Interpelanca me ministrin e mjedisit Sofjan Jaupaj për zonat e mbrojtura, ndërtimet në Nartë, Zvernec / 11 Qershor 2026

Në fakt, zoti Kryetar, ne jua sollëm mesazhin e protestës në sallë, sepse, me sa duket, nuk po e dëgjonit nga qytetarët dhe kishit nevojë t’jua përcillnim ne këtu, në sallën e Kuvendit.  

Ky është mesazhi i një proteste, e cila, në fakt, nisi nga një sjellje barbare, nga një sjellje që nuk është parë dhe uroj të mos shihet në asnjë vend tjetër të botës, se si keqtrajtoheshin qytetarët, sepse po protestonin për pronën publike, për zonën e mbrojtur, për pasurinë e përbashkët, për të mbrojtur natyrën dhe mjedisin në Shqipëri.  

Unë ju ftova, zoti ministër, në interpelancë, sepse dua që shqiptarët ta kuptojnë se ka edhe një Ministri Mjedisi; dua ta kuptojnë që ju keni disa detyra për të kryer dhe duhet të japësh llogari përpara shqiptarëve për zonat e mbrojtura, për pasurinë e përbashkët të shqiptarëve.  Në krye të protestës kanë qenë shumë simbole: flamingot, pelikanët, shpendët, kafshët e mbrojtura, të cilat ende kemi fatin t’i kemi në Shqipëri. Kjo protestë, në fakt, me sjelljen tuaj, zoti ministër, nxori në pah edhe një shpend, “strucin e Nartës”, sepse ju keni fshehur kokën dhe nuk po u ktheni përgjigje kërkesave të gazetarëve, kërkesave të qytetarëve dhe nevojave për llogaridhënie, që duhet ta jepni sot nga këtu.  

Kjo zonjë quhet Leftothea Karasa, 81 vjeç; është lajm në qoftë se e klikoni; e cila ka shkuar në burg dhe më pas në gjyq për ndërtim pa leje në Nartë, ndërkohë klientët tuaj, oligarkët tuaj rrethuan pronën publike, rrethuan zonën e mbrojtur me tela me gjemba pa iu dridhur qerpiku, vendosën roje private atje, dhunuan qytetarët, sepse kishin mbrojtjen tuaj shtetërore.  

A mund t’u thoni sot qytetarëve, zoti ministër, a bini dakord me Kryeministrin që mund të jetë një pronë private brenda zonës së mbrojtur dhe mund të trajtohet si një parcelë e zakonshme ndërtimi, apo statusi mjedisor i territorit përcakton vlerën ekologjike të asaj zone dhe jo pronësinë mbi tokën?  

A janë dhënë dhe a jeni në dijeni që janë dhënë leje ndërtimi për objektin, resort turistik në gadishullin e Zvërnecit, me vendndodhje Pishë Poro, Nartë Bashkia Vlorë, shoqërisë “Zvërnec South Adriatic Development”?  

A jeni ju që i jeni përgjigjur Komisionit Evropian se e keni pezulluar projektin? A kishte një projekt? Sepse jeni i njëjti individ që keni thënë se nuk ka projekt, ndërkohë thuhen shifra për projektin, 4,5 milionë euro; thuhet se do të hapen 100 vende pune, por unë kam dokumentet që kanë katër leje që janë dhënë për atë projekt. Megjithatë, unë pres të na sqaroni, të sqaroni opinionin publik: a ka leje zhvillimi, a ka leje ndërtimi, a ka projekt, apo nuk ka projekt? 

Si është dhënë miratimi apo dakordësia për leje zhvillimi, pa një vlerësim të ndikimit në mjedis të përfunduar, të publikuar dhe të konsultuar, ndërkohë detyrimi është që ky proces të ndodhë para se të jepet leja e zhvillimit?  

