Seancë pyetje-përgjigje ndaj ministrit të Kulturës Gonxhja për çeshtjen e muzeut arkeologjik në Tiranë / 7 Maj 2026

Në fakt, siç e thatë edhe ju, pyetjet drejtohen për faktin se jam tërësisht e habitur kur në muajin shkurt të këtij viti doli një vendim i Këshillit të Ministrave që thoshte se në një kat parkimi nëntokësor në sheshin “Nënë Tereza” do të jetë muzeu arkeologjik i shqiptarëve. Në fakt, mendova se ka qenë një zbardhje e gabuar dhe u futa për ta parë vetë, por nuk ishte një zbardhje e gabuar: shqiptarët do ta kenë muzeun arkeologjik në një kat parkimi. Në të gjithë botën arkeologjia funksionon për të nxjerrë nga toka në dritën e diellit identitetin dhe historinë, për të zhgroposur gjetjet dhe për t’i vënë ato që t’i shikojë me krenari e gjithë bota, kurse në Shqipëri ndodh e kundërta. Në Shqipëri projekti është: gjetjet që janë në dritën e diellit, t’i groposim, t’i futim në parkim nëntokësor, thua se na vjen turp nga identiteti dhe nga historia e shqiptarëve. Kjo është një vrasje që i bëni identitetit kombëtar; është një model i paprecedent. Kështu që, e kam thirrur ministrin pikërisht që të më thotë: cili është modeli ndërkombëtar që i është referuar në konceptimin e një kati parkimi si muze arkeologjik? A  është konsultuar komuniteti i ekspertëve të trashëgimisë kulturore dhe a ka pasur mendime kundërshtuese nga ata? A mund të më thotë: si e justifikon zgjedhjen e një hapësire të tillë, ku ka nevojë që muzeu të ketë ekspozim dinjitoz, të ketë akses publik dhe t’i jepet rëndësi trashëgimisë që përfaqëson. A mund të më thoni, zoti ministër, si garantohet që kushtet fizike të një strukture të tillë, si ndriçimi, ventilimi, lagështia, siguria, të përmbushin standardet për ruajtjen afatgjatë të trashëgimisë sonë kulturore? Si e keni kryer, nëse e keni kryer, një studim të plotë për fizibilitetin dhe ndikimin kulturor për këtë projekt?  

Zoti ministër, në vendet e botës ndodh që nëntokë të gjenden rrënoja të rëndësishme dhe, nëse do t’i nxjerrësh nga andej për t’i ekspozuar diku tjetër, mund t’i prishësh. Këto quhen muze “in situ”, atje ku gjenden, atje lihen dhe mund të jenë edhe në kate nëntokësore. Nuk ndodh kurrë në asnjë vend të botës si këtu, që gjetjet, të cilat kanë parë dritën e diellit, që janë pjesë e muzeut sot, i cili i përkiste dikur Akademisë së Studimeve Albanologjike, që ju e mbyllët për ta bashkuar me Akademinë e Shkencave vetëm për t’i vjedhur hapësirën, të merren dhe të groposen në një kat parkimi, që “Google Maps”, kur ta pyesin turistët për Shqipërinë, të thotë: kati -2, trasheja A3, pas makinës së bardhë është muzeu arkeologjik. Kështu do të jetë në “Google” muzeu arkeologjik i shqiptarëve! Muzeu arkeologjik është dinjitet dhe mund të meritonte një nga këto kullat e bukura, që bëni ju këtu me lekët e pastrimit të drogës, pra sheshin ta jepnit për muze arkeologjik. Tirana ka hapësira pafund; vetë ASA ka hapësira që t’ jepnit për muzeun arkeologjik, por ju zgjidhni që parkimin nëntokësor ta shndërroni në një muze arkeologjik. Çfarë do të bëhet me pronën e Akademisë së Studimeve Albanologjike, që është në sheshin “Nënë Tereza”?! A do ta jepni atë me Korporatën e Investimeve Shqiptare për të bërë ndonjë kullë, siç parashikoni të bëni te Pallati i Kongreseve?! Jepeni për të bërë muze arkeologjik; jepeni që të kemi një muze arkeologjik në dritën e diellit, me kushtet më të mira që të tregojë dhe të reflektojë dinjitetin e një kombi që ka historinë më të lashtë në Europë dhe në botë. Ne kemi një trashëgimi që na e ka zili bota; ne kemi gjetje, të cilat datojnë në periudha, për të cilat edhe fqinjët tanë janë xhelozë. Ju jeni antishqiptarë që doni ta groposni dhe ta shndërroni në një mënyrë banale, në një kat parkimi, muzeun arkeologjik të shqiptarëve! Shqipëria ka mjaftueshëm para, mjaftueshëm hapësira për t’i dhënë dinjitet, për t’i dhënë një hapësirë në dritën e diellit dhe për ta bërë këtë një vend atraksioni turistik për të gjithë turistët që vizitojnë Tiranën… 

