtarë brenda agjencive, në mënyrë që edhe shpërndarja të jetë e organizuar dhe të kenë mundësi të përfitojnë sa më shumë. Nga ana tjetër, kur bëhet fjalë për penalitete për agjencitë, të cilat unë do t’jua them se si i keni bërë, ju thoni: “Nuk është interesi ynë agjencia, nuk na interesojnë fare agjencitë, se ato mund të mbyllen dhe mund të hapen të reja, ndërsa interesi është autori”. Këtu ka një kontradiktë: edhe thoni se doni t`i fuqizoni, duke u çuar edhe joanëtarët që të bëhen pjesë e agjencive, por nga ana tjetër nuk ju intereson nëse mbyllen apo jo agjencitë.

Agjencitë kanë kërkuar, nisur edhe nga viti pandemik, gjë që ia kam thënë dhe zëvendësministres në komision, sepse ju nuk ishit mbështetur në faktin se kanë disa detyrime ligjore, të cilat ua kërkon ligji, shteti, për pagesat që duhet të bëjnë kur të ardhurat e tyre nuk i tejkalojnë këto nevoja për të përmbushur pagesat që i detyron ligji, të mos ua hiqnit licencën dhe të mos i mbyllnit. Është shumë e thjeshtë: mund të bënit parashikim në rastet e fatkeqësive, mund të bënit parashikim duke e vendosur vetë ju se sa është shuma minimale, sepse zëvendësministrja tha: “Ata abuzojnë, sepse paguajnë rroga shumë të mëdha; ka shumë para aty, ndaj abuzojnë.” Po ju, pse jeni? Ju jeni që të vendosni kufirin. Duhet të vendosni diçka dhe jo të sillni ndryshime në ligj, sipas të cilave u hiqni licencën agjencive, në qoftë se raporti i shpërndarjes tek autorët me raportin e shpenzimeve është i disbalancuar, ngaqë ata nuk kanë bërë shpërndarje tek autorët, sepse të dyja janë detyrime ligjore.

Zoti Kumbaro, jo zonja ministre, që nuk qenka, se pastaj do të kërkonte të drejtën për replikë, na vë përpara një fakti shumë të thjeshtë. Ai është regjisor, ndaj po marr si shembull filmin: “Koncert në vitin 1936”. Nga të ardhurat, Robert Ndrenika merr 30 % të shumës si aktor i veprës, ndërsa Kumbaro, regjisori që ka zgjedhur aktorin dhe gjithë pjesën tjetër, kompozitorin, skenaristin mund të marrë vetëm 20% nga e drejta e autorit. Agjencia ka kërkuar edhe rishikimin e kësaj ndarjeje, ndaj do të ishte në dinjitetin tuaj t’i dëgjonit, që të reflektonit në lidhje me ndryshimet që kërkojnë autorët.

Nga ana tjetër, ka një problematikë mbi atë që është parimi i prezumimit, Ju keni vendosur që agjencitë e administrimi kolektiv (AAK) të mbledhin dhe të japin të ardhurat edhe për joanëtarët. Për joanëtarët këto të ardhura depozitohen te Ministria e Kulturës, në mënyrë që kur jo anëtarët nuk i marrin, më pas Ministria e Kulturës t’i depozitojë në buxhetin e shtetit. Tendenca duhet të jetë që jo anëtarët të anëtarësohen në agjenci. Në fakt, ajo që ndodh, është që, kur agjencitë shkojnë në një restorant, në një bar e të tjera, që emetojnë një muzikë të caktuar, se është gjëja më e zakonshme, të cilën e ka sjellë edhe “Albautor” si problematikë, thonë: unë kam 250 autorë shqiptarë, të cilët janë të regjistruar dhe janë pjesëtarë të agjencisë. Mjafton që zotëruesi i këtij bari, lokali e të tjerë të më thotë që nuk jam duke emetuar atë muzikë që ju keni, pra 1%-in që ata nuk e kanë të përfaqësuar, që të mos marrin asnjë para nga përfaqësimi i 250 autorëve, si agjencia më e madhe e administrimit kolektiv.

Nga ana tjetër, ka një problem midis të drejtës së transmetimit dhe të drejtës së autorit. Këtë e ka sjellë përsëri në vëmendje zoti Kumbaro. Kur transmetohen filmat në televizione (zoti Kumbaro në këtë rast e sjell si shembull për të tjerët dhe nuk është thjesht çështje individuale), ndodh që nuk merr asnjë para nga e drejta e autorit, që i lindin nga e drejta e transmetimit të filmit dhe të prodhimit të tij në kanalet e televizioneve shqiptare apo të profilizuara për të dhënë filmat shqiptarë. Pra, ju solla disa problematika konkrete, por ka edhe shumë të tjera. I bie që, në qoftë se unë do të marr të gjithë listën e problematikës që kanë sjellë agjencitë e administrimit kolektiv, ne së bashku këtu do të qëndronim 3 orë. Ju solla tri çështjet më të rëndësishme: sportelin unik, çështjen e prezumimit dhe për sa i përket ndarjes së përqindjes, sepse ju nuk i keni reflektuar në ndryshimet që i keni bërë ligjit. Sigurisht, është në të mirën e atyre që na dëgjojnë, sidomos të autorëve dhe të agjencive, të merrni një vendimmarrje dhe në mbledhjet e radhës së qeverisë të reflektoni për të miratuar VKM-në për tarifën për kopjen private.

Faleminderit!