Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë mbi lirinë e medias në Shqipëri / 2 maj 2024

Para se të nis diskutimin për çështjen e rendit të ditës, dua të sjell në vëmendjen e këtij Kuvendi faktin që, para nisjes së seancës sonë plenare, gazetarët protestuan përpara Kuvendit, protestuan për atë që quhet Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, që, në fakt, është nesër, për të kërkuar më shumë siguri, më shumë të drejta, më shumë respekt, kështu që zëri i tyre duhej të ishte dëgjuar dhe duhej respektuar më shumë nga Kuvendi, nga qeveria dhe, mbi të gjitha, nga Kryeministri juaj, të cilin e fshihni sa herë diskutohet për lirinë e medies.  

Nga data 1 janar 2023 deri në datën 1 maj 2024 janë bërë 30 sulme ndaj gazetarëve dhe medieve në Shqipëri. 30 gazetarë të kërcënuar, 30 gazetarë në rrezik është një shifër shumë e madhe për një demokraci, është një shifër që tregon një vend që nuk e përjeton demokracinë dhe nuk e respekton pushtetin e katërt: pushtetin e medies. Si anëtare e Komisionit të Medies e ndiej për detyrë ta kthej vëmendjen e këtij Kuvendi në ligjëratat përçmuese, kërcënuese, intimiduese të Kryeministrit Edi Rama ndaj gazetarëve, të cilët i bëjnë pyetje të papëlqyera (apo jo, zonja Denaj), në sjelljen e anëtarëve të kabinetit apo të njerëzve me pushtet, të frymëzuar nga ju. Kryebashkiaku i Tiranës i drejtohej gazetares, Ola Xhama, si killere me pagesë. Gazetarët kanë vuajtur represionin qeveritar, duke i përzgjedhur se kush do të merrte pjesë dhe kush nuk do të merrte pjesë në konferencat e Kryeministrit, se kush kishte të drejtën dhe kush shkonte për internim mediatik. 

 Gazetarët në Shqipëri punojnë në kushte të vështira, ku vetë qeveria dhe partitë politike ua kanë bërë më të vështirë punën. Gazetarët nuk kanë asnjë mbrojtje. Kur projektligji erdhi në Kuvend, një projektligj që e kam depozituar vetë për t’u dhënë garanci gazetarëve që, në qoftë se gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, në garanci dhe në mbrojtje të interesit publik, që është misioni i tyre, ata dhunohen, cenohen, dënimi i dhunuesve të ishte shembullor, i barabartë me dënimin kur dhunohet një mjek apo një polic. E votuat kundër, e votuat kundër pa e diskutuar; e votuat kundër, sepse mendonit se nuk kanë rëndësi gazetarët, aq sa kanë polici apo mjeku, sepse nuk janë punonjës të shtetit. Meqenëse nuk marrin paga në shtet, nuk duhet ta kenë atë mbrojtje, duke qenë se rrezikojnë për një interes publik dhe janë pjesë e një pushteti të pavarur, siç është pushteti i medies, pushteti i katërt.  

Edhe kur gazetarët në Shqipëri shkojnë në procese gjyqësore, ato kalojnë në kalendat greke. Rasti tipik është rasti në gjykatën e Fierit, ku është hapur një gjyq, ku e gjithë Shqipëria e ka parë se si janë dhunuar operatori Igli Zela dhe gazetarja Odeta Gjevori nga noterja Anila Haxhiu dhe ishbashkëshorti i saj, dhe vazhdojnë një gjyqi, i cili kërkon 25 dëshmitarë të thirrur nga noterja për të vërtetuar dhunën, që e panë të gjithë shqiptarët dhe që nuk pranohen kasetat filmike. Duke bërë procese të tilla gjyqësore, dekurajohen edhe gazetarët e tjerë, të cilët cenohen gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, që të mos shkojnë në dyert e gjykatave, sepse nuk do të gjejnë mbrojtje atje. Zyrtarët publikë, nëpërmjet mekanizmave të tyre, të shtrirë edhe në gjykata, pavarësisht reformës dhe drejtësisë së re, presin që ta kalojmë këtë çështje në një çështje që vetëm u jep kosto gazetarëve, kosto financiare dhe kosto kohore, kosto që i tërheqin edhe nga puna e që u bëjnë presione të shumëllojshme.  

Për shembull, gjyqtarja e kësaj çështje e ka zhvilluar seancën e fundit më 5 shkurt dhe seancën radhës e ka lënë më 16 maj. Këto janë standardet që duhet të ketë një gjyq, drejtësia në Shqipëri?!Për këtë duhet të motivohen qytetarët që t’u drejtohen gjykatave; për këtë duhet të motivohen gazetarët që të gjejnë një mbrojtje në gjykata, kur cenohen, intimidohen nga zyrtarët publikë?! Ky është modeli që ju e krijoni vetëm e vetëm për t’i dekurajuar që, edhe kur të dhunohen, ta dinë se nuk e gjejnë dot drejtësinë as në gjykata, sepse do të rrinë atje me vite me radhë, pa e marrë drejtësinë.  

Ky nuk është rasti i vetëm, sepse me të njëjtën gjë përballet edhe gazetari tjetër, Isa Myzyraj, që vazhdon në gjykatë, vazhdon e bën vajtje-ardhje për t’u paraqitur në gjykatë. Këto kosto gazetarët i marrin vetë. Ndërkohë, dhunoni fjalën e lirë, mbështesni dhunuesin e medies dhe i frymëzoni ata për akte të tjera të dhunës. Ky është postulati i kësaj qeverisje.  

Po ashtu, në nisje të kësaj seance votuat kundër një interpelance me Kryeministrin Rama, pikërisht për këtë, për lirinë e medies, për mënyrën se si shantazhohen mediet në Shqipëri, por tani edhe në Itali; se si ndërhyhet në politikat editoriale; se si kërkohet llogari dhe se si përdoret pushteti për të shtypur fjalën e lirë. Përsëri keni bllokuar një seancë, një mbledhje në Komisionin e Medies për të diskutuar, për të folur, për të thirrur edhe Kryeministrin në lidhje me lirinë e medies në Shqipëri, sepse një demokraci nuk kuptohet, në qoftë se nuk ka lirinë e fjalës, lirinë e shtypit.