PJESA 2:

Zoti Gonxhe, shembujt që morët ju, i mora unë, sepse ato quhen muze “in situ”. Kur u gërmua në Romë për të bërë metronë, u gjetën gjetje arkeologjike dhe nuk i lëvizën nga vendi, por i ekspozuan për publikun, sepse u gjykua se lëvizja mund t’i dëmtonte dhe, duke qenë se është stacioni i metrosë së Koloseut, bënte një lidhje logjike me pasurinë nëntokësore dhe atë mbitokësore. Në Tiranë nuk është gërmuar ndonjë parkim, pra që kanë dalë gjetje dhe po i lënë atje. Në Tiranë gjetjet janë marrë nga e gjithë Shqipëria; janë pjesë e muzeut që kishte Akademia e Studimeve Albanologjike. Aktualisht ndodhen në sheshin “Nënë Tereza”, një pjesë është ekspozuar dhe pjesa tjetër nuk është ekspozuar për mungesë të hapësirës. Këtu duhet të thuash të vërtetat! Nëse je ministër i Kulturës, siç je, duhet të kesh për zemër kulturën mbi të gjitha elementet e tjera dhe duhet të kërkosh dinjitet për muzeun arkeologjik të shtetit shqiptar. Nuk mund të justifikohesh as me gjetjet në Krakov dhe as në Romë.  

Pastaj, kur vjen këtu dhe thua: ma ka thënë Skënder Gjinushi, pastaj nuk kam më asnjë argument, sepse të mbrohesh me Skënder 

Gjinushin, të cilin e keni vënë atje pikërisht për ta keqpërdorur, që është i paligjshëm atje dhe pikërisht për t’i vjedhur pronën ASA-s, këtu është fundi i argumentit logjik. Ju keni ardhur, sepse keni një VKM, që e thotë qartë se do të jetë kat parkimi. Po, kush do ta ndërtojë?! Fondi shqiptar i vjedhjeve! Pra, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, tashmë njihet publikisht si fondi shqiptar i vjedhjeve, sepse nuk ka ndodhur kurrë që të bëjë një projekt, i cili të mos ketë rezultuar më pas me mbikosto, me kosto të vjedhura, me abuzime, me padi, dhe ju do t’i jepni muzeun arkeologjik shqiptar! 

Zoti ministër, do t’ju ftoj në këto pak sekonda të merrni një nga hapësirat më të rëndësishme të Tiranës, një nga hapësirat publike të Tiranës, qoftë hapësirat që po hapni tek ishGarda e Republikës dhe ta përdorni për muzeun arkeologjik të shqiptarëve. Nuk i jepni vlerë të shtuar turizmit, duke e kthyer në një kat parkimi. Jepini vlerë të shtuar identitetit, historisë, krenarisë së popullit shqiptar, duke i dhënë dinjitet muzeut arkeologjik të shqiptarëve. Atyre arkeologë të shkëlqyer, që kanë dhënë jetën për t’i zhgroposur dhe për t’i nxjerrë në dritën e diellit, ju nuk mund t’ua përdhosni punën, duke i groposur përsëri në një kat parkimi pa dinjitet dhe duke e lënë Shqipërinë si i vetmi vend që sajon parkime me muze apo muze me parkime.  

Shumë faleminderit!