Fjalim në Kuvend mbi kundërshtimin e dhënies se fondeve shtese për Bashkinë Tiranë pasi ato abuzohen nga zyrtaret e Bashkise / 9 Maj 2024

Në fakt, mendova se do ta kishit shtyrë këtë marrëveshje, se nuk e prisja se do të gjenit guximin të mbronit Bashkinë e Tiranës në situatën kur është zhveshur nga e gjithë propaganda.  

Nuk mendova se do të kishit guximin të flisnit për korrupsion, kur vidhen tenderët me 100% të vlerës, ku drejtorët e bashkisë bëjnë kompani për t’i marrë paratë vetë dhe përpunimet t’i bëjë Bashkia e Tiranës me lekët e taksapagueve; nuk mendova se do të ishit krenarë për “5D”-në; nuk mendova se do të ishit krenarë për titullarin e atij institucioni “5D”, për Erion Veliajn, që është thirrur në SPAK dhe që i ka aferat stivë, për të cilat duhet të ishte thirrur edhe më parë në SPAK, mirëpo ju të çudisni gjithmonë! 

 Ju jeni krenarë për korrupsionin, jeni krenarë për vjedhjet, jeni krenarë se si korrupsioni ka kaluar, sipas raporteve të OSBE-së, ku dikur thuhej se ish-kryebashkiaku Rama ishte i famshëm për 20%-shin atëherë, tani është kaluar në 100% të vlerës dhe kjo ju bën krenarë. Është rritje në fakt, nga 20% në 100%, por nuk është nga ato rritje që i shërbejnë publikut, por është rritje që u shërben xhepave tuaj për të vjedhur taksat e qytetarëve, për të vjedhur paranë publike.  Ne sot flasim për “Transportin e gjelbër” dhe për mbrojtjen e mjedisit. Po, ne kemi një fushë të gjelbër, fushën e gjelbër të inceneratorit të Tiranës. Aty ku duhet të ishte inceneratori i Tiranës, sot kemi një fushë ekologjike, pasi inceneratori nuk ekziston dhe ne vazhdojmë e paguajmë. Pra, ne e paguajmë një fushë të gjelbër sikur të jetë një incenerator që djeg mbetjet e Tiranës dhe për këtë paguajnë 29 euro për ton pa TVSH. Deri më sot janë dhënë 135 milionë euro nga buxheti i shtetit, nga privati, nga Bashkia e Tiranës për inceneratorin fantazmë dhe për këtë ne duhet t’ju japim më shumë para, për këtë duhet të miratojmë që të vidhen më shumë para. Është njësoj sikur t’i varësh ujkut mëlçitë në qafë. Pra, pasi ti e ke të zhveshur propagandën që Bashkia e Tiranës është një organizatë kriminale me në krye kryetarin e bashkisë, t’i japësh edhe 100 milionë të tjera për t’i gjetur nëpër xhepat e “5D”-ve. Besoj se këtë nuk do ta pranonte asnjë njeri i arsyeshëm, jo më opozita e këtij vendi, që është votuar për të qenë garant i interesit publik.  

Ju e keni parë vetë besoj se si Erion Veliaj ka reklamuar një linjë autobusi që quhej “Go Green” dhe se si kjo linjë autobusësh do të ishte një linjë e gjelbër dhe do të na ndihmonte në uljen e trafikut, do të ndihmonte në transportin urban. Në fakt, çfarë bëri? Të vetmen gjë të gjelbër që bëri “Go Green” janë fushat e barit kur rrëzohej dhe bënte aksidente, autobusë që kanë ngelur edhe si instalacion në mes Lanës, autobusë që sot nuk kanë asgjë të gjelbër dhe janë me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Me të njëjtin model ju doni që të na mbushni mendjen se do të bëni një gjë ndryshe; lëre më pastaj kur “Team Lali” sot këtu na dha garanci dhe na tha të mos kemi merak se janë fonde gjermane, që nuk mund të vidhen kur vijnë nga jashtë, por harruat që ju keni vjedhur fondet e BE-së, fondet IPARD-it, edhe ato para të BE-së ishin, para të huaja. Në këtë rast ju nuk bëni diferencim, për ju nuk ka rëndësi nëse vijnë nga taksapaguesit shqiptarë, nga ata europianë, nga bankat apo nga kreditë, ju i vidhni njësoj, këtu jeni të drejtë, keni një parim të jashtëzakonshëm, barazi në vjedhje, vidhni këdo, çdo para që ju vjen përballë. Besimi ynë do të ishte një mëkat ndaj qytetarëve, në qoftë se për një moment ne do të besonim se, meqenëse qenkan para gjermane, ju nuk do t’i vidhni apo këto do të jenë në funksion të “Transportit të gjelbër”. 

