Fjalim në Kuvend, diskutim mbi propozimin e PS për ngritjen e “Komisionit të Dizinformimin” si Komision që cenon median / 18 prill 2024

Para se të mbaj qëndrim, dua të korrigjoj diçka që tha ish-ministrja Kushi. Nuk është e vërtetë që kemi pasur dakordësi në komision. Ndoshta keni pasur dakordësi në anën tuaj, se ne nuk e kemi votuar në mënyrë anonime, as unanime, as në mënyrë të fshehtë dhe as në mënyrë të hapur dhe dua ta sqaroj tani, që të sqaroj edhe publikun. Para se të kaloj këtu, jam e lumtur që zyra e Delegacionit të Bashkimit Europian ka reaguar sot në lidhje me komisionin e dezinformimit, duke jua hedhur poshtë edhe propagandën ku fshiheshit se këto janë kërkesa të Delegacionit, këto janë kërkesa të Amerikës dhe këto janë kërkesa të Europës, duke thënë që komisioni duhej të ishte dhe të bëhet me konsultim të gjerë, do të duhet të pyeteshin organizatat e medies dhe shoqëria civile, do të duhet të merrej ekspertiza e Komisionit Europian dhe e Komisionit të Venecies, më pas të merren masa për problemin real të minimit të demokracisë. Pra, me pak fjalë, janë ato fjalë që jua kemi thënë në këtë seancë, në Konferencën e Kryetarëve dhe kudo, por ju zgjodhët të bënit të kundërtën, zgjodhët ta bënit me shpejtësi, pa pyetur për opozitën, pa pyetur për organizatat e medies, pa pyetur për shoqërinë civile, duke u mjaftuar me votën tuaj pro edhe në këtë seancë, edhe në Konferencën e Kryetarëve. Diçka që merret në mënyrë të njëanshme, nuk mund të jetë kurrë në interesin e publikut; nuk mund të jetë kurrë një mekanizëm që garanton lirinë e medies, lirinë e shprehjes në një vend demokratik që aspiron anëtarësimin në Bashkimi Evropian. 

Për sa i përket projektligjit, në komision ka ardhur zëvendësministri i Drejtësisë, por do të ishte kënaqësi nëse do të kishte ardhur edhe ministri i Drejtësisë, që të kishim mundësi ta dëgjonim edhe ne të Komisionit të Medies, që nuk kemi shumë lidhje me çështjet e drejtësisë, por, meqë ishte rasti, mund të kishte ardhur. 

Megjithatë, për sa i për sa i përket ligjit, këtu fshihet problemi i madh me disa artifica të vogla. Ato që Ministria e Drejtësisë i konsideroi si gjuhë të rralla, në fakt, nuk është koncepti i gjuhëve të rralla që ka bota, i gjuhëve që janë në zhdukje, pra nuk po flasim për latinishten apo për gjuhë të tjera që e gjithë bota i ka shqetësim. Gjuhë të rralla ne quajmë ato gjuhë që nuk kanë përkthyes në Shqipëri, por nuk janë gjuhë të rralla, por janë gjuhë që mund të fliten shumë në botë dhe një nga këto ishte gjuha koreane apo janë edhe gjuhë të tjera. Kjo tregon mungesën e politikave të shtetit shqiptar për t’i çuar studentët që të studiojnë në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, për t’i hapur dhe për t’i mbështetur me bursa këto degë, për të mbështetur studentët që të zgjedhin profesionin e përkthyesit dhe njerëzit që merren me gjuhën. Ju jeni mësuar t’i gënjeni studentët; jeni mësuar që, edhe kur propagandoni bursa për programe prioritare, të bëni ashtu siç tha Manastirliu në komision: “Jo, e kemi ndryshuar, nuk i kemi më për programe prioritare, por i kemi për degë që janë në rrezik zhdukje”, pra ndryshe nga çfarë thotë VKM-ja dhe ndryshe nga çfarë tha ministrja paraardhëse e saj, Kushi. E ndryshuat konceptin vetëm që të mos t’u jepen bursa studentëve shqiptarë, vetëm që të mos u jepen 40 mijë lekë të rinj studentëve shqiptarë, si mbështetje për të studiuar në universitet në degët prioritare.  

