Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
E ndiej detyrim moral për votuesit e mi të flas për turizmin si deputete që përfaqësoj qarkun e Vlorës, konkretisht Sarandën, Konispolin dhe Finiqin.
Zonja ministre e nisi fjalën e vet duke lexuar atë që e quajti “listë dëshirash”. Në fakt, do të ishte shumë e mirë në qoftë se do të ishim në vitin 2013, sikur zonja ministre sapo të kishte marrë detyrën dhe të na thoshte dëshirat që ka për të bërë në një periudhë 4 -vjeçare apo në një periudhë 8-vjeçare, por sot jemi në vitin 2022 dhe i takon ta nisë fjalimin jo me atë çfarë duam të bëjmë, por ta nisë fjalimin me atë çfarë kanë bërë. Duhet ta nisë fjalim duke treguar se cilat janë arritjet e qeverisjeve të Edi Ramës, pavarësisht nëse ka qenë ministre ajo apo dikush tjetër në këto 9 vjet, duke u thënë qytetarëve se çfarë është bërë në drejtim të turizmit.
Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se gjatë viti 2021 numri i të huajve që vizituan Shqipërinë arriti në 5,6 milionë, shifër që është shumë larg rikthimit në normalitet, të asaj që ishte, të paktën, në vitin 2019. Janë futur 2,9 milionë turistë të huaj më pak. Nuk është thjesht dhe vetëm pandemia, siç ishte në vitin 2020, por janë edhe politikat që ka ndjekur kjo qeveri në këta 9 vjet, që na kanë katandisur në ulje të turizmit dhe me politika me listë dëshirash ende mbas 9 vjetësh qeverisje.
Siç thonë operatorët turistikë, turizmi nga arabët dhe indianët ishte më i shumti, sepse e përdorën si tranzit që të mos bënin karantinën 10-ditore, por ky është një turizëm që vjen një herë dhe nuk të përsëritet më. Ne kemi nevojë për turizëm të vazhdueshëm, turizëm nga vendet perëndimore, turizëm që kthehet në traditë, me turistë që e vizitojnë Shqipërinë herë pas here.
Është interesante sesi morën garanci sovrane incenaratorët (unë fola për inceneratorët në pikën që kaluam), por nuk mori garanci sovrane asnjë nga operatorët turistikë, për t`i ndihmuar në krizë që u përballën me pandeminë. Moshapja në kohë e linjave detare KorfuzSarandë ka dhënë një ndikim të madh në numrin e turistëve të huaj dhe shqiptarë, si edhe moshapja dhe mosfunksionimi në kohë i pikave doganore dhe mosfunksionimi i linjave të transportit ndërkombëtar me udhëtarë me autobusë, nga Kakavija dhe nga Qafë Bota, të cilat janë pikat kryesore, zonja Ministre, për hyrjen dhe daljen e turistëve dhe emigrantëve që jetojnë në Greqi. Kjo, sepse jo vetëm ministria që ju drejtoni, por edhe Ministria e Infrastrukturës, nuk pati vullnetin të negocionte me qeverinë greke që të arrinte t’i hapte në kohë këto pika doganore, të hapeshin që në muajin prill mundësisht, por ju ishit duke u marrë me fushatë dhe nuk merreshit me turizmin, ai që ishte paraardhësi juaj, dhe marrëveshjen e arritët ndërkohë që sezoni turistik kishte nisur.
Ndërkohë, qytetet vuanin, sidomos ato të Jugut, për shkak të mungesës së kësaj marrëveshjeje, e cila duhet të ishte bërë më shtetin fqinjë. Ende kanë probleme, nuk është ministrja, por unë i ftoj që të bëjnë takim me Shoqatën e Transportit Ndërkombëtar dhe Kombëtar.
Infrastruktura e brendshme e qyteteve është në gjendje mjerane dhe unë i referohem qytetit që përfaqësoj, Sarandës. Nuk merret asnjë masë minimale për mbushjen e gropave dhe kanaleve, që hapen vetë nga strukturat shtetërore si Ujësjellësi apo kur bëhet shtrirja e linjave të internetit. Deri vonë ishte e pamundur të shkoje në Ksamil nga Saranda, sepse rruga ishte hapur dhe nuk rishtrohej, mbasi ishin vendosur telat e internetit dhe tubat e ujësjellësit.
Gjithashtu, problem tjetër është gjendja kaotike në trafik. Shkoi me pompozitet Kryeministri para fushatës së 25 prillit dhe inauguroi disa rrugë që nuk u bënë. Nëse do të bëhej rruga poshtë Lëkurësit, nga Stacioni i vjetër Elektrik deri tek Ushqimorja, te kanali i Çukës, do të lehtësonte trafikun gjatë sezonit turistik. Çfarë ndodhi? Ndërmorën një politikë gjysmake, që ndalonte furnitorët të furnizonin dyqanet gjatë ditës, por mund ta bënin atë vetëm gjatë natës, me anë të së cilës zgjidhën problemin e trafikut, shpikën rrotën. Në fakt, nuk bënë asgjë, vetëm sa i shtuan kostot biznesit, sepse ata parkonin aty gjithë ditën dhe përsëri kishte trafik.
Besoj se e mbani mend çfarë ndodhi gjatë sezonit turistik. U vranë njerëz për plazhet, për shezlongët, sepse qeveria ishte marrë shumë me fushatë dhe kishte harruar të ndante zonat publike, shezlongët dhe plazhet publike. Kjo situatë nuk erdhi nga privati, por nga keqmenaxhimi qeveritar, ndaj këtë përgjegjësi qeveria duhet ta mbajë dhe duhet ta korrigjojë në sezonin e ri turistik.
