Kundërshtimi për Projekt-Programin që nuk zgjat afatin e Komisionit Hetimor dhe se nuk përfshin iniciativat e deputetëve të opozitës për buxhetin 2025 / 14 Nentor 2024

Do të flas, se kam çfarë të them dhe jam me të drejtën, ndaj do të flas.  Zoti Peleshi, meqenëse jeni mësuar të mohoni edhe sy për sy, në fakt, po, m’u drejtuat mua dhe do ta merrni përgjigjen. Ne jo vetëm i duam të rinjtë në politikë, por i mbrojmë edhe nga modeli juaj, se nuk duam që të rinjtë të kenë model kriminelët në Parlament; nuk duam që të rinjtë të kenë model hajdutët, kërcënimin dhe intimidimin. Ju folët për të drejtat e të burgosurve, por harruat që të drejtat më të rëndësishme në një Kuvend janë të drejtat e deputetëve për të ushtruar veprimtarinë e tyre pa u kërcënuar, ndërsa zotëria i paraburgimit i gëzonte të drejtat e tij, madje edhe i tejkaloi duke cenuar edhe të drejtat tona.  

Ky Kuvend do të miratojë një projektkalendar që nuk ka të përfshirë brenda tij elementet thelbësore për jetën parlamentare.  

Së pari, nuk ka të përfshira iniciativat e deputetëve të opozitës, të cilat do të duhet të shqyrtohen para miratimit të buxhetit; nuk ka të përfshirë projektligjin e opozitës për minimumin jetik. Si mund të flisni ju dhe të miratoni buxhet për qytetarët, kur nuk keni futur projektligjin për minimumin jetik, kur ju nuk vini më parë për minimumin jetik? Si mund të kaloni buxhetin e shtetit, pa kaluar projektligjet e deputetëve të opozitës, që janë të lidhura drejtpërdrejt me qytetarët, me pensionistët, me studentët, me shtresën e të përndjekurve politikë, për dëmshpërblimet e tyre, me përmbytjet e padëmshpërblyera ende në Shkodër e me radhë? Si ka mundësi që në buxhetin tuaj miliarda euro nuk gjenden këto para për qytetarët e Shqipërisë, por gjenden vetëm para për koncesionet e Vilmës dhe Ilir Rrapajt?! E keni parashikuar ju në buxhet që do t’ia shtoni kontratën Vilmës, sepse e kishte që duhej të mbyllej deri në vitin 2025, por jo, këtu jeni të bindur ju, dhe do t’ia jepni 9 milionë euro ekstra Vilma Nushit edhe në vitin 2025, edhe në vitin 2026, edhe në vitin 2027. Patjetër, në buxhet ju e keni parashikuar që, edhe pse mbaronte sterilizimi brenda vitit 2025, duhet t’i jepni 19 milionë euro ekstra, po ashtu edhe për vitin 2026 do t’i jepni 19 milionë euro ekstra, ndërsa për vitin 2027 do t’i jepni 20 milionë euro ekstra. I keni parashikuar shumë mirë milionat e eurove ekstra për këto dy koncesione!  Po, mirë, a mendoni ju se këta milionat e eurove ekstra i japin Ilir Beqja, Ilir Rrapaj apo Klodian Rrjepaj nga burgu?! Jo, i jep Edi Rama. Ja, pra, pse duhej të vinte Edi Rama në komisionin hetimor. Ja pse në Konferencën e Kryetarëve ju duhej të kishit miratuar zgjatjen e afatit. Sigurisht që do ta mbroni Edi Ramën dhe do të bëni çfarë ju thotë ai, sepse për gjashtë muaj jemi në zgjedhje dhe ju fshin me gomë të gjithëve, sepse ju ka thënë: nuk ju llogaris. Ai ka bërë një platformë, ku shikoj shumicën e njerëzve që ju mbajnë dosjet ju, që gjoja kandidojnë si risi, vetëm e vetëm për t’ju thënë: nuk jeni të pazëvendësueshëm, por jeni thjesht numra, unë e marr dhe e mbaj pushtetin me kriminelët dhe me ata do të vazhdoj; fytyrat tuaja i përdor sa herë më duhen për mbrojtje, si lecka për të fshirë djersët.  

Ndaj, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nuk është dakord me projektkalendarin që keni bërë ju, sepse është një projektkalendar që nuk përfshin opozitën, nuk zgjat afatin e komisionit hetimor, nuk fut iniciativat e deputetëve të opozitës për diskutim para buxhetit dhe kalon një buxhet që çdo para e çon më shumë për interesat klienteliste të Edi Ramës dhe të klientëve të tij sesa për qytetarët shqiptarë. 

Shumë faleminderit!  

Screenshot