Replikë në Kuvend me Ministrin e Brendshem Taulant Balla për sistemin e adresave në Shqipëri- 30 Maj 2024

Ishte Kryetarja e Kuvendit në drejtim kur më përmendi dhe më ripërmendi zoti Balla. 

E para, zoti Balla, besoj se e dini që turistët nuk e zgjedhin Shqipërinë nëse ka një sistem adresash apo jo, sepse nuk është një nga kriteret, për të cilat turisti zgjedh të shkojë në një vend ose jo.  

Po ju informoj edhe si deputete e Sarandës, meqë Mirela Kumbaro e bojkotoi Kuvendin, se raporti që doli dje nga Agjencia Europiane e Mjedisit, e ka renditur Shqipërinë të fundit në listë për pastërtinë e ujërave në det. Kjo është një arsye e mjaftueshme që turistët të mos vijnë. Kjo nuk ka lidhje fare me sistemin e adresave, që ju e prezantuat sot këtu. 

Ndërsa sistemi i adresave, po, ka një lidhje shumë të fortë me zgjedhjet. Në zgjedhjet e fundit, zoti Balla, votuesit nuk e gjenin dot ku e kishin qendrën, sepse ju i kishit marrë e i kishit çuar në qendra të tjera, dhe rastësisht ishin të gjithë demokratë, ata të cilët ishin transferuar sipas interesave tuaj elektoralë, në mënyrë që të mos e gjenin emrin në listë, të vërdalliseshin dhe në fund të mos votonin fare. Ka lidhje të drejtpërdrejtë me zgjedhjet, por nuk ka ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me turizmin. Por, nëse ju si ministër i Brendshëm doni që të jepni kontributin tuaj në turizëm, thojini ministres së Turizmit të heqë dorë nga betonizimi, të krijojë kushte për pastrimin e ujërave të deteve, ndërkohë ju si ministër i Brendshëm garantoni sigurinë e turistëve, se po ju rrihen njerëzit dhe po ju vriten në mes të Tiranës, jo më kur të shumëfishohet numri nga turistët, që mund të vijnë të vizitojnë Shqipërinë. 

Shumë faleminderit!