Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Zonja Manastirliu e nisi fjalën duke na përgëzuar për prezencën tonë, por, në fakt, ajo që nuk paraqitet asnjëherë në Komisionin e Edukimit është zonja Manastirliu, e cila nuk erdhi në komision as për këto dy marrëveshje me Kosovën. Nuk e dërgon dot zëvendësministrin në seancë, se as këtu nuk do të kishte ardhur.
Unë e di që ti je shumë e zënë me hyrjet dhe daljet sekrete në SPAK dhe ndoshta të interesojnë pak degët prioritare, studentët dhe bursat. Ti je e zënë me letrat dhe fotokopjimet e letrave të periudhës së artë për ty, jo për qytetarët, kur ishe ministre e Shëndetësisë dhe më përpara drejtoreshë e QSUT-së, por neve na intereson arsimi dhe prandaj kemi votuar pro këtyre dy marrëveshjeve.
Gjithsesi, nuk mund të reshtim së thëni disa të vërteta, të cilat duhet t’ju bëjnë të reflektoni, duhet t’ju bëjnë të kërkoni të bëni më shumë dhe, pse jo, të kërkoni falje për gënjeshtrat që keni thënë, sepse ju si qeveri mbani përgjegjësi, pavarësisht faktit nëse ndryshohen apo jo ministrat. E keni vendosur me VKM që bursën do ta përfitojnë të gjithë studentët dhe keni thënë se nuk ka nevojë për mesatare. Gjatë rrugës po nxirrni mesataren, gjatë rrugës po nxirrni kontratat me kushte shtesë, sepse ju nuk i keni paratë për studentët dhe arsimin, përndryshe nuk do të sillnit këtu me shpejtësi akte normative për të dhënë para për ndërtimin e portit dhe gënjeshtrat tuaja, por do t’i sillnit për studentët dhe ne do t’i votonim.
Në fakt, ju duhet të ishit alarmuar, sepse gjatë 4 vjetëve të fundit çdo ditë ikin nga Shqipëria mesatarisht 8 studentë. Pra, ti duhet të bëje një politikë për t’i mbajtur ata këtu, por ty nuk të intereson fare, se nuk e ke këtë prioritet.
Në fakt, zonja Manastirliu duhet të hetohet edhe për një gjë tjetër. Ajo i ka gënjyer dhe mashtruar me relacion Kuvendin e Shqipërisë dhe komisionet, kur është diskutuar për ligjin e studentëve të mjekësisë. Relacioni është atje. Sot ne do të miratojmë një marrëveshje me Kosovën për degët e mjekësisë, ndërkohë që ju, bashkë me ministren e Arsimit, se pastaj ia morët vendin Evisit, keni thënë në relacion se kostoja për një student është 6500 euro, duke i detyruar studentët të zgjedhin universitetet jopublike, kur, në fakt, kostoja ishte 2300 euro.
Si ia sillni ju dokumentet Kuvendit, me hamendësime, me gënjeshtra, me butafori?!
Përpara se të vini në Kuvendin e Shqipërisë, ju duhet të bëni një studim për kostot e sakta, duhet t’u thoni studentëve çfarë investoni, çfarë nuk merrni pas dhe çfarë duhet bërë që mjekët të qëndrojnë në Shqipëri, jo të mashtroni duke sjellë këtu relacione me shifra imagjinare, duke trembur prindërit e studentëve dhe ata vetë, duke bërë që të mbusheshin universitet private, të binte numri i studentëve në universitetin shtetëror dhe të rritej numri i studentëve me mesatare të lartë që largoheshin nga ky universitet. Ja ku janë shifrat! Kjo gjë ka ndodhur falë propagandës dhe papërgjegjshmërisë suaj që mund të shkruash çfarë të duash, mund të bësh çfarë të duash, sepse ata do të votojnë pro, ju do të vazhdoni dhe asgjë nuk do të ndodhë. Pra, ju duhet të ishit në SPAK edhe për këtë çështje. Duhet të keni përgjegjshmëri kur flisni përpara Kuvendit, jo të thoni çfarë të doni dhe më pas të bëni të tjera nga ato që thoni, siç është bërë zakon në këtë Kuvend.
Keni sjellë këtu një marrëveshje me Kosovën për studentët dhe për kërkuesit shkencorë. Po ashtu, keni sjellë edhe një marrëveshje tjetër për infermierët dhe mjekët, që nuk është vetëm me Kosovën, sepse, në fakt, ajo është për vendet e Evropës Qendrore.
Zonja Manastirliu, e dini ju se fondet për kërkimin shkencor janë 0,084% e GDP-së? A e dini ju që kjo masë është 20 herë më e ulët se mesatarja e BE-së? A keni marrë ju ndonjë masë për këtë apo do ta zgjidhim me këtë marrëveshje me Kosovën, me 1 mijë euro? Kështu do ta zgjidhim?! A mendoni ju se Shqipëria mund të bëjë kërkim shkencor me 22 mijë lekë për pedagog për kërkimin shkencor?