A mund të miratohen, zoti ministër, rrethime, punime përgatitore, rrugë aksesi në një zonë të mbrojtur pa një VNM të përfunduar dhe pa vlerësuar paraprakisht ndikimin mbi dunat, pyllin bregdetar, habitatet, korridoret ekologjike?  Nëse realisht e keni pezulluar, siç e keni deklaruar në Bruksel, a mund të na thoni me çfarë akti ligjor e keni pezulluar? Cilën leje keni pezulluar? Kush e ka nxjerrë aktin, në cilën datë dhe a është komunikuar me subjektin zhvillues? Zoti ministër, ju keni qenë zëvendës i Mirela Kumbaros, dhe vazhdoni të  silleni si i tillë, sikur jeni atje thjesht de juro dhe de facto është dikush tjetër. Ju e dini shumë mirë që e keni ndryshuar ligjin e zonave të mbrojtura, pikërisht, për t’u hapur rrugë ndërtimeve të tilla dhe për të vendosur që në Shqipëri të mos ketë më asnjë zonë të mbrojtur dhe të mos ketë më asnjë ndalesë nga dëshira, oreksi i qeverisë për të zhvilluar ku të doni, si të doni dhe çfarë të doni. Koncepti juaj i zhvillimit është i ndryshëm nga koncepti i zhvillimit që ka çdo qytetar shqiptar që e do Shqipërinë, për një zhvillim në harmoni me natyrën, me konventat evropiane, me Kushtetutën e Shqipërisë dhe me interesin publik, ku zonat e mbrojtura qëndrojnë të tilla, të pacenuara, dhe zhvillimi, betonizimi shkojnë atje ku ka mundësi dhe hapësira, në marrëveshje me privatin apo në toka shtetërore.  

Ju i keni deklaruar Komisionit Evropian, edhe në kuadër të Kapitullit 27, se do ta shfuqizoni ligjin “Për zonat e mbrojtura”. A është i vërtetë ky deklarim që vjen nga Parlamenti Evropian? A e keni lexuar ju rezolutën e Parlamentit Evropian? A e dini ju se në Kuvendin e Shqipërisë, që në datën 14 maj të këtij viti, është depozituar nisma ime për shfuqizimin e ligjit “Për zonat e mbrojtura”? 

Si ministër i Mjedisit (po ta kujtoj, ta kam thënë disa herë, nuk je ministër i ndërtimit, nuk je ministër i Infrastrukturës, nuk je ministër i Turizmit, ke ardhur këtu si ministër i Mjedisit), a mund të na thuash: je apo nuk je dakord që të shfuqizohet ligji “Për zonat e mbrojtura”, siç thotë Parlamenti Evropian? Na e thuaj këtu, para qytetarëve shqiptarë: për Ministrinë e Mjedisit ka më shumë rëndësi të mbrohet zona e mbrojtur, të mbrohet trashëgimia, apo të shkatërrohet? A keni ndopak turp për videon që nxori Kryeministri, ku zonat e mbrojtura, pikërisht në Pishë Poro-Nartë ishin katandisur… (Bie gongu.) 

Niko Peleshi – Ta përfundojë fjalën! 

Ina  Zhupa – …me mbeturina nga keqmenaxhimi bashkiak i një bashkie, të cilën prej 20 vjetësh e drejtoni ju, si dhe nga mosfunksionimi i Agjencisë suaj të Zonave të Mbrojtura, se aktakuzën jua bëri vetë 

Kryeministri?! Tani, hajde dhe përgjigju këtu, tregoju shqiptarëve: a ka Ministri të Mjedisit, a ka ministër të Mjedisit dhe a keni përgjegjësi për këtë masakër që programohet në zonat e mbrojtura të Shqipërisë? 

PJESA 2:

Në fakt, ministri kishte rreth 40 minuta kohë, 20 nga unë, 20 nga Redi, por as 10 minuta nuk përdori dot. E kuptojmë se sa llogaridhënie i jep Kuvendit. Asnjë përgjigje nuk ktheve për pyetjet që të bëra dhe konfirmove emrin “struci i Nartës”.  