Në këtë seancë vumë re faktin se asnjëri nga deputetët që foli këtu, nga ata që për mua janë “Team Lali” (akoma paska Lali team në grupin parlamentar, uroj që të qëndroni “Team Lali” edhe kur Lali të shkojë në burg, të shikojmë se sa do të rezistoni brenda Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste), pra, asnjë nga ata nuk arriti dot të thoshte qoftë edhe një fjalë të vetme për të dënuar korrupsionin në Bashkinë e Tiranës, asnjë nga ata nuk arriti dot të thoshte qoftë edhe një fjalë të vetme se ku shkojnë miliona euro për një incenerator që nuk ekziston, që është firmosur me firmën e Lalit, ku Erion Veliaj ka firmosur në emër të këshillit bashkiak, ku Erion Veliaj ka firmosur në emër të të gjitha bashkive të qarkut, dhe kur Erion Veliaj jepte urdhra me e-mail se çfarë duhet të bënte inceneratori i Tiranës, kujt duhet t’ia bënte me pagesë dhe kujt pa pagesë, kur Erion Veliaj dhe Bashkia e Tiranës detyronte kompanitë që të çonin dherat, mirëpo këto nuk i dini ju. Në fakt, i dini shumë mirë se jeni pjesë e këtij realiteti që jetojmë, por thjesht nuk i shikoni, sepse merrni urdhra politikë nga ai që ende sot është drejtues politik i qarkut të Tiranës, Erion Veliaj, që nuk do të jetë edhe për shumë kohë. Mjafton t’ju kujtoj një shifër të thjeshtë, jo shumë të komplikuar. Në buxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2024 janë dedikuar 12 milionë euro për inceneratorin me tarifën 29 euro për ton, një tarifë që prezumonte brenda edhe djegien, që nuk ndodh. Në qoftë se ata do të zbatonin tarifën që ka vendosur IFC-ja me 12 euro për ton, do të kurseheshin të paktën 8 milionë euro çdo vit dhe këto para, pa shifrat me 135 milionë euro, që janë harxhuar deri tani, por vetëm këto para të bashkisë, do të ishin të mjaftueshme që Bashkia e Tiranës t’i bënte vetë investimet në transportin e gjelbër, pa kredi. Por nuk është ky interesi, interesi është të merrni paratë e shqiptarëve. 

Ata 5 drejtorët ishin edhe 5 koordinatorët elektoralë tuajt, të gjithë drejtorët e Bashkisë së Tiranës ishin koordinatorë elektoralë në zonat e Bashkisë së Tiranës gjatë zgjedhjeve lokale. Ata merrnin vota për Erion Veliajn, ata kanë marrë 50 mijë vota për të dhe ju flisni për legjitimitet të zgjedhjeve, ju flisni që ne t’ju japim më shumë para që drejtorë të tjerë, apo të vendosur nga ata, nga burgjet, të marrin para dhe t’i përdorin për interesa elektorale e për t’u pasuruar vetë. Kjo është e papranueshme!  

Mos u fshihni pas emrit të gjermanëve apo europianëve, sepse nuk kanë të bëjnë fare me vjedhjet tuaja. Sot në Ditën e Europës, në fakt, do të duhet të ishit të turpëruar që nuk keni asnjë standard ku t’i përafroheni Europës, asnjë të vetëm, në asnjë drejtim, sado që të mundoheni dhe propagandoni, me demek përafroni legjislacion, kur në realitet asnjë nga ligjet shqiptare, asnjë nga tenderët shqiptarë, asnjë nga mënyrat si funksionojnë institucionet, nuk i ngjasojnë mënyrës se si sillen zyrtarët europianë, se si japin llogari zyrtarët europianë, se si trajtohet Parlamenti në vendet e tjera europiane, se si vijnë e japin llogari dhe ju bëni gjithmonë krejt të kundërtën.  

Ju fshiheni ndaj llogaridhënies, ju fshiheni ndaj transparencës, ju vidhni paratë e shqiptarëve, pa ju dridhur qerpiku, me idenë se do të keni garanci, por garancia juaj kishte datë skadence. Garancia juaj me këtë datë skadence, siç ka çuar eksponentët më të lartë, do të hipë edhe në majat më të larta të grupit tuaj parlamentar dhe të qeverisë suaj, sepse asgjë nga këto nuk mund të bëhej dot pa miratimin dhe pa bekimin e vetë Erion Veliajt. Asnjë nga drejtorët, që ishin koordinatorët e tij elektoralë, nuk do të merrte dot para pa firmën e Erion Veliajt, sepse asnjë nga ata nuk ishte titullar i institucionit që të vinte vulën dhe firmën për t’i kaluar ato para. Sigurisht, rrjeti i merimangës ka kokën e merimangës, që është Erion Veliaj, prandaj qytetarët e Tiranës do të protestojnë, siç kanë protestuar, dhe çdo të martë në orën 11:00 do të jenë përpara Bashkisë së Tiranës, për të protestuar për vjedhjet që u bëhen taksave të tyre. 

Shumë faleminderit!