Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
I shikoj çehret tuaja sot, janë në ditën e vet më të keqe. Po ju rikujtoj shprehjen e Kryeministrit tuaj: “Nuk keni parë gjë akoma”. Dita e sotme është vetëm fillimi i fitores së Partisë Demokratike më 11 maj; dita e sotme është vetëm fillimi ku do të shikoni Sali Berishën në krah të zyrtarëve amerikanë, Sali Berishën, duke përfaqësuar Shqipërinë në të gjithë forumet më të larta dhe duke e lartësuar emrin e vendit, siç dinë të bëjnë vetëm demokratët. Ju e futët Sali Berishën në arrest shtëpie, por ju doli në krah të kryeministrit të ardhshëm të Gjermanisë, ju e shpallët Sali Berishën non grata, por ju doli në krah të kryestrategut të fushatës së Donald Trump. Ju nuk e ndalni dot ndryshimin; ju nuk e ndalni rotacionin që kërkojnë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit; ju nuk bëheni dot më pengesa e shqiptarëve. Një nga një, të gjithë yjet tuaj, të gjithë ata që ju i kishit më afër Kryeministrit apo edhe zëvendësues të
Kryeministrit, siç kishit Lali Erin, tashmë janë ose në arrati, ose në paraburgim, ose në burgim. Ky është fati i atyre njerëzve që nuk punojnë për shqiptarët, i atyre njerëzve që punojnë për të pasuruar familjen e tyre, miqtë e tyre dhe biznesmenët afër tyre; ky është fati i atyre që kanë shpopulluar Shqipërinë, që kanë marrë mallkimet e nënave shqiptare teksa i përcillnin fëmijët e tyre në rrugët e mërgimit; ky është fati i atyre që kanë larguar 1,5 milionë njerëz në 12 vjet nga Shqipëria.
Sot, Chris LaCivita e tha me të madhe, e thatë këtu dhe e përsëritët disa herë që është njeri i kontraktuar nga Partia Demokratike, por çdo parti në glob do ta kërkonte dhe do ta donte ta kishte numrin dy të fushatës së Trump-it. Po pse zgjodhi që të jetë në Shqipërinë e vogël? Pse zgjodhi të jetë në krah të Sali Berishës? E tha, sepse Sali Berisha është njëlloj si Donald Trumpi, sepse Sali Berisha është persekutuar nga një drejtësi e komanduar politikisht nga e majta, sepse Sali Berisha ka të njëjtat vlera konservatore dhe se programi i tij përputhet 100% me programin e Presidentit Trump. Ndaj, ai, që e kërkon i madh dhe i vogël në të gjithë Europën dhe në të gjithë vendet perëndimore, zgjodhi të ishte sot në krah të Sali Berishës dhe të drejtojë fushatën e Partisë Demokratike.
E tha me ironi njëri prej jush, të cilit nuk dua t’ia përmend emrin që të mos i jap të drejtën e replikës, nuk është radhë qumështi apo kosi. Është radha e shqiptarëve, është radha e shqiptarëve për të fituar. Mjaftoi vjedhja e oligarkëve tuaj, e klientëve të pushtetit, atëherë ishte radha e tyre për të vjedhur, për ta shkatërruar Shqipërinë, ndërsa tani është radha e shqiptarëve për të jetuar me dinjitet, tani është radha e Shqipërisë që ta ketë emrin krah partnerëve me njerëz me dinjitet si Sali Berisha dhe si deputetët e Partisë Demokratike, që do të përfaqësohen me votë nga qytetarët e Shqipërisë në datën 11 maj.
Ne sot kemi marrë një përgjegjësi, që të qëndrojmë krah vlerave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës; ne kemi marrë sot një përgjegjësi që ta çojmë Shqipërinë në vendin që i takon, që ta bëjmë Shqipërinë madhështore, që ta përkrahim modelin amerikan të vlerave amerikane të vërteta dhe jo të atyre, siç e tha Chris LaCivita, që janë thjesht pupacë apo thjesht kukulla në duart e George Soros-it.
Ju erdhët këtu dhe morët flamurin proamerikan, a thua se ne që kundërshtonim marrëveshje që lidheshin nga lobistë të Amerikës që shkatërronin identitetin shqiptar, trashëgiminë shqiptare, ishim antiamerikanë. Dje nxora në rrjetin X një citim nga një plan i paguar 300 mijë dollarë me paratë e USAID-it, të dhëna për ADFnë, ku thuhej në pikën 4 se Amerika në vitin 2030 do ta mbarojë shkëlqimin e saj, do të mbarojë fuqia e Amerikës. Kjo ishte e majta amerikane, kjo ishte filozofia e George Soros-it që donte të shkatërronte gjithçka në emër të asaj shoqërie pa gjini, pa fe dhe pa moral. Por ne qëndruam, Donald Trump qëndroi dhe fitoi, Partia
Demokratike qëndroi dhe do të fitojë. Sali Berisha pas 11 majit do të jetë kryeministri i shqiptarëve dhe shqiptarët do të shikojnë ndryshimin e vërtetë, do të shohin se si paratë mund të vihen në shërbim të tyre dhe se si prosperiteti mund t’i kthehet Shqipërisë.
Shumë faleminderit!