I dashur ministër,  Në emër të qytetarëve shqiptarë, ke për detyrë t’u kthesh përgjigje shqetësimeve të tyre të drejta, që vijnë nëpërmjet pyetjeve që unë ju drejtoj, por këtu u talle me shqiptarët, duke i bërë një rezyme të pavërtetë asaj që ka bërë qeveria juaj. Harrove t’u thuash shqiptarëve se është qeveria juaj ajo që e dha Butrintin me koncesion; është qeveria juaj ajo që ndryshoi ligjin e zonave të mbrojtura, për të lejuar ndërtimin kudo; është qeveria juaj ajo e pikës së vogël të Manastirit, që është trashëgimi kulturore dhe natyrore; është qeveria juaj që, kur thotë “zgjerova zonat e mbrojtura”, mund ta kishte bërë edhe me 100% të territorit, sepse ndërtohet njëlloj, si atje ku nuk është e mbrojtur, si atje ku është e mbrojtur. Mund ta shpallësh edhe të gjithë Tiranën zonë të mbrojtur, sepse, për aq kohë sa nuk ke kritere për t’i ndaluar ndërtimet, shpalle, nuk ka problem, se sukses është!  

Vetëm u talle me qytetarët, ndaj do të t’i them të gjitha ato që nuk pate guxim t’i thoshe para qytetarëve. 

The se në datat 5 maj dhe 15 maj keni bërë diskutim për vlerësimin e ndikimit në mjedis, por nuk the se ku është publikuar, ku është konsultuar dhe nëse është miratuar. Ndërkohë, nuk është miratuar asgjë, atje kishe buldozerë, rrethim dhe ndërhyrje brutale në mjedis. Nuk na the, zoti ministër, nëse ke dëgjuar që deti të jetë pronë private. A ke dëgjuar ti që bregdeti të jetë pronë private e ndonjërit? A ke dëgjuar ti që zonat e mbrojtura të jenë pronë private e ndonjërit? Bregdeti, hapësira publike, u rrethuan me lejen e qeverisë suaj, u rrethuan për t’u shfrytëzuar nga ata që kishit zgjedhur ju.  

Nuk na the këtu, zoti ministër, që janë dhënë jo një, por katër leje për atë zonë dhe kjo është përgjigje zyrtare e marrë nga Agjencia e 

Zhvillimit të Territorit: aplikimi nr. 22/72 prot., datë 25.3.2026, “Për miratimin e kërkesës për leje zhvillimi për objektin”; vendimi nr. 41, datë 30.3.2026, ka miratuar lejen e zhvillimit për objektin “Zvërnec Peninsula-kompleks multifunksional banimi, shërbimesh, hotelerie dhe rekreacioni” dhe çdo gjë atje në zonë të mbrojtur; aplikimi nr. 32/18 prot., datë 28.4.2026, “Për leje ndërtimi infrastrukture për objektin, për kryerjen e punimeve të rrethimit, punimeve përgatitore e të tjera”; vendimi nr. 5, datë 29.4.2026, përsëri për rrethim dhe për ndërtimin e rrugës së aksesit brenda pronës.  Të gjitha këto nuk mund dhe nuk duhet të bëheshin pa vlerësimin e ndikimit në mjedis, të gjitha këto nuk mund të bëheshin pa konsultime me ekspertët, të gjitha këto ishin të pamundura të bëheshin nëse ju do ta kishit lënë ligjin ashtu siç ishte dhe nuk do ta kishit ndryshuar. Ju u fshehët duke bërë të paditurin kur gazetarët ju pyesnin se çfarë po ndodh në Nartë dhe në Pishë Poro, sepse, në fakt, ju vetëm zbatoni urdhrat. Në fakt, urdhrat i jepte ai që e ndryshoi ligjin, sepse e tha vetë: e ndryshova ligjin, sepse më thanë që në vitin 2023 për këtë projekt. Në një zonë të mbrojtur punimet përgatitore nuk janë neutrale; rrethimi, hapja e rrugëve, hyrja e makinerive, pastrimi i territorit, ndërhyrja në duna janë vetëm me ndikim mjedisor. Ajo që ju bëni sot është thjesht një tallje me shqiptarët. Shqiptarët e kanë ngritur këtë shqetësim jo se janë kundër zhvillimit, jo se janë kundër ndërtimit apriori, por sepse janë pro mbrojtjes së Shqipërisë, sepse besojnë se një Shqipëri e zhvilluar është një Shqipëri që respekton Kushtetutën; një Shqipëri që respekton konventën; një Shqipëri që respekton interesin publik dhe një Shqipëri që nuk zhvillohet sipas dëshirave dhe orekseve ditore të klientëve që zgjedh Kryeministri. 