Fakti që keni vendosur që një problemi të tillë, që lidhet 1) me keqmenaxhimin e arsimit dhe 2) me shpopullimin e Shqipërisë, t’i jepni zgjidhje me një artificë, ku stafet e ambasadave të shërbejnë si përkthyes, tregon qartësisht se ju nuk doni të përballeni me problemin real që ka Shqipëria: me dështimin e arsimit dhe me shpopullimin, por doni thjesht të zgjidhni një situatë afatshkurtër, që është modeli më i keq. Pushtetarët duhet të mendojnë për zgjidhje afatgjata dhe të qëndrueshme, jo për zgjidhje që nuk u kthejnë dot përgjigje as pyetjeve që ne ngritëm në komision: si do të garantohej cilësia e përkthimit; kur një përkthim do të përkthehej nga gjuha anëtare, dhe morëm shembull gjuhën letoneze, në anglisht dhe pastaj nga anglishtja do të përkthehej në shqip, cili nga këta përkthyes do të mbante përgjegjësi për cilësinë e përkthimit dhe për rëndësinë që kanë fjalët, sidomos në një proces penal, në një proces gjyqësor. Zëvendësministri juaj, përveçse ishte pak filozofik (kush lindi e para fjala apo koncepti), nuk diti të jepte përgjigje. Ai tha: “Të paktën nuk është pa gjë, por do të ketë një përkthim”. Por nuk është kjo mënyra se si bëhen politikat, pra të thuhet që të paktën nuk do të ngelet pa përkthim, por do të ketë një përkthim, sepse, kur ndërmerren iniciativa të tilla, duhet që cilësia të jetë e para, dhënia e shërbimit duhet të jetë korrekte për t’i mbrojtur ata njerëz, sidomos kur bëhet fjalë për procese penale, për procese që mund të kenë dëme të drejtpërdrejta në jetën e tyre, në mirëqenien e tyre dhe të familjeve të tyre. 

Shteti shqiptar në këta 12 vjet që qeveriset nga socialistët, ka treguar qartësisht që nuk e ka problem se çfarë cilësie shërbimi ofron; nuk e ka problem se si qaset ndaj studentëve, ndaj fermerëve, ndaj shtresës së mesme dhe ndaj kujtdo, mjafton që paratë e destinuara për qytetarët të shkojnë në xhepat e qeveritarëve. 

Në pikën tjetër të rendit të ditës, që lidhet edhe me këtë, kemi Kolegjin e Evropës.  Këtë nismë e votuam të gjithë bashkë pro, e cila ka një moment shumë interesant. Në Kolegjin e Evropës për 5 bursa jepen 150 mijë euro, që do të thotë se është llogaritur që një student të ketë rreth 30 mijë euro bursë për të studiuar, ndërsa në universitetet shqiptare nuk u jepen as 40 mijë lekë bursë. Ky është standardi që kanë studentët evropianë dhe studentët shqiptarë kur do të studiojnë në Kolegjin Evropian në Shqipëri dhe standardi që ofroni ju për studentët shqiptarë, për ata që duhet t’i nxisni që të rrinë në Shqipëri, që duhet t’i nxisni që të kontribuojnë në Shqipëri, që duhet t’i nxisni që të punësohen në Shqipëri. 

 Këto nuk janë politikat e duhura, pra që mundoheni ta shisni si evropian Kolegjin dhe si sukses përkthimin nga stafet e ambasadave, kur zëvendësministri i Drejtësisë na bëri me dije që nuk ka asnjë marrëveshje deri më tani të lidhur, të konceptuar apo të diskutuar me stafet e ambasadave ose të organizatave, por është thjesht një mendim që ka Ministria e Drejtësisë për ta zgjidhur këtë çështje. Nuk e dimë se si do të përgjigjen këto stafe dhe sa të gatshëm do të jenë për të shërbyer.  

Nga ana tjetër, ju nuk e dinit nëse stafi i ambasadës apo i organizatës, lëvizte në një punë tjetër, pra nëse do të ikte nga puna, a mund të vazhdonte ta ushtronte përkthimin zyrtar? Pra, a lejohet të vazhdojë përkthimin, meqenëse kur ishte staf i ambasadës, përkthente? Përgjigjja tjetër që dha zëvendësministri, është: “Jo, individët nuk mund të përkthejnë, vetëm stafet mund të përkthejnë”. Po kur stafi kthehet në individ, se nuk është i detyruar të punojë gjithë jetën atje, një herë njihet si përkthyes, se punonte në ambasadë, një herë nuk njihet? Pra, këto janë disa zgjidhje që nuk e shikojnë problemin në sy, nuk e shikojnë  problemin në rrënjën e tij, por mundohen t’u bëjnë kozmetikë problemeve që ka Shqipëria, mundohen të bëjnë një fasadë dhe të thonë: “Ja, ne po lëvizim dhe po bëjmë diçka”, por lënë të pazgjidhur thelbin e problemeve; lënë të pazgjidhur atë që duhej të ishte një bashkërendim midis Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Drejtësisë dhe gjithë qeverisë, që t’i kthenin sytë nga rinia, t’i kthenin sytë dhe buxhetin nga arsimi dhe të kishim më shumë profesionistë në të gjitha fushat, pse jo edhe në fushën e përkthimit. Këto do të ishin zgjidhje afatgjata dhe të qëndrueshme, për të cilat opozita do të votonte pro. Por, në këto kushte, sigurisht që vota jonë do të jetë kundër. 

Shumë faleminderit!