Ina Zhupa ndërhyrje për procedurë / 17 Mars 2025

Në fakt, unë e kisha regjistruar emrin edhe për të folur për këtë projektligj, por për shkak të zërit nuk do ta shfrytëzoj dot. E kërkova fjalën vetëm për procedurë. 

Zonja Muzhaqi ka ardhur në Komisionin e Edukimit. Nuk është se e ka ndryshuar zonja Muzhaqi fjalimin nga Komisioni i Edukimit në seancë, që më pas ta ndryshojë edhe zonja Ulliri, sepse janë qëndrime politike, zonja Muzhaqi, të cilat vijnë si rezultat i një ligji po aq politik që keni bërë ju. Mjafton t’ju kujtoj një fakt, se atë që sot e keni kandidate në Shkodër e keni anëtare të Këshillit Kombëtar Rinor.

Të gjithë ata që janë anëtarë të Këshillit Kombëtar Rinor i keni në Facebook me foto profili të Edi Ramës dhe me foto selfie me ty nga Kuvendi Rinor i Partisë Socialiste. Kështu që, është kaq e kollajshme për të kuptuar se çfarë ligji po bëni dhe çfarë misioni keni. Në momentin kur thoni se duhet kryetari i bashkisë, se të rinjtë janë të paaftë që të vetëdrejtohen, që këtu keni koncept shumë të gabuar për rininë. Nuk duheni as ju dhe as kryetari i bashkisë për t’i drejtuar, sepse janë shumë të aftë të drejtohen vetë, por ju keni qëllime të tjera, dhe për këto qëllime të tjera po bëni edhe ligjin.