Je ministër i Mjedisit, ndaj shqetësimi yt i parë duhet të ishin zonat e mbrojtura; duhet të ishte ajo gjendja katastrofike e pastrimit në zonat e mbrojtura, që publikoi Kryeministri; duhet të ishte mbrojtja e florës, e faunës dhe ruajtja e tyre për brezat e ardhshëm; duhet të ishte që këto zona të mbrojtura ta kenë mbrojtjen 100% me ligj dhe të shfuqizohet …  

Nuk ktheve përgjigje këtu nëse ky punim do të bëhej apo nuk do të bëhej me një ligj të ndryshëm të zonave të mbrojtura, siç ishte ligji i mëparshëm. Zoti ministër, nuk ktheve përgjigje këtu, por atë që ti ke frikë ta thuash, do ta them unë për ty. A mund të zhvillohej ky projekt pa ndryshimet e ligjit nr. 21/2024? Të pyeta, por nuk ktheve përgjigje. E kthej unë përgjigjen: jo, nuk mund të zhvillohej ky projekt. 

 A keni sot një VNM të përfunduar, të publikuar dhe të konsultuar për projektin e Zvërnecit, edhe pse ka katër leje zhvillimi dhe ndërtimi? Ta them unë përgjigjen, që ti ke frikë ta thuash: jo, nuk e keni. Dil dhe kundërshtoje!  

A keni futur makineri në zonë përpara përfundimit të VNM-së? E dinë të gjithë shqiptarët: po, keni futur, keni shkatërruar habitatet, keni bërë ndarje, fragmentarizim, të cilin nuk e lejon ligji, pra që këtu të vendosësh telat me gjemba dhe atje të vazhdojë përsëri zona e mbrojtur. Nuk e ktheve përgjigjen, por e kthej unë këtë përgjigje.  A janë kryer punime përgatitore, rrethime dhe rrugë aksesi përpara përfundimit të VNM-së? Po, i panë të gjithë shqiptarët makineritë e rënda që hynë në zonë të mbrojtur, e panë të gjithë shqiptarët se si atje punohej me buldozerë, me kamionë dhe me mjete që s’kishin të bënin fare me studimin mjedisor, sepse nuk punojnë ashtu (shko shikoje si punojnë, në qoftë se nuk e di), dhe aq më pak me ruajtje dhe konservim të zonës së mbrojtur.  

A ka procesverbal inspektimi nga AKZM-ja për ndërhyrjet e raportuara atje? A ka një procesverbal nga bashkia, nga pushteti lokal? Jua them unë: jo, sepse ata nuk guxonin të inspektonin. Ata vunë në rresht Policinë e Shtetit dhe Policinë Bashkiake. Policët rrinin dhe kishin frikë të reagonin edhe kur u hidhnin spray në sy. Patjetër që njerëzit do të irritoheshin, sepse banditi u hidhte spray policëve dhe policët rrinin, kishin frikë! Kishte frikë polici, sepse ishte shteti, sepse e ndërtoni ju, sepse i dini ju se cilët janë investitorët realë, sepse e dini ju cila është kontrata reale, sepse e dini ju si ndahen përqindjet reale, sepse e dini ju si ndahet Shqipëria, sepse e dini ju se çfarë bëhet për Shqipërinë.  

