Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Të nderuar kolegë,
Flasim për krime kibernetike, flasim për të dhënat personale, në fakt, është një temë, për të cilën ka mbetur shumë pak për të folur, sepse nuk ka shqiptar që nuk i akseson dot të dhënat personale të një shqiptari tjetër, falë sistemit tuaj të patronazhistëve. Keni arritur deri aty, sa të dhënat personale t’i përdorni në formë kërcënimesh edhe në seancat e komisioneve parlamentare.
Dua t’ju them një rast, për të cilin mendoja se nuk do të isha e detyruar ndonjëherë të flisja në seancë plenare. Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, erdhi në Komisionin e Edukimit për të raportuar për nisjen e vitit të ri shkollor. Pamundësinë për t’iu përgjigjur pyetjeve të mia me argumente, e ktheu në një betejë personale dhe tha një batutë, të cilën edhe portalet e morën dhe e bënë lajm, ajo tha: “Unë e di mesataren tënde.”.
Realisht do të më vinte mirë nëse do ta dinte mesataren time dhe nuk do ta kisha problem, edhe po ta kishte shkelur ligjin, sepse, fatmirësisht, zonja Kushi, nuk kam asgjë të përbashkët me ju. Unë i kam mbaruar të gjitha ciklet e mia të studimit, që nga klasa e parë dhe deri në fund me medalje ari…
(Ndërhyrje pa mikrofon.)
Faleminderit që ma dhe mundësinë! Mund ta kontrollosh edhe tek të dhënat e mia personale. Unë jam Ina Kadri Zhupa, se ka disa persona me këtë emër, kontrolloje, se t’i jap unë të gjitha të dhënat. Dhe herë të tjera, kur dëshiron të kthesh një përgjigje, mundohu të kesh argumente, ktheju përgjigje njerëzve me argumentet që ju thonë politikanët, mos bëni sulme personale se ja të ndodh si ty: të ngel sharra në gozhdë; do të vësh vetullat dhe nxore sytë.
Meqenëse e hape këtë sfidë, zonja Kushi, se unë kurrë nuk e kam përdorur atë që të ka nxjerrë emisioni i Top Chanel për plagjiaturën, eja këtu tani dhe na trego mesataren tënde të Elbasanit; na trego për doktoraturat e tua. Kurrë nuk ta kam thënë këtë kur kam bërë interpelanca me ju apo kur kam folur për arsimin, sepse mendoj se duhet të flasim për çështjet; edhe atje fola për çështjen. Unë të thashë dhe po ta them përsëri: thuaju qytetarëve, jo vetëm mua, argumentet e tua ligjore përse e mbylle në mënyrë të papritur kopshtin “Zubeyde Hanim”? Më thuaj çfarë kriteri nuk e ka ai kopsht dhe e kanë kopshtet e tjera publike? Gjithashtu, të thashë që je dispropocionale, sepse ta kërkon ligji dhe çdo njeri me njohur juridike e di. Mjafton të marrësh pjesë në seancë plenare dhe e di që në fillim merret vërejtja, pra të tërheq vëmendjen Kryetarja, derisa arrihet te masa e përjashtimit nga seanca. Edhe kur duan të të heqin nga puna, të japin një herë një vërejtje, të paralajmërojnë, pastaj të heqin nga puna; edhe kur të heqin licencën, zonja Kushi, ta thotë ligji, në fillim jepet një paralajmërim, pastaj vihet një gjobë me vlerë nga 10 mijë lekë deri në 100 mijë lekë të rinj, pastaj hiqet licenca, ndryshe nuk ka garanci juridike.
Ti zgjohesh në mëngjes, merr një urdhër dhe si vasale e firmos heqjen e licencës. Kjo nuk ndodh në asnjë profesion, në asnjë ligj. Edhe sikur të mos e kishe lexuar fare ligjin nr. 69 të vitit 2012, duhet të dije logjikën, pra nuk mund të mbyllet një institucion pa ndjekur të gjithë hapat, për ta lajmëruar nëse vërtet ka probleme, siç supozoni ju, por nuk e bëni këtë. Ju nuk vini të thoni: këto janë problemet, zonja deputete, ja ku janë dokumentet publike, po jua vë edhe ju në dispozicion dhe jam e gatshme të vij me ju dhe t’i shikojmë. Kjo do të ishte përgjigjja, nëse do të ishit në anën e drejtës, por jo, ju jeni në anën e së gabuarës; jeni në anën e kundërt të arsimit dhe kundër atyre fëmijëve. Unë nuk dua t’i them emrat e të gjithë prindërve, të cilët sot fëmijët i kanë me ndihmë psikologjike, sepse u ndanë nga mjedisi, u ndanë nga shokët dhe nga edukatoret. Përse?! Për një kapriço. Nëse vërtetë kopshti do të ishte me problematika, do të ishin prindërit të parët që do të të falënderonin; do të ishin prindërit të parët që do t’i hiqnin fëmijët nga kopshti dhe ne do të thoshim: “Faleminderit, zonja Ministre, që hoqe këtë rrezik të madh nga jetët e fëmijëve tanë!” Por jo, është thjeshtë një kapriço vasaliteti, për shkak të urdhrave të vasal Kryeministrit dhe të tuat si vasal ministre. Ky është realiteti. Eja ma argumento nëse nuk është kështu.