Mungesa e plazheve publike për pushuesit është akoma evidente, prandaj besoj se duhet të ketë një politikë edhe për këtë gjë.
Ju përmendët fuqinë punëtore të specializuar. Kur erdhët në pushtet në vitin 2013, ju folët për arsimin profesional, por në vend që të rritej numri i punëtorëve të specializuar, ai është ulur, sepse arsimi profesional ka përfunduar në kurse gjermanishteje, e cila duhet për të ikur sa më parë nga Shqipëria.
Gazeta të huaja hapeshin me titullin: “Kryeqyteti europian i rinisë që po i ikën rinia”. Ky është realiteti. Në qoftë se ne nuk u ofrojmë paga të mira specialistëve në fushën e kuzhinës, në atë që ju e thoni që është “resurs”, kulinarinë shqiptare, në hoteleri-turizëm, atëherë është e kotë, sepse edhe shërbimi do të jetë i padëshiruar, do të shikojmë ato skema që i kemi parë dhe çmimet do të jenë të larta, sepse shteti nuk është aty për të monitoruar abuzuesit.
Turizmi nuk bëhet në rënie të lirë, që gjithsecili e bën sipas dëshirës, krijon struktura akomoduese, merren vesh vetë privati me privatin, por duhet të jetë i mirorganizuar nga shteti dhe duhet të jete prioritet.
Sipas INSTAT-it, 42 mijë familje jetojnë me të ardhurat nga turizmi. Nëse do të kishit pasur vullnetin (mos thoni nuk kemi para, sepse ato i keni, keni 430 milionë euro që i dogjët për plehrat), paratë e buxhetit të shtetit duhet t’i çonit në funksion të qytetarëve, në funksion të sektorit të turizmit dhe në funksion të asaj që prodhon turizmi për ekonominë, sepse turizmi prodhon për ekonominë, për tregtarët, jo vetëm për ata që merren drejtpërdrejt me turizmin, por edhe për ata që përfitojnë në mënyrë të tërthortë nga turistët që vijnë në Shqipëri.
Ju si deputete e Gjirokastrës dhe unë si deputete e Sarandës kemi 12 vjet që e presim tunelin dhe rrugën e Kardhiqit. Ju do të na thoni se është një arritje e madhe, por kjo kur ta shikojmë, sepse kemi 12 vjet që e presim dhe i ndieri që e ka inauguruar, sot nuk jeton më.
Është e rëndësishme që, kur flasim për turizmin, sidomos ju, zonja Ministre, të mos flisni për listë dëshirash, sepse ajo i takon një njeriu që nuk është në pushtet, por të flisni për politika konkrete.
Konventa që vjen sot për votim është shumë e mirë, ne do ta votojmë pro, por miratimi i saj nuk sjell asnjë ndryshim real dhe cilësor në kuptimin monetar në xhepat e atyre që operojnë në sektorin turistik apo të atyre turistëve që presin një ofertë turistike nga Shqipëria.
E vetmja reklamë që mbahet mend është që ju morët një film të vjetër që fliste për shqiptarët dhe thoshte: “Ku je, do të të gjej”. Që nga ai moment nuk mbahet mend më të jenë bërë fushata promovimi dhe thirrje për turistët e huaj që të vizitojnë Shqipërinë.
Nëse nisem për të vizituar çdo sit, që nga Butrinti apo Syri i Kaltër, ku ju ishit para pak ditësh, rruga për të shkuar atje është e tmerrshme, kurse pagesa nuk dihet ku shkon. Thatë që do ta ndryshoni, por keni 9 vjet në qeveri dhe nuk mund të flisni sikur keni 6 muaj. Këto janë emergjenca, sepse sektori i turizmit dhe bujqësia janë e ardhmja e Shqipërisë.
Shumë faleminderit!
Replikë me Ministren Kumbaro:
Më citove gjatë gjithë kohës, duke më dhënë mundësinë për të bërë replikë me ju dhe ju falenderoj për këtë! E di që kalanë e Gjirokastrës e keni mbipopulluar, e keni përdorur edhe për dasma, dhe si lokal dasmash, normalisht që ka goxha popullim.
Po, sepse jeni mësuar ta keqpërdorni trashëgiminë kulturore. Për Butrintin kishit parashikuar lokal qoftesh. Në manastirin e Kostarit duhet të shkosh me makina të larta, sepse rruga për të shkuar atje është si shteg dhish, pa harruar disa rrugë që nuk u bënë, ku me makina normale ti nuk shkon dot. Isha tani, në fakt, para një viti, se viti ikën shumë shpejt.
Për sa u përket fondeve që ju keni vënë në dispozicion (se, në fakt, detin, qiellin dhe tokën, Shqipërisë ia ka dhënë Zoti, këtë kemi të mirë, për të cilën duhet të falënderojmë Zotin dhe jo ju), ju nuk keni shtuar asgjë, në fakt, në ofertën turistike që ka Saranda. Butrintin, është e vërtetë, mund të ma tregoni ju, sepse nuk ka ciceron dhe nuk ka kush ta tregojë. Por besoj që jo të gjithë e kanë luksin që t’ua tregojë ministrja, flas për turistët që do të shkojnë atje ta shikojnë. Te Syri i Kaltër besoj që keni edhe ju, sepse paraqitët se do të bëni një projekt “do të”, por atje përsëri kishte një rrugë të prishur, asnjë njeri që të tregonte asgjë, një lokal të vjetër dhe një tra, që herë ngrihej e herë jo.