Jo, shqiptarët nuk ju lejojnë më ta ktheni Shqipërinë si një plaçkë, si të jetë vila personale e Kryeministrit, dhe po e ndajmë: këtë copë oborri po ia japim ta mbjellë me domate, këtë copë oborri po e mbjellim me trëndafila, kurse këtë copë oborri do ia japim këtij oligarku, atë copë oborri do ia japim këtij tjetrit! 

As turizmi nuk zhvillohet me vila individuale në zona të mbrojtura, thjesht kanë një vilë më shumë oligarkët në një shtet tjetër, por nuk zhvillohet asgjë, siç nuk është zhvilluar. Nuk shoh ndonjë zhvillim në Manastir, ku është shkatërruar pasuria kombëtare dhe pasuria publike. Nuk kam parë që qytetarët e mi të Ksamilit të jenë më të zhvilluar, më të pasur dhe Ksamili të jetë më shumë turistik. 

Ju nuk kthyet përgjigje për pyetjen: a garantoni se nuk është prekur asnjë habitat, asnjë dunë ranore, asnjë pyll bregdetar, asnjë korridor ekologjik? Jo, s’e garanton dot. Si do ta garantosh, kur atje futet buldozeri? Nuk ke si ta garantosh! 

Të pyeta: a është pezulluar projekti? Nuk më ktheve asnjë përgjigje. Nuk e kuptoj për çfarë të thirrëm kur nuk kthen asnjë përgjigje! Erdhe me një fjalim që mund ta kishe mbajtur edhe në vitin 2024.  

Më thuaj konkretisht, është pezulluar apo jo? Cili është projekti? Cili është vendimi dhe kush e ka nxjerrë aktin ligjor? Të pyeta. Kryeministri thotë: jo.  Unë nuk e di as kujt t’i besoj, sepse ju gënjeni të gjithë! Po të jetë se disa thonë të vërtetën, në rregull, por ju gënjeni të gjithë! E keni pezulluar, apo jo? Gënjen Kryeministri apo gënjen ti?! Na e thoni! U thoni shqiptarëve se cila është e vërteta për këtë projekt, por edhe për projekte të tjera në atë zonë apo edhe në zonë tjetër.  

Ju mendoni se jeni vetë ligji. Ju mendoni se ligji këtu nuk ka rëndësi, sepse me parullën e ishpartisë suaj keni idenë: pse, ligjet tona do të na pengojnë ne?! Por këtu ka disa ligje dhe rregulla që duhen zbatuar. Por ka edhe një popull që kur shikon që ju e shkelni me të dyja këmbët këtë ligj, çdo interes publik, çdo konventë, Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, çohet, rebelohet, kërkon ta mbrojë Shqipërinë, kërkon ta lërë më të mirë për brezat e ardhshëm, ndërsa ju nuk keni guxim të ktheni këtu përgjigje minimaliste. 