Të thashë: na prit si përfaqësi, unë si deputete do të vij me një përfaqësi prindërish dhe sqaroji, përsëri nuk pranuat. Kjo është transparenca që na garantoni?! Kjo është e drejta që u jepni qytetarëve për të marrë informacion për fëmijët e tyre?! Pastaj të flasim këtu për krimet kibernetike. Ju po bëni krime shumë më të mëdha, shumë më të dëmshme se sa krimet kibernetike.
Konventën, meqenëse e kishit merak t’jua thoshim, do ta votojmë pro, sepse kemi qenë dhe jemi pro konventave ndërkombëtare kur garantojnë më shumë cilësi dhe më shumë kontroll për qeverisjen tuaj.
Nga ana tjetër, pedagogëve u bëni të njëjtin sulm. Dilni e sulmoni njerëzit personalisht me të njëjtin mentalitet, pa e ditur fare, i thoni kryetarit të sindikatës: “ai i SHIK-ut”. E para punës SHIK-u është institucion i sigurisë kombëtare dhe nuk është ish-Sigurimi i Shtetit. Edhe nëse zotëria ka punuar në SHIK si drejtor i Analizës, ka bërë profesionin e tij atje në një institucion të sigurisë kombëtar, partnerë i FBI-së dhe nuk ka asgjë për t’u kërcënuar apo për t’i ardhur turp, sepse është profesor doktor i asociuar.
Ai nuk foli për veten e tij, nuk kërkoi një vend pune, por foli në emër të sindikatës që përfaqëson dhe në emër të pedagogëve, ndërsa ju nuk i ktheni dot përgjigje për kërkesat që ai kërkon, por merreni se ku ka punuar ai më përpara. Keni deputetët tuaj që kanë punuar më përpara në SHIK dhe nuk u ka thënë njeri asgjë. Çfarë problemi ka këtu?
Ju nuk ktheni dot përgjigje për pagën që në Kosovë mesatarja është 850 euro dhe në Shqipëri është 680 euro. Përse nuk e kanë pagën sa në Kosovë, kur buxheti i Kosovës është shumë më i vogël se buxheti i Shqipërisë? A u ktheni dot përgjigje për këtë Sandër Kovaçit dhe pedagogëve? Këtu i keni të gjitha vendet e tjera të rajonit, si: Maqedonia e Veriut, Bosnje-Hercegovina, Serbia dhe Mali i Zi. Kthejuni përgjigje pedagogëve për kërkesat konkrete që kanë. Përse i keni bllokuar doktoraturat dhe të gjithë procesin e marrjes së titujve? Ata duhet të udhëheqin doktoraturat që të kalojnë në titullin “profesor”, por ju këtë nuk e hiqni dot kur e keni vendosur vetë. Për këtë ktheni përgjigje.
Ktheni përgjigje përse e keni barazuar orën e leksionit me orën e seminarit, duke i hyrë në hak punës së pedagogëve dhe duke u zvogëluar rrogën, në krahasim me atë që merrnin më përpara? Për këtë ktheni përgjigje dhe jo ku kanë punuar njerëzit më përpara.
Ktheni përgjigje për kërkesat reale që ju bëjnë pedagogët, të cilët nuk ju kanë frikë. Ata kanë zgjedhur rrugën e drejtë pasi, unë jua kam thënë, ju kanë çuar kërkesë zyrtare, ju kanë çuar peticion, sepse nuk donin që vitin akademik ta nisnin në rrugë, por në auditorë duke dhënë mësim, duke pasur kushte dhe paga dinjitoze. Por ju i mbyllët sytë, i mbyllët veshët dhe thatë: “Letra të sindikatës janë këto. Përse do të pyesim sindikatat ne?”. Ja, pra, ato sindikata sot janë një protestë të drejtë, e cila ju tremb dhe i kërcënoni:
“Jo po do t’ju bëjmë veting; jo po do t’ju mbyllim universitetet”. Në fakt, asgjë nuk do t’u bëni, sepse ata do ta fitojnë këtë betejë; sepse është beteja e tyre e drejtë për pagë dinjitoze në Shqipëri. Pastaj thoni përse ikin njerëzit? Ikin, sepse ju nuk u jepni dot një pagë dinjitoze; nuk u jepni dot dinjitet për të jetuar këtu për shkak të profesionit të tyre të nderuar që kanë, se janë profesorë, por duan të ikin. Pastaj vendosni: “Jo do të rrini këtu për 3 vjet; jo do të vendos unë kur të ikësh; jo do të vendos unë kush del nga Tirana dhe kush merr pasaportizimin.” Këto kisha.
Faleminderit !