Replikë ndaj kryetares së Kuvendit Spiropali mbi sjelljet e dhunshme të Ilir Beqaj në cilësin e dëshmitarit i thirrur në Komisionin Hetimor/ 14 Nëntor 2024

Zonja Kryetare, Parlamenti ka rënë. Dje deputetët e opozitës janë kërcënuar ndërkohë që po kryenin funksionet parlamentare. Asnjë dëshmitar, edhe i lirë qoftë ai, nuk lejohet të hyjë në sallën ku zhvillohen mbledhjet pa e thirrur kryetarja e komisionit. Besoj se kaq e dini. 

Jo vetëm kaq, por ju keni 100 gardistë, të cilët nuk i lënë deputetët të hyjnë në salla ku zhvillohen mbledhje pa leje ose kur janë të përjashtuar.  

Mirëpo Policia e Burgjeve, që duhej të ishte atje, gardistët që duhej të ishin atje, nuk e ndalonin dot Ilir Beqajn, sepse ky i fundit, duke qenë 2 metra dhe shoku i Kryeministrit, e ngatërruan me Edi Ramën dhe nuk e ndaluan.  

Ilir Beqaj livadhiste i lirë dhe i jepte urdhra Policisë së Burgjeve, Gardës së Republikës dhe deputetëve të mazhorancës se çfarë do të bënin dhe si do ta bënin.  

Ju nuk patët guximin të thoshit një fjalë, si kryetare, lëre më ai kolegu që foli, që as e përmendi fare, se kërcënohen deputetët në sallën e Kuvendit, nga një njeri që na bëka edhe një status për kushtet çnjerëzore të Kuvendit.  

Çfarë kushtesh i keni krijuar ju atij në burg, që Kuvendi i duket çnjerëzor dhe burgu parajsë? Ta dimë, se kemi parë shumë dokumentarë për trajtime të veçanta dhe për urdhërime vrasjesh nga burgu. Por Beqaj tha: zyrat e Kuvendit, as zyra ku bëhet dialogu qytetar, shikojeni, me kolltukë të blerë me tendera të shtrenjta, ishin kushtet çnjerëzore për Beqajn që vinte nga qelitë e paraburgimit! 

Dhe vinte e na kërcënonte… 

Elisa Spiropali – Zonja Zhupa, ju lutem, përmbajuni procedurës! 

Ina Zhupa – Po, po, procedurës.  

Ja, do të ta them kërkesën procedurale tani, direkt! 

Ndërkohë që vinte dhe na kërcënonte: “Mbylle gojën! Qepe, ti! Ta tregoj unë ty! Kush je ti?”, ne duhet të vazhdojmë këtu normalitetin kur nuk kemi siguri në Parlament, pasi juve ju komandon Ilir Beqaj? 

Ai mund të kishte një të drejtë. Kur pa se cilët ishin anëtarë, tha: këta janë të gjithë për burg. Përderisa rrinë këta, përse të mos futem edhe unë? Mirëpo nuk funksionon kështu. Se këta mund të jenë kandidatë, por nuk kanë shkuar akoma atje, kanë akoma imunitet. Me këtë logjikë, zonja Kryetare, ju sot nuk keni moral që ta bëni këtë seancë plenare, ju sot nuk keni moral që ta mbyllni atë komision hetimor, por duhet që ju, si Kryetare, se ne do ta bëjmë, të kërkoni menjëherë vënien para përgjegjësisë të atyre policëve të Policisë së Burgjeve. 

A e dini çfarë na tha neve polici i Burgjeve, që u fut brenda dhe e la avokatin e Beqajt të na kërcënonte? Është pjesa e dytë. Shikoje nga kamerat e Kuvendit. Na tha: “Nuk kam furgon këtu. Nuk kam ku ta çoj. Nuk kam mjetet e duhura”. 

(Ndërhyrje pa mikrofon) 

Pra, i gjithë protokolli i sigurisë, kur furgoni duhet të qëndrojë gjithë kohën i gatshëm aty, kur policët duhet të jenë të gjithë të gatshëm aty, ata që janë caktuar, kishte rënë. Ne ishim në mëshirë të hajdutit 2 metra dhe Garda e Republikës… 

Elisa Spiropali – Ju lutem, përfundoni, zonja Zhupa!

Koha juaj ka mbaruar. 

Ina Zhupa – Po, po, do të përfundoj, patjetër.

Ju vë në dijeni se unë kam telefonuar komandantin e Gardës për të sjellë një gardist atje.  

Një gardist kishit lënë, tek pullë, dhe erdhi pasi ishte bërë sherri dhe pasi ishim kërcënuar jo vetëm në atë që patë ju live, por edhe në pjesën e dytë, që e shikon zonja Spiropali në kamerat e Kuvendit. Epo ne përfaqësojmë interesin publik. Ne jemi legjitimë. Ne jemi opozita e këtij vendi dhe ne do të hetojmë… 

Elisa Spiropali – Përfundoni, zonja Zhupa. 

Ina Zhupa – …doni, nuk doni ju. Dhe ne nuk na kërcënon dot Edi Rama, jo të na kërcënojë Ilir Beqaj! 

E ta dini, zonja Spiropali, që ne nuk bëjmë asnjë hap pas. Ju bëni çfarë të doni, por ne na keni përballë edhe në betejë. 

Screenshot