Meqenëse e cituat dhe thatë këtu që zona është shpallur “Peizazh i mbrojtur”, kategoria V, mbi ç’bazë ligjore, zoti ministër, u kufizua aksesi i qytetarëve në një territor që është pasuri publike dhe pjesë e rrjetit të zonave të mbrojtura? Për shembull, e kam fjalën për plazhet publike të Dajlanit, Portonovës, Hidrovorit, për monumentet e natyrës, sepse atje ka edhe monumente të natyrës, si Kodrat Molasike të Zvërnecit, lagunat dhe dunat ranore. Këto pasuri publike u privatizuan, u doli pronari, ai me mbiemrin Shehu?! Ai është pronari i bregdetit, apo disa pronarë të tjerë? Se po na thoni tani sikur do ta zgjidhni me 5 pronarë të Zvërnecit! Nuk ka pronar zona e mbrojtur, nuk ka pronar deti, nuk ka pronar bregdeti, nuk ka pronar pasuria publike, nuk ka pronar duna, nuk ka pronar laguna. Nga i nxorët këta pronarë?! Sikur është çështje e 5 pronarëve dhe shkon i takon Kryeministri! Këtu po flasim për pasurinë publike të shqiptarëve. E keni kthyer në çështje qesharake, e keni kthyer jashtë çdo norme të diskutimit normal. Si ministër i Mjedisit duhet të vije këtu dhe të thoshe se cilat janë masat që do të merrni për ta mbrojtur zonën e mbrojtur. Në fakt, ju i keni dhuruar, por në qoftë se do të reagoni, siç thoni që do të reagojmë me pezullim, me shfuqizim … Ndryshe flisni kur shkoni në Komisionin Evropian dhe ndryshe i bëni gjërat këtu. Atje keni thënë se e keni pezulluar, ndaj del zëdhënësi dhe thotë: e kanë pezulluar. Këtu s’thoni gjë. Thuaje pra. E ke pezulluar? Me çfarë vendimi e ke pezulluar? Pse nuk e thua? Atyre u thua: do ta shfuqizoj ligjin. Kur do ta shfuqizosh? Pasi të japësh të gjithë Shqipërinë do ta shfuqizosh?! Në qoftë se ke marrë angazhimin që do ta shfuqizosh, fute ligjin në kalendar dhe ta votojmë javën tjetër! E ke ligjin aty që në datën 14 maj! Ju të tjera thoni dhe të tjera bëni, sepse doni t’u hidhni hi sy Parlamentit Evropian dhe shqiptarëve; këtu të shuani protestën, atje të thoni që jemi me standardet evropiane!  

Këto janë jashtë çdo interesi publik dhe janë turpi më i madh i një qeverie që i mendon zonat e mbrojtura si pengesë. Zonat e mbrojtura nuk janë pengesë për të ardhmen dhe zhvillimin e Shqipërisë, përkundrazi, ato janë pasuria më e madhe publike; ato janë krenaria e një vendi; ato janë frymëmarrja, oksigjeni, shëndeti. Prandaj e ka vendosur në Kushtetutë legjislatori, nuk e ka vendosur për bukuri. Nuk po flasim thjesht për bukuri, por po flasim për shëndet; po flasim për mushkëritë e njerëzve; po flasim për historinë; po flasim për të veçantën e Shqipërisë, për atë që e bën Shqipërinë Shqipëri. Po ku kuptoni ju! Ju e doni Shqipërinë si Dubai! Por Shqipëria është Shqipëria dhe ka vlera shumë më të mëdha se çdo shtet tjetër për nga trashëgimia kulturore dhe natyrore, dhe ju duhet të kishit për detyrë ta mbronit dhe jo ta përçudnonit.  

Betoni mund të ndërtohet kudo, betoni mund të hidhet kudo, resorte mund të ndërtohen kudo, madje shumë të bukura, le të bëhen dhe mirë se të vijnë, por jo në zona të mbrojtura, jo duke prishur një lagunë, një pyll, një korridor ekologjik, që nuk kthehen më dhe janë pasuri e përbashkët e shqiptarëve.  

(Bie gongu.) 

Zoti ministër, në ato 3 minuta kohë që ke kthe ndonjë përgjigje të paktën, që të mbahesh mend që je ministër dhe e the një gjë këtu në interpelancën e thirrur për interesin publik.  

Për ta mbyllur, dua t’i them vetëm diçka kolegut, shqetësimin e të cilit e vlerësoj: nuk kemi votuar kundër interpelancës suaj, kemi votuar… 

(Bie gongu.) 

Niko Peleshi – Mbaroje, por u mor vesh kjo. Gjithsesi, përfundoni. 

