Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë, diskutim për çeshtjet e fermerëve të Bashkisë Konispol | 5 dhjetor 2022

Në fakt, kjo ishte Java e Gjelbër, java kur ne duhet t’u kushtonim më shumë takime banorëve të zonave që përfaqësojmë, përveç takimeve tona të përjavshme.

Siç e dini, Bashkia e Konispolit është një bashki shumë e famshme në të gjithë Shqipërinë për prodhimin e mandarinave, të portokajve dhe të limonëve, si produkte karakteristike të kësaj zone. Në fakt, gjithçka ka nisur nga politikat që ka ndjekur dikur qeveria “Berisha” për subvencionim dhe tashmë është harruar çdo lloj subvencioni qoftë për rrënjë, qoftë për prodhim, për mandarinat, për portokajtë apo për limonët.

Fermerët, të cilët pata mundësinë t’i takoja, por edhe grumbulluesit, shprehën një sërë shqetësimesh, që, siç thonë, ia kanë adresuar edhe ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si tani në rolin e saj si ministre, madje edhe më parë kur drejtonte AZHBR-në, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Ua kanë adresuar edhe përfaqësuesve të pushtetit lokal dhe qendror, por përsëri nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Sot Bashkia e Konispolit ka investime në rrjetin e energjisë elektrike në mënyrë private. Atje ka fermerë që blejnë shtylla dhe lidhin linjat e energjisë elektrike. Jemi në vitin 2022! Ndërprerjet e energjisë elektrike shkojnë deri në 24 orë, duke i kufizuar ata në punët e tyre në plantacionet e mandarinave, të portokajve dhe të limonëve, ku kanë nevojë bazike, nevojë që duhet të ishte zgjidhur njëherë e mirë.

Gjithashtu, në të gjitha kanalet kulluese nuk investohet për t’i pastruar ato. Ato pastrohen nga vetë fermerët, pasi Bashkia nuk investon fare, po ashtu edhe qeveria, siç shprehen vetë fermerët dhe grumbulluesit.

Nga ana tjetër, nuk ka asnjë politikë për ta mbrojtur prodhimin vendas, nuk ka asnjë politikë që prodhimi i mandarinave, i portokajve dhe i limonëve të ketë një ndihmë nga shteti. Edhe kur fermerët dhe grumbulluesit gjejnë tregje ndërkombëtare, këtë e bëjnë në mënyrë private, pasi kjo qeveri nuk lehtëson në asnjë mënyrë, as nëpërmjet ambasadave apo konsujve tregtarë, këtë lloj faciliteti për fermerët tanë. Po jap vetëm një shembull shumë të thjeshtë: nëse bie breshër në Greqi, Konispoli është zonë kufitare, fermerët atje pak kilometra më tutje gëzojnë, sepse do të marrin çdo para nga shteti sikur ta kishin shitur me çmimin e tregut mandarinën e dëmtuar dhe nëse i njëjti shi bie

nga ana shqiptare, fermerët këtej vënë duart në kokë se ç’i gjeti, se i shkatërrohet mundi, djersa dhe nuk marrin as edhe ato qindarkat e vogla, që tregonte me përbuzje ministrja e Mjedisit para pak; skena më e shëmtuar që kam parë ndonjëherë në Kuvendin e Shqipërisë!

Përbuzje e parasë, përbuzje e mundit, e djersës së qytetarëve, të cilët ato para, në qoftë se nuk e dini, 41% e qytetarëve, sipas Bankës Botërore, jetojnë vetëm me aq para në ditë, ato para që ajo i hodhi këtu dhe tha: na, merri, t’i kam falur, se nuk kanë asnjë vlerë!

Sepse jetoni në luks dhe, normalisht, nuk ju bën fare përshtypje shuma e atyre parave dhe as e keni idenë fare se si jetojnë fermerët, qytetarët, pensionistët e këtij vendi dhe se sa mundohen për ato qindarka që ju i hidhni tutje!

(Bie gongu.)

Dua të ngre edhe një problem të fundit në lidhje me Bashkinë Konispol.

Bashkia Konispol jep kullota me qira, ndërkohë duke u kufizuar dhe duke penguar rrugën normale të blegtorëve të tjerë për të shkuar në stallën e tyre.

Rasti konkret është i Fejzo Hasanit nga Ninati, që unë do ta bëj publik edhe në rrjetet sociale për më gjatë, të cilit bashkia i zë rrugën, duke ia dhënë një socialisti…

(Bie gongu.)

…që të ketë mundësi të ndërtojë kullota në rrugën ku duhet të kalojnë të gjithë banorët. Cila është zgjidhja? Bjeri nga mali. Bjeri nga mali për tri orë, sepse ti ke një gabim, ti voton Partinë Demokratike!

Pastaj, hajde flisni këtu për samite, për arritje dhe për suksese!

Faleminderit!

(Duartrokitje)