Këto janë shifrat, ky është realiteti dhe kjo është ajo që ju nuk e fshihni dot. Ju nuk e fshihni dot faktin që nuk po bëni dot asgjë për arsimin. Ju nuk e fshihni dot që 71,6% e programeve prioritare rrezikojnë të mbyllen qysh vitin e ardhshëm dhe që 4 prej programeve prioritare nuk u hapën fare. Ju nuk e fshihni dot që gjendja e Shqipërisë është e barabartë me gjendjen e nëntë vendeve afrikane, sepse nga FDI Intellegencerenditemi të gjithë bashkë në nivelin më të lartë të “ikjes së trurit” për vitin 2022. Këtë gjë nuk e mohoni dot, por duhet ta adresoni në Kuvend dhe për këtë duhet të flasim jo një herë, dy herë apo tre herë, por duhet të flasim dhjetëra herë këtu, në komision e kudo dhe të ndërtojmë politika që e kthejnë arsimin me të vërtetë në prioritet, që t’i bëjmë studentët të qëndrojnë këtu, duke filluar me nxënësit, dhe ju duhet të jepni llogari këtu edhe për rezultatet e PISA-s.
Është e vërtetë që sistemin nuk e bën dot mandati i një ministreje, por ju po mbushni 12 vjet në qeveri. Kështu që, nuk mund të thuash se nuk e bën mandati i një ministreje, pasi nuk je vetëm ti, por të gjitha ministret që kanë drejtuar atë ministri nuk kanë ndritur gjë në këta 12 vjet, për të dhënë një rezultat të matshëm për arsimin, për studentët, për familjet shqiptare, për nxënësit shqiptarë, për kërkimin shkencor, për pedagogët dhe për universitetet. Nuk mund të fshihesh me arsyetimin se ke 6 muaj apo 1 vit në detyrë, por duhet të merrni masa. Opozitën, pedagogët dhe kërkuesit shkencorë duhet t’i shikoni si aleatë, për të ndërtuar politika arsimore që i shërbejnë vendit. Ne kërkojmë buxhet, kurse ti je e lumtur që nuk ke buxhet për arsimin; ne kërkojmë buxhet për kërkimin shkencor, ti je e lumtur që nuk ke buxhet për kërkimin shkencor; ne kërkojmë mbështetje studentore, kurse ti je e lumtur që nuk ofron mbështetje studentore.
Do të shkëmbesh me Kosovën?! A e di që studentët në Kosovë marrin 100 euro çdo muaj? Bëje edhe ti, se paratë i ke! Do të shkëmbesh me Kosovën?! A e di që studentët në Kosovë nuk e paguajnë tarifën? Bëje edhe ti, se paratë i ke! Do të shkëmbesh me Kosovën?! Pse nuk merr modelin e Kosovës për pagesat e pedagogëve, që i kanë të paktën dy herë më të larta se në Shqipëri? Bëje edhe ti! Ndërkohë, duhet të ishte e kundërta. Kosova, si një shtet i ri, duhet të mësonte nga Shqipëria. Duhet të ishim ne modeli për të ndihmuar Kosovën, por jo, ne jemi të vjetër, por jemi të vjetër edhe në hiletë tuaja të vjedhjeve dhe marrjeve të fondeve për qëllime të tjera dhe jo për qëllime në shërbim të qytetarëve.
Nëse ju keni dinjitetin që pas miratimit të kësaj marrëveshjeje t’i kërkoni qeverisë suaj të bëjë një akt normativ për të rialokuar fondet e buxhetit për arsimin, patjetër, jua garantoj unë votën tonë pro, por për arsimin ama, jo për godinat e shkollave, se keni thënë që keni rritur fondet për arsimin edhe në buxhetin që miratuat për 7 minuta. Ju keni rritur fondet për të ndërtuar disa godina me kosto që edhe Dubai na i ka zili, me kosto që nuk e di se ku i gjeni, se në asnjë vend të Bashkimit Europian nuk ndërtohet me kosto kaq të larta sa ndërtohet në Shqipëri. Kur këto godina i ndërton Bashkimi Europian, kostot janë të përballueshme, nuk shkojnë më shumë se 500 mijë euro, kurse kur i ndërtoni ju shkojnë 2,6 milionë euro. Kjo nuk quhet rritje e investimeve në arsim, por rritje e investimeve në xhepin tuaj, atje ku shkojnë paratë që duhet të shkonin për mësuesit, për pedagogët, për nxënësit dhe për studentët.
Nëse do të keni të tilla vendimmarrje, ejani këtu dhe votën tonë do ta keni pro! Madje, edhe ekspertizën tonë falas dhe të të gjithë pedagogëve të Shqipërisë e keni të gatshme, për të marrë modelet më të mira, por ju nuk e doni. Ju doni vetëm të vidhni dhe t’u hidhni hi syve shqiptarëve.