(Bie gongu.) Ina Zhupa – Pra, kemi votuar (mund të marrësh edhe procesverbalin e Konferencës së Kryetarëve, ta shikosh) që ju ta bënit më vete interpelancën dhe unë ta bëja më vete, në mënyrë që të kishte më shumë llogaridhënie nga ministri.  Gjithsesi, ky s’po thotë asgjë, kështu që s’ka problem se e bashkuam. Faleminderit!   

PJESA 3:

Zoti ministër, sinqerisht, nuk keni pak turp?! E kam shumë seriozisht dhe shumë miqësisht këtë, se nuk ka kuptim të vish këtu e të flasësh për agroturizmin, kur as nuk të pyeti njeri, as nuk ka lidhje… Je ministër i Mjedisit, zotëri! (Ndërhyrje pa mikrofon.) Ndoshta s’ia kanë thënë. 

Je ministër i Mjedisit! 

Tani, u solle gjithë kohën si struci i Nartës, por mua më vjen shumë keq që shqiptarët sot janë të detyruar të dëgjojnë ministrin e Mjedisit, i cili nuk thotë asnjë fjalë mbi pyetjet që i bëhen, nuk thotë asnjë fjalë për zonat e mbrojtura, nuk thotë asnjë fjalë mbi ligjet, asnjë fjalë mbi Kapitullin 27, për të cilin Shqipëria duhet të raportojë në BE, por vjen këtu dhe flet për Ministrinë e Bujqësisë, për Ministrinë e Turizmit, për Ministrinë e Infrastrukturës… Pak më seriozë me veten tuaj! Por ju aq dini, aq bëni, si të doni; keni përgjegjësi para qytetarëve shqiptarë.  Në fund të mosmarrjes së asnjë përgjigjeje, në fakt, interpelanca ishte pasqyra më e qartë e asaj që ndodh në shtetin shqiptar: disa ministra që nuk dinë se çfarë bëhet, disa ligje të bëra me porosi, me urdhër të Kryeministrit, që i thotë vetë pasi i ka bërë: më erdhi projekti në vitin 2023, ndryshova ligjin në vitin 2024; disa ministra, të cilët as pyetjeve më të thjeshta, më minimaliste, nuk u kthejnë dot përgjigje, sepse, në fakt, sot Zvërneci është kthyer në simbolin e antishtetit. Te Zvërneci shikojmë mënyrën se si nuk duhet të funksionojë një shtet, shikojmë mënyrën se si vendimet merren jashtë ligjit, se si ligjet ndryshohen me porosi, se si pasuria publike shitet tek investitorë që nuk dihet cilët janë realisht, se si jepen lejet pa vlerësime në mjedis, se si përdoret policia, për turpin tuaj, për të mbrojtur banditët, se si rrethohet Shqipëria, ditën për diell, pa pyetur për asnjë institucion dhe se si mbrojtja e vetme që kanë shqiptarët është vetëm mbrojtja e duarve të tyre, është vetëm mbrojtja e dinjitetit të tyre, që e bëjnë ata vetë, sepse qeveri nuk ka më, sepse ligji ka rënë. Ndaj ata sot janë në protestë. 

Ndaj ata sot, në ditën e 12-të, do të jenë më shumë se dje; ndaj nesër do të jenë më shumë se sot, derisa të mos ketë më nesër për ju! Krenaria e secilit protestues atje është të qenët në anën e drejtë të historisë, që, kur të rrëzohet Edi Rama, të thotë: unë isha aty; unë luftova për Shqipërinë; unë jam shqiptar dhe jam krenar për historinë… 

Klodiana Spahiu  Po, edhe një fjali. 

Ina Zhupa  …dhe për trashëgiminë tonë të përbashkët. 

Zoti ministër, nëse keni pak dinjitet, në fund të kësaj interpelance, jepni dorëheqjen dhe vazhdoni shijoni jetën, se për këtë punë nuk qenkeni! 

Faleminderit! 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *